Kompania që mori tender 600 mijë euro nga Liburn Aliu e ndërtoi vilën e Milan Radoiçiq
Aktakuza e rastit “Banjska”, e cila akuzon 45 persona fizik e juridik, nxjerr në dritë detaje tronditëse për financimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Një kompani biznesore, e cila ka përfituar tenderë publikë në Kosovë, figuron pjesë e grupit terrorist, bazuar në aktakuzën për rastin “Banjska” të cilën e ka ngritur të mërkurën Prokuroria Speciale
Kompania dhe Steviq si drejtor i saj dyshohen se kanë kryer shpëlarjen e parave me burim nga aktiviteti kriminal i Millan Radoiçiqit, udhëheqësit të grupit terrorist, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, të cilën e ka publikuar të mërkurën portali “Nacionale”.
Paratë e shpëlara përmes kompanisë “RAD” D.O.O. dyshohet se janë përdorur për financimin e sulmit terrorist në Banjskë.
“Nga data 01.01.2017 deri më datë 24.09.2023, i pandehuri Milan Radoiçiq duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të\ pandehurit Radule Stević – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Stevic B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
“[…] ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet në aktakuzë.
Kësisoj, prokurori special Naim Abazi i akuzon Radoiçiqin, Steviqin dhe personin juridik “RAD” D.O.O. për shpëlarje të parave.
“Nga data 01.01.2017 deri me datë 24.09.2023, i pandehuri ‘RAD’ D.O.O. në cilësinë e personit juridik të menaxhuar nga i pandehuri Radule Steviq, në cilësi të pronarit përgjegjës, duke e ditur se pasuria e të pandehurit Milan Radoiçiq buron nga akitiviteti kriminal, përmes ushtrimit të aktivitetit ekonomik, ka bashkëpunuar dhe ndihmuar të pandehurin Millan Radoiçiq për të konvertuar pasurinë e tij, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet në aktakuzë.
Kompania “RAD” D.O.O., në pronësi të Radulle Steviqit, të sanksionuarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka fituar gjithsej 61 tenderë në vlerë prej 5.6 milionë eurosh. Këto projekte janë financuar nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.
Tenderët publikë, kjo kompani i kishte përfituar nga gushti i vitit 2018 e deri në shtator të vitit 2021. Shumica e tenderëve publikë ishin dhënë nga komunat veriore të udhëhequra asokohe nga Lista Serbe, si dhe një tender nga Ministria e Infrastrukturës.
Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Liburn Aliu, në muajin korrik të vitit 2021, para se Radulle Steviq të vendosej në Listën e Zezë të ShBA-ve, i kishte dhënë një tender të vlefshëm afërt 600 mijë euro një konsorciumi në të cilin ishte pjesë kompania “RAD” D.O.O..