Gazeta britanike “Daily Star Sunday”, zbulon se ish-shefi i sigurimeve sekrete shqiptare, bosi i torturës Ilir kumbaro i cili ka përfituar azil politik në Britaninë e Madhe nën emrin një kosovari, Shaqa Shatri u ka kushtuar taksapaguesve britanikë plot 100 000 stërlin. Bosi i torturës, i arratisur nga Shqipëria ilegalisht përdrejt Britanisë së Madhe dhe përfitues si azilant politik kërkohet nga drejtësia për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995.
Lajmi ishte publikuar në gazetën britanike, në referim të zhdukjes së Ilir Kumbaros një ditë para seancës gjyqësore në ngarkim të tij në Angli, para afro tri javësh. Policia e Londrës “Scotland Yard” javën e shkuar lëshoi një apel publik për ndjekjen e tij. 58-vjeçari Ilir Kumbaro kërkohet në Shqipëri për rrëmbimin dhe torturimin e tre biznesmenëve, njëri prej të cilëve, Remzi Hoxha, i zhdukur qysh prej rrëmbimit të tij nga shefi i SHIK-ut Ilir Kumbaro në vitin 1995. Gazeta britanike zbulon në faqet e saj se torturuesi i supozuar Ilir Kumbaro fshihet për më se një dekadë në Mbretërinë e Bashkuar, nën një emër të rremë.
Më tej thuhet se Kumbaro, bosi i torturës arriti t’i fshihet mjaft mirë drejtësisë duke pretenduar të jetë një refugjat kosovar, i sulmuar fizikisht nga policia në shtëpi, për shkak të bindjeve politike. Gazeta zbulon rrëfimin e gënjeshtërt të Kumbaros, kur u tha autoriteteve britanike se gjoja ai ishte paralajmëruar të burgosej e vritej nga policia serbe, për shkak të pjesëmarrjes në protesta. Në këtë moment, shteti britanik i dha atij azil politik duke i dhuruar edhe një pasaportë britanike nën emrin e një kosovari, që ende jeton në trevat shqiptare në Kosovë, Shaqa Shatri, identiteti i rremë i Ilir Kumbaros në Angli.
Madje gazeta shkruan se Ilir Kumbaro kishte përfituar edhe një banesë dhe përfitime të tjera në para, për shkak se ishte paraqitur gjoja me depresion duke gënjyer, se kishte frikë për gruan dhe djalin e tij. Ilir Kumbaro rrëfeu se shihte ëndrra të këqija, ku kushëririn e tij dhe miqtë i pa të vdekur përdhe, ndërsa atë e qëlloi policia serbe në Kosovë. Ish-shefi i shërbimeve sekrete shqiptare Ilir Kumbaro ka aplikuar në Mbretërinë e Bashkuar për përfitimin e banesës, pasi mjeku i tij kishte deklaruar me shkrim se Kumbaro ishte “nën një depresion të jashtëzakonshëm”. Ndërkohë, shkruan e përditshmja britanike, një tjetër mjek deponoi se “ëndrrat e këqija ai i sheh pikërisht atëherë kur ndodhet nën pushtetin e depresionit”. Më tej gazeta “Daily Star Sunday”, bën me dije se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Fulham, në vitin 2008, policia britanike gjeti në banesë, një grua me emrin Vjollca, që besuan të ishte bashkëshortja e tij. Madje në Britani Kumbaros i njohin edhe dy djemtë e tij.
Por, ajo që mjekët nuk dinë për këtë “viktimë të pretenduar të torturës”, është se Ilir Kumbaro ishte oficer i lartë i SHIK-ut në Shqipëri, shërbimet famëkeqe që janë nën dyshim, për rrëmbimin, torturimin e Avdyl Loshaj, Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës, i zhdukur sot e kësaj dite. Gazeta shkruan se zoti Hoxha, baba i pesë fëmijëve, është zhdukur pasi u mor në paraburgim dhe nuk është parë askund, që prej vitit 1995. Madje edhe nëse ka mbetur i vdekur nga torturat çnjerëzore, atij nuk i dihet as nam as nishan. Ilir Kumbaro u zbulua një ditë prej ditësh në një moment kur ai u regjistrua për një mjekim duke përdorur emrin e tij të vërtetë. Spiuni shqiptar refuzoi të pranojë para policisë identitetin e tij të vërtetë, duke e kundërshtuar atë. Një burim pranë agjencisë britanike të kufirit tha për gazetën se “Kumbaro është tejet inteligjent, një njeri që përllogarit çdo gjë, duke mashtruar mrekullisht sistemin e drejtësisë me pretendimin se ai është viktimë e torturës dhe se ka nevojë për mbështetjen e Britanisë së Madhe”.
“Ai ishte gjithmonë në rrezik dhe shpëtonte” thotë burimi. Policia britanike këmbënguli duke thënë se është pikërisht serioziteti i tij në mashtrim, që bëjnë që ai të kërkohet.
“Është një mashtrues i profilit të lartë në hetim ndërkombëtar”, thonë burime nga policia, ndërsa bëjnë me dije se i biri i tij, Endrit Kumbaro ka humbur 10.000 £ siguri, vetëm pse babai i tij nuk u paraqit në gjykatë në seancën e fundit. Në shtëpinë e tij “Forest Hill” në juglindje të Londrës, policët takuan një grua, që tha se ishte bashkëshortja e Endri Kumbaros. Ajo bëri me dije se burri i saj ishte në Paris, ndërkohë që vetë ngarkoi valixhet dhe braktisi shtëpinë, bashkë me fëmijën e saj. https://www.shqiperia.com/Bosi-i-torturave-Ilir-Kumbaro-u-kushtoi-britanikeve-100-mije-sterlina.13901/