Një nga akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Hagës për kupolën e UÇK-së është për vrasjet politike mes veti. I ftuar në studion e “ABC”-së përballë gazetarit Endri Xhafo për të diskutuar për këtë çështje ishte ish-shefi i SHIK-ut në periudhën e luftës, Fatos Klosi. I pyetur nëse ka pasur tensione mes dy grupimeve të armatosura mes FARK-ut (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) dhe UÇK-së, Klosi e mohoi kategorikisht.
“JO! Unë e di që kanë bashkëpunuar. FARK-u ishte më i pasur me para. FARK-u i ka dhënë lekë UÇK-së dhe ata e kanë pranuar, që kanë marrë para. Nuk kishte arsye për përplasje. FARK-u kishte një ushtri me oficerë, por pa ushtarë” tha ai.
Ish-shefi i SHIK-ut u shpreh se FARK-u më shumë probleme i hapi Shqipërisë. “FARK-u më shumë na krijonte probleme ne, se dilnin hapur në Tiranë, Durrës dhe Kavajë se kishin tre qendra, dhe donin të demonstronin se “jemi edhe ne”. Ishin të veshur me uniformat e UÇK-së, se ata nuk kishin uniformë të tyre dhe shpesh ngatërroheshin me UÇK. Ekspozoheshin shumë dhe kjo nuk na pëlqente. FARK-u ishte vetëm jashtë Kosovës, kurse UÇK lindi në Kosovë dhe ishte edhe jashtë saj” tha ai.
Por me cilin krah politik ishin më afër në Shqipëri dhe përse? Grupimet e armatosura të Kosovës u ndanë sipas përkatësive politike, FARK me PD dhe UÇK me PS. “Më afër ishin me PD-në, pasi gjatë kohës që ishte president Berisha nga ’92-’97, janë stërvitur në Shqipëri në Elbasan grupe të FARK-ut.
Me ardhjen e PS-së më shumë u lidhën marrëdhëniet me UÇK-n për këtë kam qenë unë dëshmitar, ndërmjetës, që të futej në luftë, nëse e konsideronte veten ushtri, po luftohej atje dhe jo këtu, nuk e bënë. Ata (FARK) merrnin rroga goxha të mira, u pëlqente të rrinin këtu” tha ai.
Gazetari Endri Xhafo e pyeti Klosin nëse ka pasur forca të FARK-ut në protestën e dhunshme pas vrasjes së Azem Hajdarit, ndërsa ish-kreu i SHIK-ut u përgjigj kështu: “Ishte më shumë se protestë. Por FARK-u ka pasur njerëz me uniforma të këtij FARK-ut nëpër reparte rrotull Tiranës që nuk duruan dot dhe dolën, mirë do të ishte të mos kishin dalë. Patëm edhe debate më vonë”.
Në vijim, ai rrëfen edhe kërkesën që i bëri FARK-ut. “Ne u kemi kërkuar të mos dalin, që të mos bien në sy, se ka të drejtë Serbia, që të thotë se luftëtarët që po luftojnë atje po përgatiten në Tiranë. Të gjithë oficerët e FARK-ut ishin oficerë karriere, të ushtrisë jugosllave që me fillimin e luftës në Kosovë e ndjenin që nuk mund të rrinin në ushtrinë serbe”.
Një tjetër krim i pazbardhur është vrasja e Ahmet Krasniqit. “Asnjëherë nuk e kemi marr vesh kush e vrau Ahmet Krasniqin. Nuk e kemi quajtur figurë aq të lartë. Ishin njerëz që merrnin një rrogë goxha. Ai (Ahmet Krasniqi) banonte në shtëpinë e një punonjësi të SHIK-ut, na u nxeh edhe ai pse nuk e ruajtëm më mirë, por kush e mendonte, ata ishin me dhjetra në Tiranë”.
Por a do të ketë një mundësi që të hidhet dritë për vrasjet e prezmuara politike në Kosovë? “Në Kosovë janë me qindra gjyqe hapur. Nuk e kanë lënë kosovarët. Të gjitha situatat e vështira, vrasje, rrëmbime, familjarët e tyre kanë hapur gjyqe në Kosovë dhe gjykata janë marrë me këtë punë dhe nuk është kollajshme në situata lufte. Vrasja e ministrit ndodhi duke hyrë në shtëpi në rrugicën e shtëpisë, i gjuajtën, ikën u zhdukën, nuk kishte asnjë të dhënë që ai ishte i rrezikuar.
As mbrapa nuk doli asnjë e dhënë, as nga FARK-u, as nga UÇK-ja. Duhet të kërkosh llogari që ti gjesh ata dhe të thuash “po deshën ta mbyllnin, prandaj nuk na e thanë”, nuk dinim kujt t’ia kërkonim këtë llogari. Erdhi puna që kur nuk gjenden thuhet shpesh “është dora e serbëve” ndërkohë doli një palë tjetër dhe tha “ai i serbëve ishte”.
Javën e fundit ka pasur një shkëmbim të fortë replikash mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha lidhur me votimin e rezolutës së Dick Marty që inkriminonte UÇK. Bëhet fjalë për votën pro që dha deputeti i PD-së Ilir Rusmaili pro rezolutës së asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, ndërsa dy deputetët Damian Gjiknuri dhe Shpëtim Idrizi nga PS-ja votuan kundër.
“Është për të ardhur keq që nuk u votua të gjithë njëzëri, që në marrëdhënie kaq të rëndësishme me Europën me botën, nuk jemi në unison” u shpreh Klosi. Por si duhet të kishim votuar? “Unë do të votoja kundër. E kam ndjekur luftën nga afër dhe di më shumë nga ata. Unë që kam qenë afër kësaj lufte do të votoja kundër, pasi akuzat e Dick Martyn, janë shumë të rënda” tha ai./ db/Abcnews.al