Epilogu

Kelmendi: Sabri Novosella ishte marionetë e kryeUDBashit Ibush Kllokoqi, Gërvalla i komplotuar nga Novosella

Shkruan: Ibrahim Kelmendi

JUSUF GËRVALLA – I KOMPLOTUAR NGA SABRI NOVOSELLA?

Fatkeqësisht pothuajse askush nuk ka hulumtuar, pse dhe si është komplotuar e shpërdoruar Jusuf Gërvalla nga Sabri Novosella. Bile as shokët dhe miqtë e Jusufit, që herë pas here edhe krekosen se e kishin mik, shok, bashkëveprimtar, nuk janë marrë e nuk po merren me këtë tematikë tragjike.

Letra e parë që Jusuf Gërvalla ia ka dërguar Sabri Novosellës në Turqi, – pas 14 muajve të ndërprerjes së komunikimit e të bashkëpunimit mes tyre, – do të duhej të shqetëson këdo, jo vetëm miqtë, shokët e bashkëveprimtarët e Jusufit. Bile, nuk kanë ofruar sqarime as Avdyli dhe Suzana, vëllau dhe bashkëshortja e Jusufit, për të cilët Jusufi informon se ishin të pranishëm natën e 14 dhjetorit 1979. Ndërsa Premtoni, Djali i madh i Jusufit, ishte vetëm 12 vjeçar dhe mbase nuk i ka përjetuar këto zhvillime tragjike të Jusufit. Por, meqë ka studiuar historinë, do të duhej të kishte ekstra interes edhe profesional, por edhe sepse e kishte Baba, të hulumtonte raportet që kanë pas mes tyre Sabri Novosella dhe Jusufi.

Në ndërkohë kanë dalë dëshmi se Sabri Novosella ishte marionetë e kryeUDBashit Ibush Kllokoqi, prandaj e kanë sajuar organizatën LNÇKVSHJ, për të viktimizuar deri edhe Jusuf Gërvallën.

Besoj, të gjithë duhet të kenë vetëm një “arsye” për heshtje dhe mosangazhimin e tyre, PSE nuk hulumtojnë e analizojnë “bashkëveprimtarinë” e Sabri Novosellës me Jusuf Gërvallës: ndihen të zënë ngushtë nga frika se mos po denigrohet Jusuf Gërvalla. Pra, ata nuk e kanë parasysh faktin se jo vetëm Jusuf Gërvalla, por edhe shumë tjerë janë shpërdoruar nga komplotet e kundrove të UDB-së, të cilët kamufloheshin si Sabri Novosella…

Nga momenti kur Sabri Novosellës ia pata shpreh dyshimin se më 14 dhjetor 1979 Jusufit nuk duhet t’i ketë telefonuar hetuesi nga UDB-ja e Pejës (meqë në mengjesin e 14 dhjetorit 1979 e kishin burgos Hysen Gërvallën), siç ka besuar Jusufi, por vet Sabriu, fatkeqësisht Sabriu e pat ndërpre komunikimin që po bënim – për ta sqaruar atë tragjedi – duke më bllokuar të mos vazhdojmë me qenë miq në FB.

[Unë kam bërë hulumtime e analiza dhe i kam përmbledh në librin tim, të titulluar “gjurmë dhe fërkem”. Deri tani nuk di nëse ka bërë dikush ndonjë kontestim serioz. Fatkeqësisht mediat nuk kanë informuar për këtë libër, sepse gjithandej mbretëron dilema, nëse merren me këtë tematikë tragjike, mos po e komprometojnë Personalitetin e Jusuf Gërvallës.]

(ibrahim Kelmendi)

JUSUF GËRVALLA:

“I dashuri shok, Bashkim!

Letrën tënde ( një fjalë apo një shenjë sado të vogël) e kam pritur si qorri sytë. Siç do të shohësh pak më poshtë, ajo ka për mua një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, bile rëndësi jetësore.

Muajt e parë të arratisë sime u merakosa për efikasitetin e Organizatës sonë.

