Epilogu

Konjufca e Haxhiu kundër Kurtit, përqarje të reja brenda VV-së

Lëvizjes Vetëvendosje po i përsëritet historia e vitit 2018, kur disa prej themeluesve të saj, deputetë e zyrtarë të kësaj partie, pas një sërë mospajtimesh me Albin Kurtin, ishin larguar nga partia.

Pakënaqësitë e asaj kohe kishin zgjatur mbi një vit. Në publik patën dalë në dhjetorin e vitit 2017 pasi qe publikuar një komunikim në Viber dhe kishin rezulutar me largimin e 13 deputetëve dhe dhjetëra aktivistëve nga VV, të cilët më pas u bënë pjesë e PSD-së së Kaqusha Jasharit.

Burime të Periskopit brenda VV-së tregojnë që pakënaqësitë aktuale kanë shpërthyer prapë në nivele të larta të kësaj partie. Shkak i kësaj del të jetë mospajtimi i asaj që njihet si “Garda e Vjetër” e kësaj partie, me hapësirën në pushtet që i është dhënë prurjeve të reja në këtë parti, të cilat ishin mjaft të shumta në prag të zgjedhjeve të 6 Tetorit. Por, pakënaqësitë duket se janë thelluar tutje edhe nga veprimet e fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në raport me LDK-në dhe sjelljen e tij karshi presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me taksën ndaj mallrave serbe.

Sipas burimit tonë, situatën e bën më serioze fakti që në mesin e atyre që ditëve të fundit i kanë dalë kundër Kurtit është edhe Glauk Konjufca, Ministër i Jashtëm aktualisht, dhe njeriu më i votuar në VV pas Kurtit në zgjedhjet e fundit. Si dhe, Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë dhe gruaja më e votuar në këtë parti me 6 Tetor.

Disa nga të aderuarit në parti, që Kurti për javë të tëra e kishte promovuar aderimin e tyre në llogarinë e tij personale në Facebook, tashmë kanë marrë pozita të ndryshme në institucione. Nga sistemimi i tyre nëpër pozita, më së shumti kishte tërhequr vëmendjen emërimi si zv/kryeministër i Haki Abazit, i cili pati aderuar pak para zgjedhjeve në VV, por se në të kaluarën kishte qenë mjaft kritik i kësaj partie e madje pati akuzuar partinë e Kurtit edhe lidhur me vdekjen e aktivistit Astrit Dehari.

Vendimi i Kurtit për ta emëruar njeri të dytë në qeveri Abazin, ishte kundërshtuar fuqishëm nga Konjufca, e më pas edhe Haxhiu, ani pse që të dy kishin marrë pozita të larta ministrore. Por, kjo për shkak se Konjufca e Haxhiu kishin vlerësuar se kjo pozitë do të duhej të mbahej nga ndonjë prej figurave nga e ashtuquajtura “Gardë e Vjetër”, të cilët sipas tyre ishin njerëz më të besueshëm dhe më kredibil.

Megjithatë, Kurti kishte shpërfillur këto kundërshti, me ç’rast Abazi ishte emëruar zv/kryeministër dhe në vazhdimësi ka qenë figura e ekzekutivit me prezencën më të madhe në media. Edhe lidhur me këtë, sipas burimeve të Periskopit, në një mbledhje të Kryesisë së VV, kishte pasur ankesa nga Albulena Haxhiu, e cila kishte problematizuar paraqitjet mediale të Abazit, që në shumë raste ishin bërë pa u koordinuar fare me zyrtarët përgjegjës për media në VV.

Në po të njëjtën mbledhje, Konjufca kishte kërkuar nga Kurti që të shqyrtohet qëndrimi rreth taksës ndaj mallrave serbe, pasi që përveç presionit të vazhdueshëm amerikan, LDK kishte paralajmëruar daljen nga koalicionit. Kurti kishte kundërshtuar kategorikisht këtë, çfarë tutje kishte thelluar problemet me LDK’në, të cilat çuan në shkarkimin e Agim Veliut e më pas edhe në mocionin që rrëzoi qeverinë e tij.

