Epilogu

Kimete Berisha “demaskon” Kurtin: Qeveria Kurti ka arritur të mos e mbaj asnjë premtim

Shkruan: Kimete Berisha

100 ditë vetmi

1. Ikja e shqiptarëve nga Kosova ka vazhduar me sukses të plotë. Evropa edhe më tutje ka pranuar që ne të jetojmë dhe të punojmë në Evropë (si qytetarë ilegalë dhe të rendit të dytë), ama jo ta vizitojmë Evropën si shqiptarë të lirë, me viza, për qejf.

2. Papunësia është rritur në 44 për qind. Shumë shqiptarë i kanë humbur vendet e punës.E ata që punojnë në sektorin privat edhe më tutje trajtohen si skllevër të vërtetë. Ndërkohë, ka vazhduar me sukses pasiguria e shqiptarëve në vendet e punës, kanë vazhduar aksidentet në vendet e punës dhe vdekjet.

3. Qeveria e Kosovës ka arritur ta lëpijë plotësisht atë që e ka pështyrë, gjatë kësaj lëpirje ka realizuar me sukses të plotë pagesën e rrymës së serbëve të veriut.Ndërsa rryma që e paguajnë shqiptarët është më e shtrenjta në botë, sepse është kualitet.

4. Për Haki Abazin ‘Marrëveshja e Washingtonit nuk është marrëveshje’, njësoj si per Bajagën që ‘Votka nuk është Raki’.Dialogu, nga vendi i shtatë ka arritur me sukses të renditet në vendin e parë.

5. Albulena Haxhiut i ka lindur ideja që Shqipëria ta padis Serbinë për gjenocid. Kur kanë premtuar se do ta padisin Serbinë për gjenocid, nuk e kanë ditur se ‘nuk munden’..kanë kujtuar se PDK e LDK munden por nuk duan!Albulena mund ta padis Serbinë për gjenocid ndaj familjes Jashari, familjes Berisha, për shfarosje në Krushë të Madhe…pra ministresha mund ta specifikojë gjenocidin në shfarosje të familjeve konkrete…e jo ta huazojë Shqipërinë për nevoja të Vetëvendosjes, duke e ditur mirë se Shqipëria e Edi Ramës-refuzon! Mund ta padis Serbinë për vrasjen e fëmijëve shqiptarë me emër e mbiemër. Për përdhunim dhe për djegien e shkollave e shtëpive..

.6. As Akademia (antishqiptare) e shkencave serbe nuk e ka qarë Serbinë më me sukses sesa Donika Gërvalla, e cila në fjalimin e saj në OKB ka thënë se ‘serbët si viktima të gjenocidit gjerman, nuk do të duhej të bënin edhe vetë gjenocid’. Veç një populli të pafat i ndodh ky fjalim.

7. Arben Vitia ka arritur t’ua heq shqiptarëve maskat dhe ta rrezikojë shëndetin publik. Bota e qytetëruar që i kanë vaksinuar krejt qytetarët e tyre, nuk kanë hequr dorë nga masat kundër pandemisë…E qeveria Kurti e ka mbyllur pandeminë e para në botë, pa e pyetur as Zotin, as të birin, se lëre ti OBSH-në. Ka shumë shqiptarë që kanë arritur të vaksinohen pa pritur në rend. Gjatë vaksinimit ka funksionuar në përpikëri sistemi i njoftësisë! Ministria e Shëndetësisë nuk i ka numëruar rastet me Covid-19 të laboratorëve privat…dhe po, ka spitale private që për nevoja të udhëtarëve në perendim lëshojnë falls teste negative të covidit.

8. Nepotizmi është realizuar në mënyrë krejt transparente.Besnik Bislimi është treguar shembull ideal i familjes! Atij që ia shohin hairin ata familjarë që nuk i ka parë qe 50-të vjet, merre me mend se sa ia shohin hairin ata familjarë që i sheh më shpesh. Ani ata në të cilët dashunohet çifti i tij…

9. Nxënësit parashkollor dhe të gjithë nxënësit janë rrezitur brenda klasave, me tesha n’trup.Shkollat kanë qenë shumë funksionale. Dielli ka arritur të depërtojë në klasa përmes dritareve, falë mungesës së perdeve dhe klimës.Në testin e maturës ka pasur raste të alivanosjes së nxënësve, sepse nuk ka pasur ujë për nxënës, në mënyrë që nxënësit të koncentrohen veç në teste.

10. Arbërie Nagavci ka arritur të shtojë peshë me sukses.

11. Dikush edhe është dashuruar. Ka pasur edhe ndarje.Ka lulëzuar sidomos ‘dashuria platonike’.

12. Qeveria Kurti ka arritur të mos e mbaj asnjë premtim.

P.S. Kryeministri sot është ankuar. Duke e qarë fatin e Vetëvendosjes u ka thënë besimtarëve të tij se po bëhet një fushatë e egër kundër tyre. Në fakt, Vetëvendosja po bën fushatë të egër ndaj nesh, po nejse.’Një idiot është një idiot.Dy idiotë janë dy idiotë.10000 idiotë janë një parti politike’. Ama kështu ka thënë Franz Kafka, e atij nuk i besohet, se ka qenë depresiv.

E kuptoni çka tregon ankesa e kryeministrit për psikën e tij?- Të kesh mbi 50-të për qind të votave dhe të ndjehesh i përndjekur….! – Të jesh ‘i madh’ e të ndjehesh ‘i vogël’!- Të arrish të ‘prishesh’ me sukses me të gjithë ata që të kanë përkrahur – kjo vërtetë kërkon talent të madh!

Exit mobile version