Epilogu

Kimete Berisha “godet” Kurtin: Besimtarëve të ‘zotit të mashtrimit’, u mungon dija

Shkruan: Kimete Berisha

Ju do të paditur!

  1. Zoti i mashtrimit – i ka shëruar komplekset e besimtarëve të tij, kur u ka treguar se Liria i barazon njerëzit.
    Gjithmonë dikush është më i ri se ti, më i bukur se ti, më i gjatë se ti, e ka trupin më seksi se ti, është më sharmant dhe më me fat se ti, është më gojëtar se ti dhe më i dijshëm se ti.
    Prandaj, duke e ditur se vuajtja shumëzohet më kollaj se lumturia, besimtarët e shumtë, të mërzitur nga ‘pabarazia’ e përhershme janë bindur nga Albin Kurti se të gjithë njerëzit janë të barabartë në të gjitha aspektet, edhe në dije, edhe në talent, edhe me…gjithçka.

    Askush nuk është më ‘dikushi’ se Ti!
    Zoti nuk i ka barazuar njerëzit, sepse në natyrë ka krijuar ferrat e shëmtuara që mbijetojnë me qindra vjet në thatësirë, dhe ka krijuar trëndafila të bukur që i shkatërron një erë e lehtë.
    Zoti ka krijuar inferioritet dhe superioritet, fizik më së pari, për ku me ditë çfarë arsye.
    Ka krijuar njerëz të mençur dhe të pamençur, ka krijuar shenja të dhimbshme, që e dallojnë njeriun nga njeriu!
    Dhe, paradoks është se sa më pak i mençur që je, je më i lumtur!
    Dhe sa më shumë i ditur që je, je më i vuajtur.

