Epilogu

Kreu i LPK-së: Kam parë regjistrime, letra e bisedime të Adem Jasharit, dyshonte se tradhtia u erdhi nga Shqipëria në 1992

Në Shqipëri fare pak njerëz mund ta dinë se një ish-gazetar shqiptar ka drejtuar në vitet 90-të lëvizjen ilegale të Kosovës që quhej LPK, e që më pas u njoh si Ushtria e Çlirimtare e Kosovës.

Ai quhet Bedri Islami, është shkodran, pasardhës i “Lulit të Vocërr” të cilit Migjeni i kushtoi prozën e famshme.

Gjatë kontakteve dhe bisedave me disa nga drejtuesit apo luftëtarët më të spikatur kosovarë të UÇK-së, emri i Bedri Islamit nderohet dhe vlerësohet  me një respekt dhe përulësi të thellë, sa që është e pamundur të mos kërkosh të dish më shumë mbi të.

Në maj 2013 ai ka dhënë një intervistë të gjatë për “DITA”-n ku ka folur sidomos në lidhje me raportet mes shtetit shqiptar të Ramiz Alisë e më pas të Berishës në lidhje me lëvizjen e rezistencës në Kosovë.

Bisedat me Hashim Thaçin gjatë luftës në lidhje me Berishën dhe refuzimi i Thaçit për të lidhur kontakte me njerëzit e Berishës; Informacionet që kishte UÇK-ja në  fillim të viteve 90-të mbi origjinën serbo-malazeze të bashkëshortes së Berishës dhe pozitat e forta në strukturat serbe të disa prej “krushqve”  të ish-Presidentit shqiptar; Lidhja Berisha-Bukoshi-Hajdari dhe roli i Bujar Bukoshit në ngjarjet e 14 Shtatorit 1998; Roli i Ilir Metës, Pandeli Majkos dhe Sabri Godos në kontaktet me UÇK-në gjatë luftës; Kujdesi që tregonte Adem Jashari për të mos shkelur në Shqipëri gjatë viteve 92-97 për të shmangur dekonspirimin; Çfarë përfaqëson miti që ekziston për Sali Berishën në Kosovë dhe kush ka qenë i interesuar për ndërtimin e këtij miti…

Si protagonist i dorës së parë, Bedri Islami ka sjellë në vëmendje jo vetëm situata të dekonspirimit të anëtarëve të rezistencës kosovare por ka referuar edhe dokumente të cilat flasin për një bashkëpunim të ngushtë mes Prishtinës, Tiranës, e Beogradit për rakordimin e informacioneve me qëllim goditjen e kësaj lëvizje që për “trekëndëshin” cilësohej si lëvizje terroriste në vitet 90-të.

Më poshtë intervista e plotë me z.Islami:

Zoti Islami, ju keni qenë një nga aktivistët dhe figurat më të njohura të lëvizjes kosovare në ilegalitet, Lëvizjes  Popullore të Kosovës. Si ndodhi që u bashkuat me këto struktura?

Në nëntorin e vitit 1992 unë u largova nga Shqipëria. Për një gazetar të “Zërit të Popullit”,  sidomos nga Shkodra, ishte një periudhë e vështirë, aq më tepër kur, shumë nga gazetarët kryesorë, që mbulonin udhëheqjen, pra Komitetin Qendror dhe Byronë Politike, u larguan dhe, befas, u ndjenë opozitarë. Shndërrimi i papritur i karakterit ishte pa asnjë dyshim njëra nga veçantitë e kohës. Për këtë mund të pyesni më mirë Fahri Balliun. U largova nga Shqipëria edhe nga shkaku i presionit të kohës, por edhe nga një kërkesë për të punuar për një gazetë shqiptare në Perëndim.
Në janarin e vitit 1993, kur po përkujtoheshin vrasjet e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, u njoha me përfaqësues të këtyre strukturave, megjithëse deri aso kohe dija fare pak për to. Një vit më pas isha pjesë përbërëse e tyre . Dy njerëz kanë qenë , si të thuash, “kumbarët” e kësaj pune: Fehmi Lladrovci, pa dyshim figura më komplekse e luftës çlirimtare në Kosovë, dhe miku im, Ali Ahmeti, njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Iu përgjigja ftesës së tyre, u bëra pjesë e lëvizjes ilegale që po përgatiste luftën çlirimtare, u zgjodha më pas natyrshëm në organet drejtuese të saj, dhe kur lufta ishte në fillimet e saj, unanimisht u zgjodha kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Për ata që nuk e dinë, Lëvizja Popullore e Kosovës ishte themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, udhëheqëse politike e saj, mbështetëse kryesore dhe thuajse të gjithë liderët e luftës ishin anëtarë të saj. Në këtë lëvizje klandestine bënin pjesë që nga Adem Jashari, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Jakup Krasniqi, Fehmi Lladrovci, Bardhyl Mahmuti, Azem Syla, Rexhep Selimi, Ilaz Kodra, dhe fillesa e saj, themelimi i saj, ishte bërë pikërisht nga Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka. Pa dyshim ishte organizata më e rëndësishme klandestine në Kosovë dhe viset e saj.

