Epilogu

Kontrata sekrete: Kurti me para të shtetit paguan lobistin e afërt me Trump

Qeveria e Kosovës ka nisur një ofensivë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ekzekutivi ka angazhuar lobistin e njohur Roy Bailey, i cili është i afërt me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Kontrata është nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Detajet e kontratës nuk janë bërë të ditura nga shteti i Kosovës.

Roy Bailey, një lobist amerikan, i cili ka shërbyer si bashkë-kryetar i Komitetit të Financave të Fushatës Presidenciale të ish-presidentit Donald Trump, do të lobojë për aranzhimin e takimeve të qeveritarëve të Kosovës me zyrtarë të kongresit dhe senatit amerikan.

Lobisti konservator amerikan ka lidhur një kontratë me Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës, më 21 shtator, 2022, raporton Paparaci.

Kontrata e cila është publikuar në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së më 21 shtator, nuk specifikon shifrën me të cilën do të paguhet lobisti Bailey nga Qeveria e Kosovës. Një kontratë e tillë nuk është publikuar nga institucionet e Kosovës, të cilat e kanë mbajtur sekrete marrëveshjen

Fakt është se shumat për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës variojnë nga disa mijëra dollarë e lart. Dhe Bailey është një lojtar serioz në lobim. Ai është jashtëzakonisht i afërt me kampin republikan në Teksas dhe Florida, shkruan Paparaci.

Kontrata me të cilën qeveria ka punësuar lobistin Bailey do të skadojë më 31 korrik 2023. Në kontratë figurojnë nënshkrimet e Albin Kurtit, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës dhe Roy Bailey, në cilësinë e drejtorit të kompanisë lobuese “Bailey Strategic Adivsory”.

Albin Kurti, siç përshkruhet në kontratë, synon të përmirësojë perceptimin për Kosovën te zyrtarët amerikanë, si dhe të aranzhojë takime me zyrtarë të lartë amerikanë.

Edhe pse Amerika është e avokuesja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, jo të gjitha qëndrimet politike të Qeverisë së Kosovës kanë marrë miratimin e zyrtarëve amerikanë së fundmi.

Në veçanti, qeveria ka hasur në rezistencë nga diplomatët amerikanë lidhur me zbatimin vendimit për pronësinë e tokës përreth Manastirit të Deçanit. Megjithatë, në kontratën mes Bailey dhe Kurtit nuk janë specifikuar detaje të tjera të marrëveshjes, raporton Paparaci.

Lobisti Bailey nuk ka humbur kohë për të dëshmuar se në më pak se dy javë ai ka kontaktuar tashmë me dy senatorë republikanë, Ted Cruz dhe Marco Rubio, në emër të Albin Kurti. Këto kontakte tashmë janë përfshirë në raportet e Departamentit të Drejtësisë.

Roy Bailey është bashkëpunëtor i ngushtë i Rudy Giulianit, ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut dhe avokatit të Donald Trumpit.


Roy Bailey dhe Donald Trump

Bailey, i cili është një investitor nga Teksasi, ka filluar të merret me lobim që nga viti 2018 kur kishte nënshkruar kontratën e parë lobuese me “Intrexon”, një kompani bioteknologjike në Maryland.

Ai kishte lobuar në Shtëpinë e Bardhë, zyrën e ish-zëvendës Presidentit Mike Pence, në emër të kompanisë “Intrexon”.

Një kontratë të ngjashme lobimi me kompaninë “Bailey Strategic Advisory” e ka lidhur edhe politikani nga Shqipëria, Fatmir Mediu.

Mediu kërkon të organizojë takime me zyrtarë amerikanë me qëllim “për të rritur perceptimin e Shqipërisë me zyrtarët amerikanë”, thuhet në dokumentin e publikuar pranë Departamentit të Drejtësisë në ShBA.

Në këtë marrëveshje lobimi, ku nuk jepen detaje mbi pagesat, Mediu hyn në statusin e “anëtarit të Parlamentit” të Shqipërisë”.

Kontratat lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të panjohura për institucionet e Kosovës.

Në dhjetorin e vitit 2016, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte nënshkruar një kontratë të vlefshme mbi gjysmë milioni euro me një kompani amerikane për lobim. Kontrata, përveç se ishte publikuar në Departamentin e Shtetit në ShBA, ishte publikuar edhe në platformën e prokurimit publik në Kosovë, e-prokurimi.

Dokumentet publike tregonin se më 22 dhjetor të vitit 2016, 517 mijë euro të taksave të qytetarëve ishin bërë gati për t’u shpenzuar për të përmirësuar imazhin e ish-presidentit Thaçi, i cili dyshohej se po hetohej për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Zyra e Presidentit të Kosovës kishte thënë se kompania lobuese amerikane “Ballard Partners”, me të cilën kishte lidhur kontratë, do t’i ofronte Kosovës ndihmë në transformimin e FSK-së, si dhe në disa sërë projektesh tjera. /Paparaci.com

Exit mobile version