Kelmendi: Enver Hadri ishte informator i UDB-së dhe Sigurimit, Jusuf Gërvalla nuk pranoi të komunikoi me të
Shkruan: Ibrahim Kelmendi
ENVER HADRI
Kur u njohem, pa e pyet rrëfeu për biografi të deriatëhershme. Ishte komunikativ, gojtar, korpulent, i pashëm, thoshin malsoret për ata që kishin paraqitje të hijshme.
Enveri para rreth dy viteve kishte themeluar organizatë. E kishte quajt “Rezistenca Komëtare e Kosovës”. Ka publikuar një fletushkë, të emërtuar “Zani i Kosovës”. Herë e quante organ, herë revistë. Katër numra duhet t’i ketë botuar. Nivel primitiv, drejtshkrimor e përmbajtjesor. Në rreth 20 ekzemplarë. Vetëm sa për t’i kënaq 3-4 bashkëveprimtarë dhe një rreth të ngushtë të emigrantëve, me të cilët i frekuentonte lokalet.
Më vonë e kam marrë vesh, se kur ishte arratis në Shqipëri, si nxenës, e kishi përvetësuar e bind të kthehej, me arsyetim: “më i dobishëm për çështje kombëtare je në Kosovë”. Si çdo të arratisur në Shqipëri, kur e kthente Sigurimi mbrapsht, UDBashët në KSAK-së dhe të Serbisë kishin rast të volitshëm për t’i rekrutuar, nëse i vlerësonin për të dobishëm. Ai duhet të ketë qenë momenti kur UDB-ja e ka rekrutuar Enverin (nëse jo përpara se të arratisej në Shqipër, me mision). Nëjse, biografinë e vërtet të Enverit, nuk e kam ditë atëherë, nuk e di as tani, por e di që e kemi pas diskualifikuar si “informator” të dyfishtë: i Sigurimit dhe i UDB-së.
Në vitin 1981 ia mora inat ekstra për intervistën që i pat dhanë gazetës më të madhe belge, me ç’rast, pos tjerave, kishte shkretuar se për ta bërë Kosovën Republikë gëzojmë përkrahjen edhe të KGB-së sovjetike (siç quhet atëherë shërbimi famoz i PRSS-së). Atë intervistë e kam pas keqkuptuar si të porositur nga Beogradi, që Stane Dollanc, në konferencën e parë për shtyp për rrebelim në Kosovë në mars 1981, pat spekuluar: “në trazirat kundërrevolucionare në Kosovë kishin gisht edhe KGB-ja.” Në Pyetje të gazetarëve nëse kishte argumente, Dollanc pat ofruar si burim intervistën e Enver Hadrit.
Jusuf Gërvalla, edhe pse Enverin e kishte bashkëshkollar në Gjimnaz të Pejës dhe nuk kishte pranuar as të komunikonte me letërkëmbim, edhe pse ia pata përcjell lutjen e Enver Hadrit për ta pranuar në vizitë, vetëm një herë i ka bërë një diskualifikim kuturu Enverit, në letrën që ia ka dërguar udhëheqësit të tij, Sabri Novosellës, më 14 janar 1982: “Enver Hadri, për sa jam i informuar, i takon gjoja një partie komuniste, por me orientim prorus.”
Në demonstratën e parë, të mbajtur në Bruksel më 13 qershor 1981, u befasova kur e pash Enver Hadrin pjesëmarrës. Reshat Sahitaj, i cili prezantohej bashkëveprimtar i Enverit, bashkë me pak veta, ishin shkuar në Paris. Reshati kishte thirrë demonstratë në Paris, për të njëjtën ditë, me shpresë se do ta sabotonte pjesëmarrjen e imigracionit të Belgjikës në demonstratën tonë. Prandaj pjesëmarrjen e Enverit në demonstratë tonë e pata dyshuar si angazhim diversionist – që ai t’u fliste gazetarëve belg si zëdhënës demonstrate. Prandaj, qysh në fillim e kushtëzuam pjesëmarrjen e tij, duke e sqarua: “Gjithë kohën do ecësh krah preshevarit Hasan Kadria. Kur do të drejtohet ndonjë gazetar belg, u thuaj se Zotëri Kadria është zëdhënës i demonstratës.” U dakordua. Demonstrata ishte e suksesshme, meqë pjesëmarrja qe e madhe, nuk pati asnjë incident, edhe pse paraprakisht ishin bërë publike kërcënimet: “do rrjedh gjak deri në gu, po guxuan kuqaloshët e Enver Hoxhës të demonstrojnë në Bruksel!”.
