Kreu i VV’së Albin Kurti, ka refuzuar dje dy ftesat e presidentit HashimThaçi, për të u konsultuar në lidhje me mandatimin e qeverisë.
Albin Kurti është arsyetuar se ka refuzuar ftesat me pretekstin se dje ishte jashtë Kosovës.
Refuzimet e Kurtit, nga Memli Krasniqi si nënkryetar i PDK’së, po shihen si një pafuqi dhe frikë e Kurtit për të krijuar Qeverinë.
Krasniqi në një prononcim për Periskopin tha se asnjëherë më parë nuk është dëgjuar në historinë politike që një mandatar për krijimin e qeverisë të ik nga detyrimi i tij kushtetues.
“Është e padëgjuar dhe e paparë në historinë e re politike të Kosovës që një mandatar për krijimin e qeverisë të ik nga detyrimi i tij kushtetues. Kjo ose është dëshmi e pafuqisë së Albin Kurtit për të krijuar shumicën parlamentare ose është frikë e tij për të marrë përgjegjësi qeverisëse, që do të ishte edhe një tradhti ndaj votuesve të tij, por edhe ndaj stabilitetit në vend”, ka thënë Krasniqi për Periskopin.
Nënkryetari Krasniqi, tha se pretë që sa më shpejt te themelohet qeveria e re, në mënyrë që të shmangen krizat potenciale.
“Unë pres që pas konstituimit të Kuvendit, të themelohet qeveria e re sa më parë dhe të shmanget kriza potenciale që mund ta dëmtojë vendin, nëse Albin Kurti vazhdon të sillet me të njëjtin mentalitet bllokues, siç është sjellë në opozitë”, ka shtuar ai.