Burimet e Periskopit tregojnë që në ditën e shkarkimit të Veliut, Konjufca e Haxhiu ishin takuar me Kurtin, duke shprehur edhe një herë pakënaqësi për këtë veprim. E si rezultat i këtij takimi, Albulena Haxhiu nuk kishte marrë fare pjesë në seancën kur u votua mocioni. Kurse, Konjufca i kishte bërë me dije Kurtit se në paraqitjet e tij në media, do të shprehte dallimet e tij me të karshi zhvillimeve të fundit.

Ditëve të fundit, një gjë e tillë është parë në disa raste, raporton Periskopi.

Konjufca në “Rubikon” të Klan Kosovës kishte hequr “vijat e kuqe” për koalicion edhe me PDK-në. Deklaratave të tilla shumë pak kohë pas, iu doli kundër Kurti, i cili në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, u shpreh kategorikisht kundër një koalicioni me partinë e Kadri Veselit.

Kurse, rasti i fundit lidhet me deklaratat e këshilltarit të Kurtit, Shkëlzen Gashit, lidhur me UÇK-në, të cilat bënë shumë bujë dhe shkaktuan reagime të shumta. Në të njëjtën ditë kur Gashi në emisionin “Frontal” të T7, kishte deklaruar se edhe UÇK kishte kryer krime ndaj civilëve serbë dhe kishte thurur lavde për Dick Martyn, Konjufca në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, shprehu papajtueshmëri të thella me Gashin. Ai madje deklaroi se po të ishte në vendin e Kurtit, Gashi nuk do të kishte vend në kabinetin e tij.

Kurti të nesërmen liroi nga detyra këshilltarin e tij, Gashi, por në statusin e tij në facebook, ai nuk shprehu distancim nga përmbajtja e deklaratave të këtij të fundit.

E, pas këtij veprimi të Kurtit, miq të Kurtit dhe këshilltarit tjetër të tij, Agon Hamza, adresuan publikisht kritika ndaj qëndrimit të Konjufcës. Rron Gjinovci, një mbeshtetës i Kurtit gjatë fushatës dhe pas saj, përmes një artikulli në Gazetën Express, kritikoi qëndrimin e Konjufcës karshi Gashit e madje i drejtoi pyetje atij se “Kujt po i shërben?”. Reagim të ngjashëm kishte edhe Sead Zimeri, i cili në një postim të tij në rrjete sociale e akuzon Konjufcën që e histerizoi opinionin publik kundër Gashit, dhe që sipas tij sjelljet e tilla i shkaktojnë dëm VV’së.

Kujtojmë, se në kulmin e krizës që kishte VV në vitin 2018, reagime të tilla kishte pasur edhe atëherë, të cilat cilësoheshin si të orkestruara nga Kurti. Atëbotë, Jusuf Thaci, tani i emëruar zv/ministër nga Kurti, kishte publikuar një letër publike në cilësinë e mbështetësit të VV’së, duke akuzuar për problemet në VV Dardan Molliqajn, sekretarin organizativ të dikurshëm të kësaj partie.

Në po të njëjtën paraqitje televizive të Konjufcës, në intervistën e tij të fundit në RTV Dukagjini, Konjufca doli edhe kundër deklaratave të Kurtit dhënë në një intervistë, ku fajësonte ShBA-në për rrëzimin e qeverisë së tij.

“Ne mund të themi që emisari i presidentit Trump nuk është i kënaqur me reciprocitetin, por unë nuk mund të them që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si shtet, e kanë rrëzuar qeverinë e Kosovës. Është gabim”, deklaroi Konjufca, duke u shprehur haptas kundër asaj që kishte deklaruar Kurti vetëm pak ditë më herët.

Në vitin 2018, paraqitje të ngjashme kishte pasur edhe Dardan Molliqaj, ku kishte filluar të shpreh publikisht dallimet e tij me Kurtin, të cilat nuk u tejkaluan asnjëherë. Madje, këto paraqitje kishin përkeqësuar raportet mes tij e Kurtit dhe kriza në VV veçse ishte thelluar.

Duhet theksuar po ashtu se për dallim nga partitë tjera në Kosovë, VV ka treguar që ka aftësi hermetike që t’i mbajë problemet për mjaft kohë larg syve të publikut. Megjithatë, tani duket se përplasja është më dinamike dhe kriza po zhvillohet me ritëm më të përshpejtuar.

Exit mobile version