Epilogu

Kolonel Hysen Ymeri: Si stërvitëm për luftë trimin Adem Jashari dhe djemtë e tjerë të Kosovës

Ushtarakët nga Shqipëria në çlirimin e Kosovës

“Me veprime profesionale e të maskuara, kontrollonim çdo veprim të serbëve dhe siguronim evitimin e dëmeve nga bombardimet e forcave tona në front. Në fshatin Xhuxh, rrethuam e neutralizuam 30 ushtarë serbë”

Forcat e Batalionit të Zbulimit të ushtrisë shqiptare kanë luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e formacioneve luftarake të UÇK-së përballë forcave serbe, duke grumbulluar informacion të saktë në front e prapavija të armikut si dhe duke ndërhyrë në momente kritike, aty ku serbët nuk e prisnin. Në intervistën në vazhdim, kolonel Hysen Ymeri, komandant i këtij reparti, tregon detaje interesante nga ky mision i rëndësishëm…

Zoti Hysen! Gjatë luftës së UÇK-së e Forcave të NATO-s në Kosovë, një rol të rëndësishëm kanë luajtur forcat e Zbulimit të komanduara nga ju?

-Po. Nuk ishte kryer as një muaj stërvitje, kryesisht nën drejtimin e specialistëve turq, kur me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, në ditët e para të marsit ‘99, batalioni i Zbulimit kaloi në dispozicion të Divizionit të Kukësit, për të kryer detyra zbulimi e pengimi, gjatë luftimeve me forcat serbe, të pozicionuara në kufi në zonën e Hasit.

Kur shkoi në frontin e luftës reparti i drejtuar nga ju?

-Më 7 mars autokolona e batalionit marshoi gjatë natës dhe në orën 10.00 u rreshtua në një shesh përpara Divizionit të Kukësit, ku morëm takim me komandantin e Divizionit, gjeneral Kudusi Lama, të cilit i paraqita forcën. Gjenerali, si në një front lufte, e them kështu sepse ende nuk kishim rreshtim të plotë të forcave nga të dy anët, përshëndeti efektivin dhe kuadrot e batalionit dhe shprehu plot emocion e kënaqësi optimizmin e madh që iu krijua për sigurimin e mbrojtjes, tashmë që në vijën e parë të tij e në brezin kufitar do të vepronte Batalioni i Forcave Speciale të Ushtrisë. Ishte moment përgjegjësie momenti i futjes në luftë reale…

Çfarë ndjetë në ato momente?

-Përgjegjësi, besim në vetvete dhe një solidaritet mes efektivit, të cilin e ‘prek’ vetëm ai që është në frontin e një lufte reale… Me fjalën e tij të pritjes, gjenerali trim, na mbushi me krenari dhe besim në përmbushjen e detyrës luftarake që na ishte ngarkuar. Trimërinë dhe burrërinë e tij e njoha në atë kohë të vështirë, gjatë më se tre muajve, kur serbi vazhdimisht provokoi e goditi me zjarr artilerie. Pa u vonuar më shumë se gjysmë ore autokolona e Batalionit u nis për në vendin e dislokimit të përhershëm, që ishte parashikuar në pjesën tekstuale të urdhrit dhe atë grafike në hartë; konkretisht në jug të fshatit Zogaj, 100 m larg nga posta kufitare dhe jo më tepër se 300 m në vijë ajrore nga transhetë e vijës së parë të vendosjes së forcave serbe.

Cila ishte detyra konkrete e këtij reparti?

-Rajoni i veprimit të forcave të Batalionit Special ishte Qafa e Pacit-Mali i Kralicës dhe në thellësi, Fshati Kepenek. Sipas vijave të daljes së grupeve të batalionit, ky ndërtim i rendimit jepte formën e një rajoni mbrojtjeje, por që përmbajtja e detyrave luftarake të grupeve të batalionit, lëvizshmëria e manovra që parashikohej në veprimin e tyre luftarak taktiko-zbulues, siguronte mbylljen me manovër, me forca e me zjarr të një drejtimi të rëndësishëm taktik, siç qe Mali i Kralicës, ku priteshin kalime të fshehta, provokime e sulme të shkëputura të nënreparteve serbe me efektiva miks (serbe, kroate, ruse e të tjerë). Ky drejtim i vogël taktik, ishte pothuajse i pa mbuluar me forca të këmbësorisë të Divizionit. Detyra e zbuluesve është tepër e vështirë, ata duhet të jenë të padukshëm…

Po forcat serbe ku ishin?

