Punësime e emërime meritokratike qenë ndër premtimet më të mëdha të Lëvizjes Vetëvendosje. Por, sikurse qeverisjet e kaluara në Kosovë, njëjtë edhe Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka respektuar vlerësimin e komisionit që është formuar për të përzgjedhur kandidatët për anëtarë të Bordeve në disa ndërmarrje publike.
Në shumë raste, Qeveria ka mënjanuar rekomandimet e komisioneve, duke emëruar njerëzit që s’dolën të parët në vlerësim në disa borde të ndërmarrjeve publike.
Më 10 gusht, në mbledhjen e Qeverisë Kurti, u emërua Bordi i Ndërmarrjes Publike Qendrore Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh. A., Bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A. Prizren, Bordi i Kompanisë Rajonale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini Sh. A. Gjakovë dhe Bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Bifurkacioni Sh. A. Ferizaj.
Në të gjitha këto emërime, Qeveria nuk ka respektuar listën dhe poentimin që është bërë nga komisioni vlerësues i kandidatëve që kanë aplikuar për këto pozita.
Nacionale ka kërkuar vlerësimin e kandidatëve nga komisioni vlerësues dhe ka parë që kandidatë me më shumë pikë, nuk janë emëruar si anëtarë apo kryesues të bordeve të lartcekura.
Trainkos
Në Bordin e Trainkos është emëruar Nol Dedaj si kryesues, i cili na bazë të dokumenteve që ka siguruar Nacionale përmes qasjes në dokumentet publike, është në vendin e fundit me më së paku pikë.
Por, Qeveria ka vendosur që ta emërojë si kryesues të këtij Bordi duke mos respektuar vlerësimin e komisionit.
Përveç tij edhe anëtarët e tjerë të këtij Bordi kanë pikë më pak se disa kandidatë të tjerë të cilët nuk janë emëruar nga Qeveria.
Nol Dedaj, si kryesues i këtij Bordi është vlerësuar nga komisioni me 203 pikë, në vendin e 15 të tabelës, anëtari i Bordit, Astrit Mehaj, është i dyti me 250 pikë, Shaban Neziri i shtati në listë me 228 pikë, Riza Spanca i gjashti 234 pikë, Drita Kadriu-Berisha e treta 237 pikë, Blerina Shamolli e katërta 236 pikë.
Derisa për këto pozita nuk është zgjedhur vendi i parë, Fitim Raci i cili është vlerësuar nga komisioni me 270 pikë po ashtu edhe shtatë kandidatë të tjerë, të gjithë kanë pikë më shumë se i përzgjedhuri nga Qeveria si kryesues i Bordit të Hekurudhave të Kosovës – Trainkos. Sh. A..
Hidroregjioni Jugor Sh. A. Prizren
Po ashtu, njëjtë është vepruar edhe me përzgjedhjen e Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A. Prizren, ku Qeveria ka emëruar këta kandidatë: Feim Fetoshi, kryesues; Hysni Çanta, anëtar; Mirlinda Morina, anëtare; Biljal Karadolami, anëtar; Naim Kukaj, anëtar; Arben Hajrizi, anëtar.
Hysni Çanta në vendin e parë me 35.0 pikë. Mirlinda Morina e treta me 34.29 pikë, teksa nuk është zgjedhur vendi i dytë me 34.86 pikë.
Bijal Karadolami në vendin e 14 me 30.14 pikë, Naim Kukaj i 15-i me 30.00 pikë, Arben Hajrizi me 28.14 pikë në vendin e 18.
Edhe te përzgjedhja e këtyre anëtarëve, siç mund të shihni në fotografinë më poshtë, mund të vërejmë se qeveria ka emëruar kandidatin e fundit në listë teksa është refuzuar vendi i katërt e i tretë, të cilët kanë pikë më shumë se ai dhe dy anëtarë të tjerë të sapozgjedhur.
Radoniqi-Dukagjini Sh. A. Gjakovë
Dallavere të këtij lloji janë vërejtur edhe në emërimin e anëtarëve të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini Sh. A. Gjakovë.
Kryesuesi i këtij Bordi që është zgjedhur nga Qeveria, Ilir Dula, mban pozitën e pestë me 34.25 pikë, teksa janë refuzuar kandidatët në vendin e dytë, të tretë dhe të katërt.
Vehbi Duraku ka pasur më së shumti pikë dhe është në vendin e parë me 39.25 pikë.
Krenar Bajgora i shtati me 33.25 pikë dhe Agron Tafarshiku me 30 pikë në vendin e 10. Teksa janë refuzuar dy të tjerë të vlerësuar me më shumë pikë nga komisioni vlerësues.
Bifurkacioni Sh. A. Ferizaj
Edhe të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Bifurkacioni Sh. A. Ferizaj, emëron këta kandidatë:
Naim Rexhaj është zgjedhur kryesues i këtij Bordi, anipse është renditur në vendin e tretë me 33.71 pikë, teksa vendit të parë, Hasan Pretenit, i është refuzuar emërimi edhe pse ka 35.00 pikë.
Ndërsa sa u përket anëtarëve të tjerë të këtij Bordi, Donat Rexhaj është në vendin e pestë me 32.29 pikë, Kujtesa Mashkulli-Ahmeti në vendin e gjashtë me 30.86 pikë, Kujtesë Ibishi-Ramadani në vendin e shtatë me 29.71 pikë, ndërkaq është refuzuar vendi i dytë, Mejdi Xhokli, me 34.86.
Në media po ashtu është raportuar edhe për lidhje partiake mes të emëruarve.
Kujtojmë se edhe në të kaluarën Qeveria Kurti kishtë emëruar anëtarë të bordeve persona me librezë të partisë.
Për të mos harruar, kryeministri Kurti dhe vartës të tij, ishin jashtëzakonisht kritikë ndaj qeverive të kaluara për emërimet pa respektimin e ligjit dhe me anëtarë të partive e familjarë.
Bile Kurti kishte thënë se të afërmit janë për dasma e ahengje.