Në dhjetor të vitit 1982, pasi Xhafer Shatri na u penetrua si kryeshef organizativ, u befasova kur u informova se ai kishte marrë vendim “në emër të kryesisë” së Lëvizjes (ku isha edhe unë anëtar), për formim të Komitetit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Enver Hadrin e kishte emëruar kryetar.
Aty e tutje u përcaktuam ta furnizonim me informacion dhe ta ndihmonim financiarisht për të shumëzuar ndonjë shkresë apo material, që i bënte me rrallë se njëherë në vit, siç bëja humor me Enverin kur e takoja për konsultime. Kjo mënyrë e bashkëpunimit nuk u pëlqente bashkëveprimtarëve në Belgjikë, të cilët ishin të organizuar në Lëvizje, meqë ata e njihnin Enverin cili ishte, por u detyruat të taktizonim, për shkak të “koplihanës” që na e pat kurdis Xhafer Shatri.
Për demonstratën pasuese Xhafer Shatri e kishte ngarkuar Enver Hadrin ta merrte lejen në polici të Brukselit. Enveri e kishte angazhuar një kuadër të parisë komuniste belge (ia kam harruar emrin origjinal), që ta bënte kërkesës për demonstratën e Lëvizjes. Ajo parti ishte e përfolur se financohej nga Bashkimi Sovjetik për ta propaganduar politikën dhe secializmin sovjetik në Belgjikë. Këtë lloj komploti nuk e dinim, deri të premten në mbrëmje, kur në banesë të Reshat Sahitajt u takuam. Merrnin pjesë edhe Enver Hadri, ndërsa mua më shoqëronin Ernest Jurtsever (ish mitrovicas, i shpërngulur në Turqi, i emigruar në Belgjikë) dhe Smajl Vatansever (uçali, i shpërngulur në Turqi, i emigruar në Belgjikë). Fillimisht u grindem panevojshëm për dramën e Jusuf Gërvallës “Procesi”, sepse Reshati na fajësonte se po sabotohej për ta vënë në skenë apo pët ta xhiruar (i kam harruar detajet). E përmenda, prë të bërë pak humor, sepse Smajli, i lindur në Uçë të istogut, i barkut Haxhijaj, pat reaguar: “Rixheja e Allahu, mos hani bre për ni dramë, se po ua fali timin, edhe pse është pak e vjetër.” Pra, Smajli e kuptoj se po grindeshim për automobil, meqë në anën e tyre i thoshin dramë. Në përmbyllje të ndejes e luta Enverin të ma jepte një kopje e miratimit që kishte lëshuar policia. Zuri të belbëzonte se e kishte në shtëpi. Meqë nuk i zura besë, ia grabita çantën nga prehri dhe e gjeta dokumentin. Kur e pamë se nuk e kishte bërë kërkesës vet Enveri, plasi sherri. Tashmë ishte vonë për ta anuluar mbajtjen e demonstratës, sepse nga largësitë e mëdha ishin nis bashkatdhetarët me atobusa (atëherë nuk kishim Facebook).
Pasi u shpërndamë, goxha të armiqësuar, në mesantë pat ndodh edhe një tentimvrasje, siç thuhet në zhargon juridik, meqë dikush i kishte rënë zilës së banesës së Muharr Berishës dhe kishte shtënë me revole, por për fat nuk e kishte qëlluar. E heshtëm që të mos krijonim panik.
Demonstratën e kaluam më mirë se sa i kishim parakushtet.