– Jo më shumë se 3-5 km në thellësi të formacioneve të shkëputura serbe ishin diktuar pozicionet e një grupi artilerie, forca diversioniste serbe dhe pozicione obuzash 122 mm, 2-3 km pas Maliçë-Kralicës. Këta obuzë godisin vazhdimisht me zjarr bazën e efektivave të UÇK-s në Helshan, vend dislokimin e batalionit tonë, fshatin e postën kufitare të Zherkës e të Zogajt, si dhe rajonin para postës kufitare veriore të Stoberdës, të cilën e kishin kapur serbët disa ditë përpara se ne të vendoseshim në këtë rajon veprimi. Ditën e parë të daljes së autokolonës sonë për në rajonin e dislokimit, me makinën e parë tip “Iveko”, ku isha unë dhe shefi operativ i batalionit, major Agron Hoxha, kaluam pa marrë kontakt me postën kufitare të Zogajt dhe po të mos ishim orientuar nga një patrullë e kësaj poste, kolona do të kishte rënë në zjarrin e elementeve të vrojtimit të formacioneve të vogla serbe, që ishin pozicionuar disa ditë përpara, në këtë vijë.

Diçka për veprimet tuaja në front?

-Në datat 10, 11 e 12 mars, serbët filluan të lëvizin shumë, të kryenin rikonicione me grupe të vogla oficerësh dhe të përforconin me gurë gjoksmburojet e pozicioneve të vrojtimit e të zjarrit. Kështu dhe dalja në rikonicione për vendosjen e grupeve të Batalionit Special bëhej me masa të rrepta sigurimi, me kërcime e zvarritje, për t’u siguruar nga goditje të shkëputura të snajperëve serbë. Në këto kushte në brezin kufitar edhe dislokimi i batalionit u bë gjatë natës, me masa të rrepta maskimi, ruajtje e sigurimi. Gjatë natës batalioni qëndronte e pushonte njësoj si të ishte në prapavijë të armikut, në bazim, duke zbatuar ato kërkesa e duke ngritur ato elemente ruajtjeje e sigurimi si në bazim: vrojtues të bazës, patrulla rreth saj, armëroje sekrete. Do të ishte turp e skandal nëse forca diversioniste, apo paramilitare serbe, të mund të na kapnin ndonjë oficer a ushtar rob. Këto forca serbe ishin diktuar në afërsi të brezit kufitar, të cilat parapëlqenin dhe do të tundoheshin në çdo moment të kryenin ndonjë kërkim për kapje robi.

Me kë repart tjetër bashkëpunonit?

-Detyra e zbuluesve është specifike… Brenda formacionit të Batalionit Special, përveç patrullave tona kufitare të cilat goditeshin shpesh nga snajperët serb, nuk kishte asnjë forcë tjetër. Do të përmend më vonë se Grupi i Obuzave 122 mm i Brigadës së Këmbësorisë së Krumës dhe aviacioni i Bazës Ajrore të NATO-s në Aviano të Italisë, me kërkesën tonë e të grupit të forcave amerikane “Delta”, që ishte i dislokuar pranë batalionit tonë special (në të njëjtën godinë, në spitalin e rrënuar të Kamit), reaguan për mbështetjen e veprimeve tona, duke bërë të mundur bllokimin e provokimeve serbe ndaj popullatës së fshatrave të brezit kufitar të kësaj zonë si, Zogaj, Kepenek, Zherkë, Xhuxh i Vogël e Xhuxh i madh, Mëhalla e Epërme. Patëm në vazhdim dhe përforcime të tjera në forca e mjete…

Cilët ishin përforcimet dhe nga erdhën?

-Nga fillimi i prillit, erdhën nga Tirana në përforcim një batalion tankesh e një batalion i Brigadës Komando, që u vendosën pranë Qafë Prushit, në pjerrësitë jugore të malit të Sopotit e të malit të Sukut, për të mbuluar drejtimin Qafë Prush-Helshan. Më vonë, në këtë rajon erdhi dhe u vendos në pozicione zjarri edhe një grup artilerie obuzash 122 mm i Brigadës së Rrëshenit… Nisur nga ashpërsimi i luftimeve të pritshme, krahas të tjerave, detyra jonë ishte që të njihnim me detaje dhe vendosjen e  formacioneve luftarake serbe… Me rrezik por me profesionalizëm, ja arritëm dhe kësaj… Ishte situatë lufte, e të rrezikuar ishin dhe banorët… Ju rrëfej një detaj në këtë aspekt…

Cili është ky detaj?