Si ka qenë raporti i kësaj Lëvizje në vitet 90-të me shtetin shqiptar?

Kushdo që mund të ketë menduar se çështja shqiptare në Kosovë mund të zgjidhej pa Shqipërinë do të ishte jo vetëm i gabuar, por edhe i papërgjegjshëm. Nuk ishte thjeshtë shteti amë, por edhe e vetmja mundësi për të lëvizur, për të siguruar një mbështetje, politike, logjistike dhe në diplomacinë ndërkombëtare, do të ishte prapavija e saj, që shumë thjeshtë mund të shndërrohej në vijën e parë, si edhe ndodhi. Lidhjet e para janë të vitit 1990 dhe 1991, kur ende nuk kishte filluar ndërrimi i sistemit. Ai është bërë me presidentin e kohës, Ramiz Alia dhe më pas me strukturat e përcaktuara prej tij. Takimi është bërë në presidencë, ka qenë i fshehtë, nuk janë mbajtur shënime protokollare dhe as nuk janë bërë incizime, është mbajtur vetëm një dokument i shkurtër, sipas të cilit , shteti shqiptar do të mbështeste veprimtarinë politike e ushtarake të grupeve të rezistencës. Në këtë kohë ende nuk ishte krijuar UÇK-ja, por kishte disa grupe në kuadër të Lëvizjes. UÇK-ja do të formësohej më pas, vendimi për të është i Mbledhjes së IV të Përgjithshme të LPK-së; por është krijuar mbi bazën e këtyre grupeve që vepronin edhe më herët. Nga zoti Alia u caktuan dy vetë për kontaktet dhe mbështetjen e Lëvizjes, gjeneral  Adem Çobani, këshilltari i tij ushtarak, dhe Shaban Sinani, këshilltari i tij politik. Më pas, në këto vite janë bërë disa takime , jo më në presidencë, por në vende private, natyrisht të fshehta dhe  disa gjëra kanë filluar të lëvizin nga vendi. Të gjitha këto u fashitën , pasi ngjarjet në Shqipëri kishin zhvillime të tjera, shumë të rëndësishme, dhe , si të thuash, Kosova doli në planin e pestë.

Në ç’kuptim doli në planin e pestë?
Kur them se doli në planin e pestë, për të mos thënë në planin e fundit, i referohem një periudhe të caktuar, nga viti 1992 deri në fundin e vitit 1997, dhe e gjithë kjo lidhet me një periudhë të caktuar, gjendjen e zotit Berisha si President i Shtetit Shqiptar.

Në një intervistë për “DITA“-n, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Qerim Kelmendi, ka akuzuar ashpër ish-Presidentin Berisha se ka punuar kundër Lëvizjes kosovare në vitet 90-të. Ju ç’mendim keni?

