Profesori Milazim Krasniqi, njëri nga themeluesit e LDK-së dhe nga miqtë më të afërm të ish presidentit Rugova, kishte shkruar një libër në vitin 2017. Ai kishte botuar librin me titull “Sekretet që nuk i mori më vete”.
Në një kapitull ai ka folur edhe për gazetarin, të ndjerin Enver Malokun. Ai kishte treguar se para ekzekutimit Ibrahim Rugova dhe Enver Maloku i kishin ftohur raportet mes vete.
“Indiferent e mospërfillës pati qenë ndaj Enver Malokut, disa muaj para se ta ekzekutonin. Nuk pati denjuar as ta takonte në zyrë pesë minuta. Ndërsa disa muaj më herët, mua tekstualisht më pati thënë në zyrën e tij: Veç ti e Enveri m’keni metë. Të tjerët janë ikë, krejt! Ibrahimi ishte treguar indiferent e mosmirënjohës edhe ndaj Kadri Halimit, Ejup Statovcit e Ismet Salihut kur ata u larguan nga LDK-ja”, tregon Milazim Krasniqi.
Më 20 tetor 1998, Enver Maloku do ta botonte një shkrim në gazetën “Bota Sot”. Enver Maloku, përmes këtij opinioni, do të ngriste shqetësimin përse Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar nuk po i pengonin ata që vetëm flisnin për pavarësi, por po i pengonin vetëm ata që vepronin për pavarësi. Më pak se tre muaj më pas, më 11 janar 1999, Enver Maloku do të vritej para banesës së tij në Prishtinë.
Ai në këtë shkrim e mbështeste UÇK-në dhe e kritikonte politikën paqësore të kohës. Ai në këtë shkrim thoshte se “ekstremistë shqiptarë” nuk do të kishte po të mos kishte politikanë që vetëm flasin, por nuk punojnë e veprojnë“.
Më tutje i ndjeri Enver Maloku shkruante se “Një pjesë e zhurmshme e politikës kosovare është propagandë për liri e pavarësi të Kosovës. Ka kaq shumë propagandë sa opinioni është ngopur me të, mirëpo, së paku deri më tash, me propagandën politike për pavarësi jetojnë relativisht mirë grupacionet e individët“