    Jemi pajtuar të gjithë se nuk mund të jetë e thellë dashuria e njeriut të cekët.
    Nuk mund të jetë inteligjente dashuria e njeriut të paditur.
    Por, atë që nuk e ka bërë Zoti i gjithësisë, e ka bërë ‘zoti i mashtrimit’, i ka bindur shqiptarët në përgjithësi (e të diasporës në veçanti) se të gjithë njerëzit janë të uniformuar, të njejtë, të barabartë, në të gjitha aspektet.
    Unë jam shumë kurrshtare. Më ka ndodhur të mbyllem në dhomë nga dy javë, derisa baba vinte e çelte derën dhe më qortonte:
    Çu dil nga dhoma në dritë se gabim je…
    Edhe isha gabim, duke u munduar ta bëjë dallimin ‘a më mirë e ka pasur Hegeli a Marksi,
    Turgenjevi a Dostojevski,
    Flora Brovina a Hida Halimi,
    Teki Dërvishi a Ismail Kadare,
    Ismail Qemaili që s’i ka kërkuar eshtrat e Isa Boletinit, apo Luigj Gurakuqi..
    Nuk e di!
    Dhe, ti tash e sheh një grua që dikur është kënaqur në jetë kur t’i je mbyllur në lexim, kah të përshkruan me lehtësi të shfrenuar me fjalët më të pista që ia ka mësuar Kryeministri.
    Unë shoh sidomos gra që kurrë në jetë një libër s’e kanë lexuar, që s’dinë të shkruajnë shqip, por prezantojnë opinione të errëta kundër teje me kompetencën më të madhe, sepse Albini i ka mësuar se Libri e Leximi nuk të barazojnë me njerëz, por të barazon Liria dhe Albin Kurti me një ‘vendim’,
    të barazon fakti se ti je shqiptar dhe je i vuajtur!
    Shqiptari i lumtur – është shqiptar i keq.
    Shqiptari i vuajtur – është shqiptar i mirë.
    Kjo është filozofia e ‘zotit të mashtrimit’!
    Lumturia është kotësi.
    Vuajtja është vlerë.
    Vuajtja nuk është vlerë!
    Vlerë është vetëm nëse vuajtjen e shndërron në poezi,
    vajtimin në këngë
    dhe mërzinë në komedi!
    Të përvajturit e Albin Kurtin vuajtjen e shndërrojnë në shamje, kritikën në kërcënim, pakënaqësinë në hakmarrje.
    Drejtësia i barazon njerëzit, por Dija i dallon!
    Ti nuk mund të jesh i ditur me urdhërin e Albin Kurtit!
    As nuk mund të jesh i ditur për inat të të diturve, sidomos ju që pretendoni të bëheni të ditur duke pështyrë dijen e dikujt tjetër me fjalë të ndyra dhe ordinere.
    Ti ke të drejt të dish, askush nuk ta ndalon të jesh i ditur, por ti nuk di, sepse nuk ke lexuar!
    Dija mbledhet me lexim, jo me paragjykime e me thashetheme!
    Dija i dallon njerëzit, mençuria i bashkon.
    Se ti, po, mund të jesh i mençur edhe pa
    lexuar asgjë, ama për të qenë i ditur duhet të lexosh.
    Mençuria nuk të bën të ditur!
    Besimtarëve të ‘zotit të mashtrimit’, u mungon dija, sepse dija është proces shumë i gjatë,
    nuk bëhesh i ditur brenda natës, me t’njofshëm, me diplomë, me pozitë, nuk bëhesh i ditur duke e ndjekur verbërisht ‘zotin tënd’ që nuk të mëson të mësosh, por të mēson ta ndjekësh atë verbërisht;
    nuk të mëson të mësosh, sepse Ai mendon se mjafton që ai të dijë edhe për juve, ju vetëm duhet të keni vullnet të mjaftueshëm për t’i sharë dhe kërcënuar atyre që guxon t’u shkojë mendja t’i afrohen ‘me dije’ zotit tuaj, i cili, pra, ju do të paditur!
    Por si të paditur që jeni, ju nuk e njihni dijen, ju e njhni vetëm ‘të diturin’ që ju ka mashtruar se jeni të barabartë, vetvetiu, pa u lodhur e pa u munduar!
    Nuk jeni të barabartë.
    Politika komuniste e majtiste nuk ju barazon në dije, ju barazon vetëm me bukë e me vitra.
    Albin Kurti i ka mësuar njerëzit e tij të jenë të bindur dhe të mos pretendojnë të bëhen si ai!
    Albin Kurti i ka mësuar ndjekësit e tij ta urrejnë pasurinë dhe pasanikun.
    I ka mësuar të dyshojnë në kategorinë e së mirës dhe të bëjnë pyetje metafizike.
    Ta pyesin pasanikun ‘Pse ti ke pare, e unë s’kam’!
    E jo ta pyesin veten ‘Pse unë s’kam pare’! A më bën mua varfëria ime njeri të mirë’!
    Ta pyesin udhëtarin ‘Pse ti udheton e unë jo’, në vend se ta pyesin veten ‘Pse unë s’jam i zoti të udhëtojë’;
    Ta pyesin dijetarin ‘Pse ti di, e unë jo’! Nē vend se ta pyesin veten ‘Pse unë nuk kam nevojë të di, por kam nevojë ta rrënojë dijen e tjetrit’.
    ‘Pse ti je i lumtur e unë jo’, në vend se ta pyesin veten ‘Çka është lumturia?
    A thua a shkruan dikund çka është ‘ajo’?
    A vjen prej s’jashti a prej s’brendshmi’!’
    Etcetera!
    (Fjali e shkruar këtu për këtu, papritur:
    Nëse Distria Krasniqi sot si fituese e olimpiadës do ta thoshte vetëm një fjalë të vogël kundër politikës së Albin Kurtit ndaj sportit për shembull, paramilitarët e tij
    ( të papunë por të barabartë me punëtorët; të paditur por të barabartë me të diturit),
    do t’ia degradonin e t’ia shpallnin të pavlerë Medaljen e saj.
    ‘Zoti i mashtrimit’ e ka pasur emrin Dolos dhe ka qenë grek. Shoqja e tij mashtruese Apate-ja, perendesha e mashtrimit ka qenë edhe më e rrezikshme se ky.
    Se ajo s’ka pasur nevojë si Albini të konsiderohet ‘e shenjë’!
    Ajo ka qenë materialiste si Vjosa dhe si Marksi!
    Kurse Albini është majtist por ka qejf ta marrin për idealist si Hegelin, por luksi të cilin po e provon, nuk po e prish idealin…sepse pa të dhimbt shpirti ti harron që e ke shpirtin me vete!
    Kushdo që e ka lexuar letërsinë japoneze (që mua më pëlqen më së shumti) e di se kur japonezët nuk e kishin gjuhën e tyre, e huazonin gjuhën kineze për ta shkruar kulturën japoneze!
    Janë do shqiptarë si lule Aloe vera, sa më shumë i do, i vadit, u flet dhe i lëmon- veniten. Sa më shumë që e injoron Aloe veren rritet.
    E kam provuar vet!
    P.S. Frymëzuar nga filmi ‘Septembers of Shiriaz’, propozuar ta shikoj nga një shoqe e imja e mirë.
Exit mobile version