Qerim Kelmendi ishte njëra nga figurat e para të Lëvizjes që u bë pjesë e UÇK-së. Është në të njëjtën kohë edhe i plagosuri i parë i kësaj lufte. Pra ishte në dijeni të gjërave, kjo edhe sepse , për një kohë të gjatë ishte pjesë e sektorit të Logjistikës së UÇK-së. Në radhët e Lëvizjes është i njohur me emrin “Shpirtmadhi”, e më pas në radhët e UÇK-së njihej me emrin “Dema”. Nëse doni të flasim shkoqur mund të them pa asnjë droje se, nëse ka pasur shtetar në Shqipëri, i cili ashpërsisht e brutalisht, në të gjithë kohën kur ka sunduar, them sunduar e jo drejtuar, që ka qenë kundër Lëvizjes klandestine në Kosovë dhe në viset e saj, dhe që ka bërë gjithçka për shuarjen e saj, ky është Sali Berisha. Këtë e them pa asnjë lloj mëdyshje. E gjithë veprimtaria e tij ka qenë e drejtuar kundër lëvizjes së armatosur në Kosovë dhe në vise, dhe kjo ka qenë një përpjekje e shfrenuar politikisht, organizativisht, përmes shërbimeve të tij të inteligjencës dhe përmes lidhjeve të fuqishme që kishte me klanet UDB-ashe në Kosovë e jashtë saj. Nëse ka një shtetar, në ndërgjegjen e të cilit duhet të rëndojnë edhe krimet që bënë serbët në Kosovë ndaj shqiptarëve vendas, ai njeri është pikërisht Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Mos ju dukem i ashpër? Nuk e besoj.  Le të sjell disa shembuj për të bërë të qartë konkluzionin tim.
Sipas një marrëveshje me zotin Ramiz Alia e që më pas u vazhdua edhe me zotin Berisha, në Shqipëri do të stërviteshin grupe të ndryshme ushtarake. Ata u dërguan si nga qeveria e Bukoshit, si nga Lëvizja Popullore e Kosovës, megjithëse kjo e fundit duke qenë ilegale, nuk ishte e një mendje që gjërat të bëheshin kaq haptas. Por ishte koha e trullosjes, sepse Berisha erdhi në pushtet me parullën e Bashkimit Kombëtar. Atëherë kam bërë një shkrim mosbesues ndaj tij, pasi, ai, në të njëjtën kohë bënte thirrje e aspironte për hyrjen e Shqipërisë në Helsinki, e po në të njëjtën kohë për Bashkim Kombëtar, çka përjashtonin njëra-tjetrën. Por, parullat e tij, ngjallën entuziazëm. Regjimi  i vjetër u shemb jashtëzakonisht shpejt, regjimi i ri po vinte përmes dëshirës së njerëzve, por edhe shkatërrimit.
Grupet e militantëve që u stërvitën në Shqipëri kishin thuajse të gjitha të njëjtin fat: ata u burgosën sapo shkelën në Kosovë ose u detyruan të marrin arratinë. Regjimi serb kur i arrestonte ua dinte jo vetëm se ku kishin qëndruar në Shqipëri, por edhe numrin e armës, me cilët kishin qëndruar, etj. Pra ishte gjithçka e dekonspiruar. Shërbimi i fshehtë i Gazidedes kishte bashkëpunuar direkt ose indirekt me shërbimin e fshehtë serb. Direkt përmes lidhjeve që kishin, indirekt përmes strukturave të UDB-së në Prishtinë. Vetëm dy grupe rezistuan dhe , as nuk ikën në mërgim, si donte klani titist në Kosovë dhe në Tiranë, dhe as nuk dorëzuan armët. Njëri ishte grupi i Drenicës, ku printe Adem Jashari, tjetri ishte grupi i Llapit, një pjesë e tij, ku ishte drejtues Zahir Pajaziti. Këto dy grupe ishin pjesët më thelbësore përbërëse të UÇK-së së ardhshme. Tani , mendoni vetë, po sikur të mos kishte pasur dekonspirim, shkurt tradhti nga brenda, çfarë do të kishte ndodhur në Kosovë kur ishin stërvitur qindra vetë për fillimin e luftës? Do të kishte pasur një pamje krejt tjetër, ushtria do të ishte shumë më mirë e përgatitur, humbjet do të ishin më të pakta, njerëzit do të kishin besuar më shpejt në organizimin e saj. Kjo nuk ndodhi. Në vend të saj erdhën arrestimet e bujshme dhe largimet e mëdha. Kjo solli në Kosovë shembjen e mitit të luftës, disfatizëm, huti, dhe u humb mjaft kohë deri në ngritjen e strukturave të tjera. Tani dihet se Gazidede është takuar personalisht me Zhelko Raznatoviçin, Arkanin. Është larg mendsh të mendohet se ai është takuar pa marrë bekimin e Berishës. Përse janë takuar? Përse pas këtij takimi represioni në Kosovë ndaj lëvizjes ilegale është shtuar? Përse Arkani u bë pjesë e rrethimit të tretë të Adem Jasharit?    Që ka pasur një bashkëpunim në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Beograd, kjo është e qartë tashmë, megjithëse për ne ka qenë e qartë gjithnjë. Por humbjet qe kanë ardhur nga ky bashkëpunim kanë qenë të ndjeshme.