-Kishte bombardime me artileri dhe mbi popullsinë civile… Në hyrje të fshatit Novosej, i zoti i një shtëpie aty afër, më doli përpara dhe nisi të replikonte me mua, si oficer, duke shfaqur ankesa në drejtim të ushtrisë dhe të shtetit. Me një farë mllefi e paragjykimi m’u drejtua me këto fjalë: “Ku është ushtria? Ku janë topat? Ku janë tanket?”. Këmbëngulte. I thashë: ‘Të lutem, shikoji ato kumbullat në oborrin e shtëpisë tënde, se po të më lejosh mua, kolonelit t’i kultivoj e t’i ruaj, ma merr mendja se nga padija ime do të thaheshin brenda dy muajve. Se ku duhet të jenë tanket e topat në këtë situatë, të siguroj se janë atje ku duhet të jenë’. Ai, nuk e dinte(pasi ishin të maskuara), se ishin me dhjetëra forca zbuluese fare pranë, në këmbët tona, deri pak metra dhe vijës së parë të serbëve… Ushtarët serbë futeshin dhe në brendësi të fshatrave… Batalioni i zbulimit rrethoi në një fshat të Hasit një grup ushtarësh serbë…

Ku i rrethuat dhe i neutralizuat ushtarët serbë?

-Në fshatin Xhuxh të Hasit rrethuam 30 serbë. Ishte ora 16:00, kur sapo isha kthyer nga Tirana, në batalion ia behu, duke gulçuar nga vrapi që kish bërë, një fshatar i Mëhallës së Epërme. Na tha tepër i shqetësuar, se serbët po hynin në fshatin e tyre e do të therin njerëzit, burrat e gratë. Shtatë minuta pas kushtrimit që dhashë, reparti u gjend në lëvizje me mjete drejt fshatit në rrezik. Duke pasur parasysh se distanca nga fshati ishte paralel me formacionet serbe që ishin të armatosura me armë snajper, me mitralozë e granatahedhës, një goditje prej tyre, dëmi në njerëz e municione do të ishte i pallogaritshëm. Këtu urdhërova ndërhyrjen me metodat e zbuluesve…

Si ndërhytë?

-Në këtë situatë urdhërova zbritjen nga mjetet të efektivit dhe përparimin në këmbë në formacion para luftimi me kënd nga e djathta, përgjatë transhesë së parë të një batalioni artmitraler, që ishte ndërtuar prej kohësh. Dy kolona të dy grupeve të tjera lëviznin me vrap, duke shfrytëzuar bregun e përroit që e kishte rrjedhën përgjatë xhadesë nën skarpatin e xhadesë. Ndërkohë, llogarita që vrojtuesit serbë do të raportonin nisjen e mjeteve të batalionit dhe do të hiqnin dorë nga hyrja në fshat. Ashtu dhe ndodhi. Formacioni serb, i cili pothuajse kishte zbritur në fshat, u tërhoq dhe me shpejtësi e në panik kaloi nëpërmjet një përroi në anën e të cilit ne u hapëm në formacion luftimi e lëviznim me zvarritje për të hyrë në fshat. Ndërkohë grupi serb prej rreth 30 vetash ishte futur në një tunel e në pritje se çfarë do të ndodhte më tej.

Çfarë ndodhi më tej?

-Ne e ngushtuam rrethimin e grupit serb dhe mund të bënim gjithçka me të, por në këtë situatë, formacioni i mbështetjes së grupit serb nxori në pozicion zjarri, në kreshtën e kodrës, një bateri mortajash 82 mm. Pra me gjuhën e armës më thoshte: “Bjeru atyre që ke rrethuar dhe unë do të godas shtëpitë e fshatit. Në këtë situatë fshatarët na luteshin të bënim një manovër, sikur tërhiqeshim nga fshati dhe serbët menjëherë, do tërhiqeshin ndoshta dhe me kacavjerrje me këmbë e duar, në drejtimin e pozicioneve të tyre. Kështu duhej bërë. Serbi me mortajat jo në pozicione të zakonshme, pra në kreshtë po kërcënonte se do t’u binte shtëpive të fshatit kur e dinim që në secilën shtëpi kishte jo më pak se 15 vetë, atëherë urdhërova largimin e dy tre mjeteve për dalje nga fshati. Serbët, sapo panë lëvizjen e mjeteve në dalje të fshatit, filluan kacavjerrjen në drejtim të pozicioneve të tyre. Ndodhi ajo që planifikuam… Shumë nga oficerët dhe efektivi më nxisnin për sulm me zjarr ndaj serbëve. Sidoqoftë fitoi arsyeja ndaj motivit. Do të ishte shkaktuar një tragjedi…

Exit mobile version