Unë, në bazë të bisedave në takimet tona, e dija që organizata ka për detyrë dhe është e zoja të marrë kontakt me anëtarët e vet edhe në rrethanat më të vështira, siç është burgu. Nga ana tjetër, megjithëqë vështirësitë për të marrë kontakt me mua, duke u nisur nga karakteri i hapët i kufirit jugosllav me Perëndimin, i konsideroja vështirësi relative, …për disa muaj rresht s’më vinte fjalë as zë. Dhe gjendja e tillë, e cila më jepte dorë ta gjykoja Organizatën, do të vazhdonte deri më sot, sikur ndërkohë unë vetë të mos e bëja një ligësi të kobshme. Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mbase natën që do të jesh arratisur ti, mua më morrën në telefon nga UDB – ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi monstruoz, që të tregoja kush është Bashkim Prishtina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë. I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashembullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësishëm: kallëzova shokun! Për të “shpëtuar” fëmijët e vëllait, morra në qafë fëmijët e shokut, fëmijët e vëllait por që nuk na kishte bërë nëna. Dhe në këmbim të kësaj fitova: faqen e zezë dhe barrën e rëndë të ndërgjegjes së ligur si kurrë ndonjëherë në jetë. Atë çast e tutje, jeta edhe ashtu e errët, me strumbullar të vetëm luftën modeste dhe gatshmërinë për flijim në emër të idealit të lartë të lirisë, m’u errësua edhe më. Brerja e rëndë e ndërgjegjes dhe ndjenja e thellë e shkatërrimtare e fajit ndoqën pa mëshirë dhe në çdo hap të gjitha netët dhe ditët e arratisë sime të hidhur, e cila, pas gjestit tim qyqar, e humbi gjithë qëllimin e vet dhe m’u shndërrua në gur të rëndë në zemër.

Menjëherë pas aktit tim të lig, unë, tashmë i “shpërgjumur”, i bëra telefon një shokut tim në Podujevë që të vinte të të lajmëronte për rrezikun. Por, sigurisht ka qenë vonë për gjithçka. Atëhere m’u shfaq një motiv i fuqishëm që për gjestin tim qyqar t’i rrëfehesha shokut të parë që do të takoja. Po shokë nuk kisha. Gjithë natën e gjatë u detyrova t’i shtrohem gjykimit të vëllait të vogël këtu, të shoqes sime dhe, bile, gjykimit të heshtur të djalit tim 12-vjeç, i cili ishte prezent kur ngjau biseda. Më pastaj prisja t’i rrëfehem ndonjërit nga shokët e Organizatës, kur të merrja eventualisht kontaktin e pritur. Ndërkohë dëgjova për arratisjen tënde dhe vendosa që së pari të të rrëfehem ty e pastaj kujt do që e kërkon puna.

Unë pra, shok i dashur, u korita keq. Me “meritën” time, ti tani do të mund të ishe në duart e UDB-së; me po këtë “meritë”, ti u detyrove të dalësh në kurbet, peshën e të cilit e di unë mirë. Të mos të flasim për dëmet që i kam shkaktuar Organizatës, e kështu edhe idealit të lartë të popullit tonë të shumëvuajtur. Prandaj s’më bën zemra të kapem pas fjalës së urtë të popullit, që thotë se duhet të jetë‚ i lumtur ai që u korit një herë, për të mos u koritur më kurrë. Sado që jam i sigurt se ligësia e turpi i tillë nuk do të përsëriten kurrë tek unë pa e ngrënë së pari mishin tim e të fëmijëve të mi.

Tani, fatin tim të mëtejshëm e keni plotësisht në dorë ti dhe shokët. (…)

Untergruppenbach, RFGJ 14 prill 1981”

[Kjo letër është publikuar për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, “Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme”, Tiranë 2010, faqe 256-261, sepse Faridinit ia ka besuar Suzana Gërvalla ruajtjen e arkivit të Jusufit ; pastaj e ka publikuar edhe Xhafer Durmishi, në librin e tij elektronit: VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 229-232.]
Exit mobile version