Çfarë dinit ju që ishit kaq të qartë?

Po ju sjell një shembull tjetër. Është pak i njohur në Shqipëri, por unë e kam trajtuar në librin tim, “Enigma e një vrasje të trefishtë”. Më 31 janar1997 u vranë në një pritë të organizuar Zahir Pajaziti, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Edmond Hoxha, lider i Lëvizjes Studentore dhe Hakif Zejnullahu. Më dhjetor 1996, Zahiri, së bashku me Qerim Kelmendin ishin për disa javë në Shqipëri. Qëllimi i tij ishte të hetonte nëse do të mund të bëhej diçka më shumë nga shteti amë, megjithëse përvoja e tij ishte e hidhur. Disa kohë më parë ai ishte arratisur nga Kosova, kishte ardhur në Shqipëri, por autoritet shqiptare ia kishin dorëzuar pushtetit serb. Por ai e donte Shqipërinë dhe besonte se diçka mund të bëhej. Në Shqipëri, sipas të gjitha dëshmive, ai është ndjekur nga klani i Gazidedes, sepse , qarqet UDB-ashe me të cilat bashkëpunonte Gazidede, e njihnin atë. Kthehet në Kosovë nga 20 janari i vitit 1997 dhe pas pak ditësh bie në pritë. Pushtuesit serb në komunikatën për vrasjen e tij, megjithëse ilegalisht njihej si Ismeti, japin emrin e saktë të tij, lëvizjet që kishte bërë, udhëtimin në Shqipëri etj. Të dhëna të çuditshme. Edhe nga drejtuesit e Lëvizjes nuk dihej se kush kishte marrë pjesë në aksionet luftarake, kjo ishte një temë “Tabu” për udhëheqjen politike, pasi kishte një strukturë brenda saj që dinte gjithçka, e kjo ishte e mjaftueshme, por lëvizjet e tij, të bëra të njohura nga një komunikatë vrastare, jepnin më shumë se kaq.
Së dyti, dëmi i madh që solli politika e Berishës ndaj lëvizjes klandestine çlirimtare në Kosovë është edhe në lejimin që, herë haptas e herë fshehtas, i bëri përhapjes së strukturave UDB-ashe në Shqipëri. Le të lemë mënjanë faktin se të gjithë ata që ishin dënuar në Shqipëri gjatë periudhës komuniste si agjentë të UDB-së , u rehabilituan, u quajtën të pafajshëm e u bënë edhe deputetë të Partisë Demokratike apo zunë vende të larta drejtuese. Të dukej sikur në Shqipëri nuk kishte pasur kurrë agjenturë serbe e nuk do të kishte edhe më pas. Që në janarin e vitit 1991 në Shqipëri do të vijnë emisarë të Millosheviçit, të cilët do të sjellin edhe financimet e para. Por , kur në Kosovë, jo rastësisht, filluan aksionet e para luftarake, kjo agjenturë në Tiranë gjeti vatrën e saj të ngrohtë. Kjo agjenturë u mirëprit në Shqipëri.

Nga kush u mirëprit? Në cilën Odë e mirëpritën këtë agjenturë zoti Islami?

