Epilogu

Kallxo.com: Universitetet me Statute të Përkohshme

Katër universitete të Kosovës të themeluara në vitin 2013 dhe përkatësisht në vitin 2015 ende funksionojnë me statute të përkohshme.

Kosova ka shtatë universitete publike, gjashtë prej të cilave janë themeluar pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Këto vendime madje u vlerësuan si të ngutshme dhe pa vlerësim paraprak nga ministri i tanishëm i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Në ndërkohë, funksionimi i këtyre universiteteve po vazhdon të jetë pa legjislacion të kompletuar dhe në pritje për fatin definitiv të ekzistencës së tyre.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës në vitin 2013 për themelimin e Universitetit të Gjilanit, Mitrovicës dhe Gjakovës ka paraparë funksionimin e tyre me një statut të përkohshëm i cili do të zëvendësohej me statute të konsoliduara në bazë të specifikave të secilit universitet.

Megjithatë, edhe në vitin 2018 këto universitete vazhdojnë të funksionojnë me statutet e përkohshme.

Ngjashëm, universiteti i qytetit të Ferizajt, i themeluar në vitin 2015, po ashtu funksionon me një statut të përkohshëm të adaptuar nga Statuti i Universitetit të Prishtinës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me zyrtarë të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, të cilët pohojnë se statuti me të cilin funksionojnë do duhet të ishte ndërruar në statut të përhershëm.

Sipas Zyrës për Informim të këtij universiteti, dy drafte të statuteve janë të gatshme, por i njëjti duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës dhe kjo pritet të bëhet pas aprovimit të Ligjit për Arsimin e Lartë.

“Ne si universitet në Senatin e Universitetit i kemi miratuar dy drafte te statuteve dhe i kemi dorëzuar ne MASHT ne mënyrë qe MASHT-i t’i përcjellë në Kuvend për aprovim. Te dy rastet kemi marrë përgjigje se pritet të nxirret Ligji i Arsimit te Lartë dhe më pastaj te miratohen statutet e universiteteve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e UKZ-së.

Ata po ashtu kanë bërë thirrje që procesi i miratimit të një statuti të ri për universitetin të mbarojë sa më parë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” theksuan se Statuti i Përkohshëm nuk u përshtatet tërësisht rrethanave në universitet dhe dispozita të tij është dashur të ndryshohen.

“Nuk mund të quhet i skaduar si dokument në tërësi, por ka dispozita të cilat duhet të ndryshohen përshtatshmërisht me situatat dhe rrethanat e reja, të krijuara në universitet. Statuti i përkohshëm, është adaptuar nga Statuti i UP-së, me ç’rast dispozitat e caktuara janë ndryshuar duke ia përshtatur rrethanave në UGJFA”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UPGJ-së.

Megjithatë, edhe ky universitet ka mbetur peng i zvarritjes së miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë.

“Ky komision [Komisioni p[r hartimin e drft-statutit të ri], është në procedurën e hartimit dhe ka bashkëpunim me Universitetet tjera sa i pëket kësaj çështjeje por vonesa e miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë ka shkaktuar ngecje për shkak se Statuti duhet të jetë në harmoni të plotë me Ligjin”, sqarohet më tutje.

Universiteti i Mitrovicës ‘Isa Boletini’, theksoi po ashtu se dizpozitat jo të përshtatshme nga Statuti i Përkohshëm po zbatohen dizpozitat e Ligjit të tanishëm për Arsimin e Lartë.

“Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), aktualisht funksionon me Statutin e Përkohshëm të aprovuar nga MASHT, i cili vlen deri ne nxjerrjen e Statutit të ri. Për dispozitat qe bien ndesh me çështje konkrete, apo me funksionimin e universitetit zbatohen dispozitat e Ligjit për Arsimin e Lartë që është në fuqi.”, thuhet në përgjigjen e UMIB.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka shkruar edhe Universitetit të Ferizajt në lidhje me statutin e tij, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Zvarritja e Ligjit për Arsimin e Lartë

Ligji për Arsimin e Lartë që tani është në fuqi është miratuar në vitin 2011 dhe shfuqizoi ligjin e mëparshëm që ishte miratuar në vitin 2002.

Projektligji për Arsimin e Lartë kishte nisur nga minstri i kaluar i Arsimit, Arsim Bajrami.

Në legjislaturën e kaluar kur ai drejtonte Ministrinë, u bënë tentativa që Projektligji për Arsimin e Lartë të kalojë në Kuvend.

Megjithatë këto tentativa dështuan dy herë.

Në vitin 2014, Projektligji për Arsimin e Lartë nuk kaloi në Kuvend për mungesë kuorumi, ndërsa një vit më vonë ai nuk u diskutua në qeveri për shkak të vërejtjeve të Listës Serbe.

Tani për tani ka mbetur në fuqi Ligji për Arsimin e Lartë i miratuar në vitin 2011.

Në anën tjetër, çështja e Ligjit për Arsimin e Lartë nuk është diskutuar shumë nga ana e ministrit të ri të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Ndërsa sa u përket universiteteve, Ministri Bytyqi kishte prezantuar një ide që ato të kthehn në kampuse.

Bytyqi ka formuar një komision që do të dalë me rekomandime edhe lidhur me këtë çështje, mirëpo sipas tij vendimi për themelimin e këtyre universiteteve mund të ketë qenë i ngutshëm.

“Ajo çfarë është në të kaluarën në momentin e hapjes, pa dashur të diskutojë pse janë hapur gjithë këto universitete nuk është bërë një vlerësim i nevojave të hapjes së universiteteve publike…dhe kur gjërat bëhen pa vlerësim ka një risk të madh që gjërat të mos funksionojnë”, kishte thënë Bytyqi.

Exit mobile version