Epilogu

Krasniqi: Thuhej se ishte i shërbimit sekret të LDK-së, më kërcënoi kështu

Profesori Milazim Krasniqi, njëri nga themeluesit e LDK-së dhe nga miqtë më të afërm të ish presidentit Rugova, kishte shkruar një libër në vitin 2017. Ai kishte botuar librin me titull “Sekretet që nuk i mori më vete”.

Në këtë libër profesor Milazim Krasniqi ka treguar se si ishte larguar nga LDK-ja në vitin 2000 dhe cilat ishin kërcënimet që i mori pas largimit nga LDK.

“Rast poashtu i dhimbshëm është kur një person nga ekipi i Rugovës kishte shkuar në teatër, te ish drejtori Teki Dervishi dhe i kishte shprehur pakënaqësinë pse kishte filluar të inskenohej drama ime “Liria po vjen”, e cila po vihej në skenë me regjinë e Agim Selimit. Si rezultat i atij presioni, Tekiu i kishte ndaluar provat tre ditë pas fillimit zyrtar të tyre”.

Më tutje ai tregon se ”Kishte edhe ndonjë rast të kërcënimit direkt, si rasti i një aktivisti fanatik të LDK-së, të cilin, meqë e njihja prej shumë kohësh dhe kishte qenë fans i imi, në konferencat e mia të shtypit në Tiranë, u ndala ta përshëndesja në qendër të qytetit. Ai mezi po më shikonte në sy. Pas pak, me një zë të dridhshëm, po kërcënues, më tha se duhej të bëja kujdes se çfarë po shkruaja kundër LDK-së, sepse ajo nuk ishte më partia e dikurshme paqësore, po dinte edhe të godiste! Ai djalë ishte bërë i afërt me Eqrem Kryeziun, ishte njëfarë altoparlanti i tij, megjithëse thuhej se aderonte edhe te shërbimi sekret i LDK-së”.

“Njëfarë kohe prej tyre më vinin telefonata anonime, në të cilat lëshoheshin tinguj, ulërima të ndryshme. Po ashtu, ka pasur edhe raste ku në aso telefonatash “repertirej revolveri”, mesazhi i të cilit kërcënues. Por, kjo ishte më e lehtë se sa ajo që pasoi: ma patën ndëprerë nga posta telefonin, edhe pse nuk e kisha asnjë faturë të papaguar. Pata shkuar disa herë në postë me ankesa gojore e me shkrim, por asnjë gjë nuk bënte punë, telefoni nuk aktivizohej, gjë që pati zgjatur disa javë. Bezdisëse ishin edhe thashethemet kundër meje, që përhapeshin si virus, ndonëse me to isha mësuar edhe në vitet sa isha brenda LDK-së”.

Më tutje Milazim Krasniqi e ka treguar edhe një rast interesant të kërcënimit: “Pati madje edhe sjellje të pahijshme nga njerëzit e sigurimit të Rugovës. Shijen më të keqe ma pati lënë ky rast: derisa doja të kaloja rrugën, nga ana e ish Komitetit, për të shkuar drejt ish hotel Bozhurit, rrugën ma ndërpreu eskorta e veturave që shoqëronin Rugovën. Rugovën nuk e pashë, por shoferi i tij, Qefseri, deri sa po më shikonte drejt, filloi të zgërdhihej e t’i binte borisë pa ndërprerje”

Exit mobile version