Atë ditë ishte thënë se ky projekt do të përfundonte për 55 ditë pune, raporton KTV.
Por, 111 ditë pas, prej tyre 77 ditë pune, përfundimi i punimeve duket ende larg.
Qytetarët janë të frustruar me kolonat, pluhurin dhe dëmet që po u shkaktohen si pasojë e zvarritjes së punimeve.
Në Komunën e Prishtinës përgjegjësinë për projektin e kanë hedhur te Ministria e Infrastrukturës.
Në këtë të fundit e kanë pranuar se ka tejkalim të afatit, por për këtë i fajësojnë një varg institucionesh.
Përderisa në KEDS nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje, në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” e akuzojnë ministrinë për mosbashkëpunim dhe kryerje të punimeve jashtë çdo standardi.
Problem tjetër është nisja e punimeve pa u kryer procesi i shpronësimeve, me ç’rast pos pronave private, ka problem edhe me bizneset në atë zonë.
Menaxheri i kësaj pike të Al-Petrolit nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, ndërsa numri të cilin ai ka udhëzuar televizionin t’i drejtohet ka qenë i paqasshëm.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë se brenda 10 ditësh do të fillojë të asfaltohet një anë e rrugës, ndërsa ka shtuar se i gjithë projekti do të përfundojë për 40 ditë.