Komandant Hoxha: Si e njoha gjatë luftës Shefqet Krasniqin e dy të tjerë, me 9 ushtarë luftuam qindra ushtarë serbë
Për kontributin e madh të hoxhallarëve sidomos në periudhën e pasluftës në Kosovë, tanimë dinë të gjithë. Thirrja islame e tyre tanimë është prezentë në pothuajse çdo shtëpi. Por, kontributi i tyre nuk fillon me përfundimin e luftës. Shumica prej tyre punën e kishin filluar shumë moti.
Një kontribut i hoxhallarëve, për të cilin opinioni i gjerë është pak i informuar, është ai në kohën e luftës në Kosovë.
Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandant Hoxha, tregon për pjesëmarrjen e hoxhallarëve në luftë. Ai përmend edhe emrat e atyre hoxhallarëve që kishte takuar gjatë luftës.
Në një emision në “Radio Pendimi” ai rrëfen për takimet që kishte me disa prej hoxhallarëve që ishin pjesë e luftës, transmeton Shembulli.
“Mund të them se nga ata hoxhallarë që sot janë të njohur e atëherë nuk kanë qenë, kam njohur disa, siç është dr. Shefqet Krasniqi të cilin kam pas nderin ta njoh s’pari herë në luftën e Kosovës më 1998, ndër ta është edhe Ekrem Avdiu, apo edhe Eroll Rexhepi, i cili është imam në Pejë, me të cilin kam qenë në vijën e parë të frontit”, thotë komandant Hoxha.
Ai tregon se këta hoxhallarë kishin lënë studimet e tyre dhe ishin bashkangjitur luftës për çlirimin e Kosovës.
“Po flas për dr. Shefqet Krasniqin, në atë kohë kish magjistru, temën e doktoratës duke e përgatitë. Erolli poashtu student në Medine dhe shumë të tjerë që kanë ardhur me marrë pjesë në UÇK”, vazhdon tregimin Xhezair Shaqiri i njohur si Komandant Hoxha.
Në pyetjen e moderatorit se ku i kishte takuar këta hoxhallarë që përmendi, ai përgjigjet: “Ekremin e kam taku pas lufte se ka qenë i burgosur, por e di që ka qenë komandant i një kompanie në Prekaz, bile në shtëpinë e Ilaz Kodrës ka qenë i instalum, më pas kemi dëgju se është arrestu. Me Shfqetin prej 98-tës jemi taku së pari herë në Rosuj të Bajram Currit, ku ka qenë një qendër e trajnimit të disa ushtarëve që kanë qenë fetar dhe pastaj në Koshare ka marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën e Koshares në thymjen e kufirit. Me Eroll Rexhepin kemi qenë 98-tën mbi fshatin Gjocaj ku kemi qenë shumë pak ushtar, vetëm nëntë ushtar, kemi luftuar disa orë me qindra ushtarë serb dhe ka dashtë Allahu fitorja ka qenë e jona edhe pse kemi pas 3 dëshmorë e disa të plagosur, por popullata civile ka qenë e mbrojtur ku ishin afro njëzetmijë banorë që rrezikoheshin nga këto forca paramilitare serbe”, përfundon tregimin e tij Xhezair Shaqiri – Komandant Hoxha.