Ndryshe nga UÇK-ja që në Shqipëri u shtri përmes njerëzve të thjeshtë, që hapën portat e shtëpive për të, shërbimi i fshehtë serb nuk mund të kalonte kështu. Atëherë ai vendosi të bënte diçka krejt tjetër, e mbuluar në mënyrë të përsosur dhe në dukje krejt e zakonshme. Mendoi të hapte disa lokale në Tiranë, ndonjë në Durrës dhe rrugës për në veriun e vendit. Ato do të ishin pikë-stacionet e mbledhjes dhe të kalimit të të dhënave. Ato dërguan edhe një njeri të tyre si koordinator, i cili kishte lidhje të ngushta me SHIK-un e Gazidedes, quhej Ramë M.  Fillimisht paraqitej si një njeri në nevojë, më pas do të kishte një banesë në Laprakë, e jo shumë kohë më vonë do të kishte një dyqan në qendrën e Tiranës, përballë “Hotel Dajtit”, ngjitur me lokalin e njohur të asaj kohe, që ndodhej po ashtu përballë, me emrin “Nikolino“. Aty, afër tyre, si rastësisht, ishte vendosur edhe një telefon, i cili u shërbente shqiptarëve të Kosovës për të folur me familjet e tyre. Përmes kësaj linje, jo rrallë, për njerëz që dyshonin si ishin të ingranuar në lëvizjet ilegale, bëhej përgjimi dhe regjistrimi i bisedave. Duke e ditur se lokali “Nikolino” ishte një lokal serioz,ku shkonin ilegalë të ndryshëm,edhe në lokalin tjetër, që ishte në anën e djathtë, pra në restorantin “Kumanova“ kishin dërguar një njeri të tyre. Kjo nuk ishte e mjaftueshme. Atëherë ngritën një bazë të UDB-së edhe në restorantin “Prizreni“. Ishte një rrethim përmes restorantesh, dyqanesh, kioskash, ku jo rrallë do të uleshin edhe njerëz të luftës. Përmes lidhjeve që kishte aso kohe shërbimi i fshehtë i Lëvizjes dhe i UÇK-së u arrit të bëhej identifikimi i këtij rrjeti dhe të sinjalizohej shteti shqiptar. Mirëpo kjo vazhdoi, deri sa u shembën edhe vetë strukturat e shtetit. Përveç këtyre informacioneve të punës operative të UDB-së në terren ka dhe dokumente shkresore që vërtetojnë lidhjet mes UDB-së, SHIK-ut të Gazidedes dhe strukturave të tyre partnere në Prishtinë.

Për çfarë dokumentesh e keni fjalën zoti Islami?

