Naser Vllasi, i njohur si komandant “Kobra”, gjatë Betejës së Koshares, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka rrëfyer detaje interesante nga lufta në Kosovë.
“Kobra” ka rrëfyer për tërheqjen e trupit të vrarë të Sali Çekajt në frontet e luftës në Koshare.
Ai thotë se deri në ditën e tërheqjes Fadil Hadërgjonaj nuk i kishte treguar se trupi i mbetur në fushat e betejës ishte i gjeneralit Sali Çekaj.
Naser Vllasi thotë se Fadil Hadërgjonaj i kishte kërkuar atij të shkojë dhe të bëj tërheqjen e trupit të një “ushtari të rëndësishëm”.
“Kobra” kishte refuzuar, madje nuk ishte ndjerë mirë pasi që siç thotë nuk e paska ditur që ka “ushtarë më të rëndësishëm se të tjerët”.
Hadërgjonaj i ishte drejtuar edhe njëherë atij por siç tregon vetë Vllasi me një qasje ndryshe, çka kishte vendosur të tërheqë trupin e atij “ushtari të rëndësishëm”.
“Mora vendim që kushdoqoftë ai do të bëj tërheqjen e trupit të tij. Lashë ushqimin dhe u skajova për të biseduar me Fadil Hadërgjonajn. Më tha “Kobra, Salihi u vra”. Në atë moment mua më shkoi mendja se edhe Salihi u vra në Tiranë si Ahmet Krasniqi. Më tha ”jo, por Salihi është ky “ushtari i rëndësishëm”. I thashë se pse nuk më ka treguar me kohë që ishte vrarë Salihu. Më tha “ke çfarë ke, a mund të kryesh këtë detyrë”. I thashë po e pranoj”.“…Fadili më pyeti sa ushtarë më nevojiten. I thashë katër i kam edhe unë vet jam. Më tha “sonte në mbrëmje”. Thashë jo.
Ndoshta edhe s’është trupi i tij, por një sekond më parë që nisemi mund të arrijmë para trupave të armikut”, rrëfen ai, përcjell Telegrafi.“Kobra” tregon se ai bashkë me katër ushtarë dhe Fadil Hadërgjonajn kanë shkuar në vendin ku ka rënë Sali Çekaj duke gjetur trupin e tij, që më pas e kanë tërhequr.