Epilogu

Kodra sfidon Sveçlën, edhe pse i shkarkuar ia mësynë zyrës – Policia në vendin e ngjarjes

Fadil Kodra, i cili u shkarkua nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po e sfidon këtë të fundit, duke ia mësyrë sërish zyrës që kishte në këtë institucion, pavarësisht vendimit për lirim nga detyra, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit brenda MPB-së, të cilat kanë njoftuar se Kodra është paraqitur sot te objekti i AME-së, duke tentuar që të futet në zyrën e tij, të cilës paraprakisht nga institucioni i ishte ndërruar cilindri i derës.

Në pamundësi për të hyrë brenda zyrës, me pretendimin se dikush kundërligjshëm ka bërë ndërrimin e cilindrit të derës, ai ka njoftuar Policinë e Kosovës.  

Burimet nga MPB thonë se tashmë një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, te zyrat e AME-së, ku ndodhet edhe Kodra dhe ende nuk dihen veprimet që do të merren.

Siç rezulton deri më tani, Kodra nuk po e përfill vendimin e Sveçlës, të cilin po e akuzon për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, për çka ka dorëzuar kallëzim penal ndaj tij.

Edhe pse Kodra është në proces të ankimimit për vendimin e shkarkimit, Agjencia akoma nuk ka pranuar vendim nga ndonjë instancë lidhur me këtë çështje.

Kallëzimi penal i Kodrës kundër Sveçlës

Në kallëzimin penal të datës 22 korrik 2022, Kodra po e akuzon Sveçlën se ia cenoi të drejtat duke e hequr krejt nga pozita e zyrtarit publik.

Sipas tij, dëmi që e ka shkaktuar Sveçla tejkalon shumën e 5 mijë eurove dhe thotë se ajo që ka bërë ministri i rendit është e dënueshme me gjobë dhe burgim prej 3 deri në 10 vjet burgim.

“Personi i kallezuar, në cilësi të personit zyrtar, përkatesisht si titullar i institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundershtim me autorizimet e tij ligjore dhe legjislacionin në fuqi, ka nxjerrë Vendimin nr. 0529/2022, të datës 14.07.2022, permes të cilit, ka shfuqizuar Vendimin nr. 107/2015, të datës 13.03.2015, edhe pse në rrethanat e rastit konkret, vendimi i shfuqizuar nuk është prej vitesh në fuqi, pasi qe i njëjti është shfuqizuar ipso-jure (automatikisht) me rastin e emerimit të z. Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshem të AME-se, me Vendimin nr. 02/25 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.01.2018.

Nderkaq, me date 14.07.2022, Ministri z. Svecla ka nxjerrë Vendimin nr. 0530/2022, përmes të cilit, ka caktuar Zëvendës Drejtorin e Përgjithshem të AME-së, z. Shefki Abdullahu, në pozitën e Drejtorit të Përgjithshem të AME-së, deri ne plotesimin e kesaj pozite sipas legjislacionit përkatës në fuqi, vendim i cili cënon në menyre direkte marrëdhenien e punës së z. Kodra, rrjedhimisht ndërpret marrëdhenien e punes së tij, si Drejtor i Përgjithshem i AME-së, nga njera anë, si dhe po ashtu si zyrtar publik, nga ana tjetër.

Prandaj, në rrethanat e rastit konkret, ministri ka mbivendosur ne raport me qeverinë, kur e ka shperfilluar zbatimin e Vendimit nr. 02/25 të Qeverisë së Republikës së Kosoves të datës 22.01.2018, mbi bazen e te cilit ankuesi është emeruar Drejtor i Pergjithshem i AME-së pas një procedure standarde ligjore rekrutimi me mandat ligjor prej pese pesë (5) vitesh”.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja.

/GazetaSinjali/

Exit mobile version