Ekziston edhe një dokument tjetër, kopje e të cilit është edhe në arkivën tonë. Ai mban datën 21 janar 1996, është skeduar nën numrin “AT 317-b”, është protokolluar tri ditë më vonë dhe në cepin e tij, lart në të majtë, është vënë shënimi i ish-Zëvendës Shefit të SHISH-it: “Të kalojë për informim në Presidencë…“
Në një informacion që ka paraqitur një inspektor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, A.K, pas bisedës në përfaqësinë e Kosovës, në Tiranë, mes të tjerave, shefi i tij ka nënvizuar:
“Mendimi i zyrtarëve të Prishtinës është se kemi të bëjmë me njerëz të organizuar mirë dhe që kanë disa baza në Shqipëri, sidomos në Tiranë, Durrës-Plazh dhe në Tropojë. Veprimet e deritanishme të saj, që e quan veten UÇK, kanë qenë të përqendruara në Drenicë dhe në rajonin e Dukagjinit, që mund të përkufizohej në vijat Prizren-Shtimje dhe në rrugën Pejë-Mitrovicë. Tash, me aksionet që janë zhvilluar para pak ditësh, zyrtarët e Prishtinës mendojnë se ajo po vepron në një hapësirë krejt tjetër, që është më e gjerë. Gjithnjë sipas tyre, UÇK-ja është në tri zona, mirëpo nuk kanë dijeni të sakta se cilat janë shtrirjet e zonave, vetëm se, më parë, zoti A.A, u kishte thënë se zona e dytë është në Maqedoni. Në takimin që ka pasur njeriu i tyre, R.Gj, me një përfaqësues të qeverisë serbe është pasur parasysh se aksione terroriste duhen pritur edhe në të ardhmen. Mendimi i tyre është se fjala vjen për disa njerëz të veçantë, që mblidhen në organizata ilegale e që duhen survejuar, sidomos në Tiranë. Disa prej tyre nuk duhen lejuar të veprojnë në Shqipëri. Pas kërkesës sime, zyra e Kosovës do të na paraqesë një listë të emrave të njerëzve që dyshojnë se fshihen pas kësaj organizate terroriste“.
Ky dokument është botuar edhe më parë, asnjëherë nuk është hedhur poshtë. Ai sjell dëshminë e një trekëndëshi, i cili ka një qendër në Prishtinë e që shtrihet më pas në Tiranë dhe në Beograd. Në të vërtetë, pak ditë pas këtij informacioni, zyra e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë ka paraqitur një listë me emrat e personave që mendohet se kryejnë veprimtari ilegale subversive. Ashtu si është e vërtetë se disa ditë më pas, disa nga të dhënat që i ishin afruar nga Shërbimi Shqiptar Informativ do të shfaqeshin në një informacion të përgatitur nga ish-Shërbimi Ushtarak Jugosllav, KOS, në të cilin janë shtuar edhe disa karakteristika të tjera, si gjendja shoqërore e atyre që përbëjnë Grupin e Drenicës, arsimi i tyre, vendndodhja, karakteristikat e zonës, etj.
Shumë pak ditë më pas, kur lufta do të kishte një ngjitje të menduar nga lëvizja klandestine, por të paparashikuar nga jashtë saj, zoti Berisha do të bëjë dy deklarata ogurzeza; njëra e trajtuar edhe më parë, e tjetra e harruar. Ai do të deklarojë se, UÇK-ja është organizatë terroriste, e lidhur me Arkanin, kjo e thënë edhe në organet e medies gjermane, ku pritej një faktorizim i shpejtë i lëvizjes guerile. Me thënë të drejtën, meqenëse asokohe isha në strukturat drejtuese të luftës, kjo thënie nuk na prishi punë, sepse njerëzit tashmë i njihnin ata që po luftonin. Thënia e tij e dytë, e cila nga qarqet UDB-ashe në Prishtinë u amplifikua ishte se “UÇK-ja po lufton për të mbrojtur pragun e shtëpisë“ dhe solli si shembull se Adem Jashari kur u vra, a nuk u vra në shtëpinë e tij(?). Kjo ishte një ndër thëniet më te rrezikshme, sepse sillte copëzimin e luftës, krahinorizmin e saj, katundarizimin e saj, copëtimin. Dhe në fakt, kjo edhe solli dëme fillimisht, sepse njerëzit, sidomos ato që ishin të lidhur me një tjetër  politikë, hezitonin të luftonin fillimisht jashtë fshatit të tyre. Përfundimisht mund të them me përgjegjësi se, për Kosovën dhe UÇK-në e saj, ishte një fat i madh që në kohën e luftës nuk drejtonte në Shqipëri Sali Berisha, në të kundërtën nuk do të kishte luftë çlirimtare. Ai do e pengonte deri në fund atë. E gjithë paraloja e fillimit të luftës dëshmon për këtë. Dhe duhet thënë po ashtu se ishte një fat i bardhë që pushteti u ndërrua, që gjërat dolën jashtë kontrollit e përcaktimit të tij. Me qeverinë socialiste kemi pasur probleme, kemi pasur mosmarrëveshje, por gjërat kanë shkuar shumë më ndryshe e disa prej përfaqësuesve të tyre, sidomos pas marsit të vitit 1998, duhen falënderuar përzemërsisht.

Si komentoheshin në Shtab deklaratat e Berishës kundër UÇK-së, sidomos në fillimet  e luftës së hapur?

Që të jem krejtësisht i sinqertë me ju, nuk na bënin përshtypje deklaratat e tij, por veprimet e tij. Kur ai filloi të bënte deklarata politike kundër luftës ishte shumë vonë për të, ai nuk ishte më askush. Nëse ka pasur një politikan në Tiranë që nuk kishte asnjë lidhje pozitive me UÇK-në, ai ishte Berisha. Pas marsit të vitit 1998 ai ishte krejtësisht i izoluar. Nuk pyeste askush për të, megjithëse veprimet e tij, edhe pas kësaj periudhe, kanë dëmtuar jashtëzakonisht. Në Lëvizjen klandestine çlirimtare nuk kanë bërë përshtypje as deklaratat e Berishës e as të Rugovës, megjithëse shpesh herë ato kanë qenë skandaloze. Sikur ata të kishin bërë vetëm një thirrje për bashkimin e të gjithëve rreth UÇK-së, gjërat do të kishin ndodhur krejt ndryshe. Medet, ata nuk e bënë dot këtë. Por ka pasur një njeri,të cilit , si të thuash, i kushtonim kujdes pas çdo qëndrimi publik, thëniet e të cilit i prisnim, si të ishin të një lideri politik të pashpallur. E pra me të nuk kishte lidhje të drejtpërdrejta, megjithëse ishin vendosur lidhjet. Ky ishte Ismail Kadare. Çdo qëndrim i tij ishte i një rëndësie të veçantë, ai vlente e peshonte më shumë se gjithë të tjerët të marrë së bashku. Ai dhe Rexhep Qosja, por Qosja ishte pjesë e jona, ishte si ne, ndërsa Kadare ishte një zë tjetër, atë e prisnim.