Pasi Parlamenti Europian i BE-së miratoi rezolutën e parë për Kosovën, Enver Hadri shpërdori rastin për të mbledh ndihma financiare, duke mashtruar se kishte bërë shpënzime të mëdha për lobim (korruptim) të parlamentarëve. Këshilli Popullor i Lëvizjes në Bruksel (kështu e quanim organizimin bazik të Lëvizjes, e cila vetëm popullore nuk ishte) më thirrën të shkoj për ta pleqëruar, nëse duhej të angazhoheshin në atë aksion për Enverin. E thirrem edhe Enverin të ishte pjesëmarrës. Tubimin e mbajtëm në sallë të Shoqatës “Idriz Serferi”. Qysh në fillim ia përplasa arrogancën time Enverit: “E para, mos e shpërdor rezolutën për përfitim personal financiar, se nuk ke pas fare njohuri, kur dhe kush e ka iniciuar, por vetëm e ke dëgjuar në lajme si gjithë bashkatdhetarët tjerë. E dyta, ti po e rrezikon veten duke bërë kësi dezinformomi, sepse çetnikët serbë në Bruksel dhe ndonjë marionetë e UDB-së të besojnë. E treta, nëse do të kishte qenë e vërtetë se ke shpënzuar, do të duhej të heshtesh, për t’mos ia zbeh vlerën Rezolutës…” Në prani të tij u vendos, anëtarët e Lëvizjes as nuk do të japin të holla vet, as nuk do angazhohen për të grumbulluar, meqë atë aksion të Enverit e diskualifikuam si mashtrim për qëllime përfituese.
Kur ndodhi vrasja, më 25 shurt 1990, u mobilizuam t’i bënim varrim me pjesëmarrje sa më të madhe, sepse e denoncuam vrasjen si politike, edhe pse nuk kishim informacion të saktë. Pra, prioritet kishte shfrytëzimi i vrasjes për diskreditim politik të Jugosllavisë, e jo për ta nderuar Enverin, meqë “krahu ynë” nuk kishte respekt për te. Diçka të ngjashme pata broçkullis edhe në tubimin komomerativ, i mbajtur në Hotel Sheraton, kur më befasuan me thirrje të emrit tim për të fol, edhe pse nuk më kishin pyet paraprakisht. Jam penduar pastaj, por fjalët që nuk t’i mbajnë dhëmbët, i përhapin ata që të bëjnë luftë politike.
Digresion:
Pata bërë një bisedë me ish-kryeshifin e Drejtorisë së 5-të (për emigracion), të SDB (UDB) të KSAK-së, Shefqet Hashinin (nga Grema e Feirizajit). Ai në fund të vitit 1977 qe emëruar Sekretar i parë në Ambasadën e RSFJ-së në gjermani Perëndimore. Nuk e pata paralajmëruar se po inçizoja me diktafon digjital. Pastaj e tumiri atë inçizim dhe me tha të publikoja çfarë të doja. Ndër të tjera rrëfeu: “Në vitin 1996 na pat ftuar Mahmut Bakalli disa miqë të tij, në një gosti në shtëpi të motres së tij, në Bruksel. Në një moment ka cingërrua zilja. Motra e Mahmutit sjell një njoftim. Tha, e solli Gani Azemi, duk e shpreh dëshirën e tij për pjesëmarrje të Mahmutit në tubim përkujtimor për Enver Hadrin. Mahmuti reagojë: ‘Uhhh (…), edhe këtu nuk po na le rahat!’ E preka me brryl. Mahmuti m’u gërmua: ‘Ishe pikërisht ti që më pate lut për ndërhyrjen time në Beograd, të mos na e kalonin Enver Hadrin t’i paguhej rroga nga buxheti jonë, kur ndodhi pavarësimi autonom edhe i UDB-së së Kosovës?!’” (perifrazime)
Fatkeqësisht edhe tani jam i bindur se Enver Hadri ishte spiun i dyfishtë – i Sigurimit dhe UDB-së dhe vrasja e tij ka qenë gabim “teknik” i UDBashëve që duhet t’i kenë besuar Enverit se ai ishte më meritori për Rezolutën e Parlamentit Europian.
Dekadencë primitive: edhe Enver Hadri është shpall hero nga presidenti i UNMIK-istanit dhe i është ngrit bust në Pejë, pavarësisht faktit që ishte marionetë edhe e shërbimeve të Serbisë (dhe Sigurimit), vetëm pse gabimisht e kanë vra kolegët e tij (me të cilët ka pas takim një ditë para vrasjes)!
Nëse dikush ka prova për të më bind ndryshe, do i mirëpres e do t’u gëxohem, duke i kërkuar falje post mortuam Enverit të ndier.
[vijon / tekst pa korrekturë drejtshkrimor.]***