Epilogu

Këshilltari i kancelarit gjerman dha dorëheqje pasi i quajti “pisa” disa ushtarë, ministri i Kurtit ofendoi veteranët e UÇK-së dhe ende në detyrë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, këto ditë ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të disa deklaratave që i kishte bërë para se të bëhej ministër kundër veteranëve të UÇK-së. Pavarësisht reagimeve të shumta të qytetarëve, Murati është vetëmjaftuar me një kërkimfalje dhe nuk ka dhënë dorëheqje.

Hekuran Murati në një prej postimeve të tij kishte ngritur një paralele, duke i krahasuar veteranët e UÇK-së me mercenarë. Madje, duke shtuar se “tre muaj luftë të një ushtrie guerile dojnë më na dalë shumë ma shtrenjtë se një ushtri e rregullt”, përcjell Demokracia.com.

Sidoqoftë, Murati nuk u shkarkua nga Kurti dhe as nuk dha dorëheqje për këto deklarata fyese, pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga opinioni publik.

Por, kështu nuk kishte vepruar një zyrtar politik gjerman, i cili madje as nuk e mbante një pozitë kaq të rëndësishme sa të Muratit.

Më 2 nëntor të vitit 2001, Michael Steiner, këshilltar i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i kancelarit gjerman të atëhershëm, Gerhard Schroder, kishte fyer tre ushtarë gjermanë të stacionuar në Moskë, përcjell Demokracia.com.

Avioni i Schroder, siç raportonin mediat në atë kohë, u vonua për të mbushur karburant në ditën e fundit të një turneu në Azi, ndërkaq Steiner i kishte quajtur ushtarët “pisa”, duke u kërkuar që t’u shërbenin kaviar gjatë kohës sa prisnin.

Disa ditë pasi skandali i njohur si “afera kaviari” u bë publik, Steiner kishte kërkuar falje dhe më pas kishte dhënë dorëheqje.

Sa i përket deklaratave të Hekuran Muratit, skandali i tij u thellua edhe më shumë pasi që pretendimet e tij për tre muaj luftë në Kosovë janë në përputhje të plotë edhe me narracionin serb, përcjell Demokracia.com.

Njëjtë sikurse Murati pretendon edhe Serbia që lufta në Kosovë ishte tremujore, aq sa zgjaten bombardimet e NATO-s.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti është pyetur nga mediat nëse do ta shkarkonte ministrin Murati, megjithatë ai iu shmang pyetjes direkte.

Vlen të theksohet se më 6 korrik, Partia Socialdemokrate ka thirrur protestë dhe kërkesa kryesore do të jetë shkarkimi i Hekuran Muratit./Demokracia.com/

Exit mobile version