Epilogu

“Kobra” tregon si e vranë komandantin serb në Koshare, si u koordinuan me Agim Ramadanin

Naser Vllasi, i njohur si komandant “Kobra”, gjatë betejës së Koshares, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka rrëfyer detaje interesante nga lufta në Kosovë.

Vllasi ka thënë se në ditën kritike të 11 prillit të vitit 1999, njëri nga zëvendëskomandantët nga vija e parë e frontit i kërkon ndihmë Agim Ramadanit.

“Agim Ramadanit i thonë se jemi në pozitë shumë të vështirë, do të na shfarosin të gjithëve. Agimi në atë moment thotë se të kthehemi ne dhe t’u ofrojmë ndihmë”.

“Kobra” thotë se ai nuk ishte fort dakord më këtë ide dhe ia propozoi një ide alternativë Agim Ramadanit.

“Unë thashë se duhet të japim koordinatat shpejt dhe të godasim, ndoshta do të ndikon psikologjikisht te armiku, dhe forcat që po sulmojnë pozicionet tona ndoshta do të tërhiqen. Agimi më tha “jo se dita është e gjatë”. Agimi pastaj më tha nëse ta merr mendja shko me “Kobrat” asgjëso mortajat në Oplas”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai rrëfen më tej se në zbatim të urdhrit të Agimit,  gjatë luftimeve kanë vrarë një komandant të ushtrisë serbe.“Ne kemi pasur leje të hapim zjarr pa urdhër të zinxhirit komandues, vetëm nëse vërejmë se është komandant i ushtrisë serbe. Për fat të mirë tonin ne i dëgjonim duke biseduar sepse kishim pisha para dhe nuk mund të vëreheshin. Komandanti i tyre del në livadh dhe Fadil Maloku sapo e vëren gjuan mbi të dhe e vret. Ishte pa armë dhe kapelën e kishte në krah. Fadili nga frika se mos nuk e ka vrarë ka vazhduar të shtie mbi të”, tregon më tej Naser Vllasi./Telegrafi/

Exit mobile version