Jeni shprehur në një intervistë të mëparshme se Hashim Thaçi kishte “ndjenja të trazuara” ndaj Berishës. Përpiqej të kuptonte qëndrimet e tij të forta politike me Kosovën, por vlerësonte dhe rolin e xhaxhait të tij, Sulejman Berishës, që e vuri shtëpinë e tij si bazë të UÇK-së në dispozicion. Mund të specifikoni momente të qëndrimeve apo të mendimeve të Thaçit gjatë kësaj kohe?

Hashim Thaçi ka qenë njëri ndër drejtuesit kryesorë të organizatës sonë, LPK-së. Nga këtu ai është bërë pjesë e UÇK-së dhe drejtor politik i saj. Por Thaçi, që në fillim, më shumë se një luftëtar, kishte shtatin e njeriut të politikës. Në kohën e presidencës Berisha ai do të ishte njëri ndër ilegalët që do të burgosej. Shkaku është absurd, gjetja e një mjeti logjistik ishte i natyrshëm për një njëri të lëvizjes ilegale, çka dihej për të. Xhavit Haliti, përfaqësuesi i Organizatës në Shqipëri, përmes lidhjeve të krijuara, do bënte të mundur lirimin e tij. Ne, në fakt, pavarësisht dyshimeve, e donim bashkëveprimin me Berishën. E kemi dashur me të gjithë që do të ishin në pushtet, si rrjedhojë e besimit të njerëzve. Berisha nuk e donte bashkëpunimin me lëvizjen ilegale. Jo sepse mendohej se ajo ishte një lëvizje e majtë, pasi nga vetë Lëvizja, kur ajo shkëputi nga vetja mendimin ideologjik, u shkëput një fraksion, i cili ishte thjeshtë lëvizje ideologjike e majtë, por që kishte lidhje dyfish të mira, me Berishën e me Bukoshin.  Hapësira politike  e Thaçit në Shqipëri, deri në marsin e vitit 1998, ishte e kufizuar, e ngushtë. Ai ishte ilegal në vendin e tij, kjo është e kuptueshme. Gjatë kësaj kohe ai kishte hyrë disa herë ilegalisht në Kosovë, por ilegalisht edhe nga vendi i tij. Më pas, kur bashkëpunimi ynë u rrit, Thaçi nuk ishte njeri që i bënte përshtypje e shkuara, dhe për të, Berisha ishte e shkuara. Fakti që klane të lidhur me Berishën,edhe pas majit të vitit 1998, po e dëmtonin strukturën logjistike të UÇK-së, ishin dëshpëruese. Njëherë, kur u takuam gjysmë ilegalisht, i thashë se do të ishte ndoshta e arsyeshme që të krijonim një lidhje edhe me njerëzit e Berishës, sidomos në veriun e Shqipërisë, mirëpo , asokohe, kishte gjëra më të rëndësishme përpara. Thaçi, gjatë luftës, nuk vendosi asnjë kontakt me Berishën, e nuk kishte përse…e përsëris, asokohe, Berisha ishte askush në lëvizjen çlirimtare.

-Si u prit në radhët e LPK-së thyerja e embargos së naftës me Serbinë në vitet 90‘?

Shumë gjëra janë ditur që asaj kohe, shumë të tjera janë bërë të qarta më pas. Për shembull është ditur se besimi tek Berisha duhet të ishte i kujdesshëm, jo vetëm për shkak të qëndrimit të tij politik ndaj lëvizjes çlirimtare, por edhe për shkak të lidhjeve të tij martesore. Ishte pak e besueshme, por ishte e vërtetë se Berisha kishte lidhje martesore në një familje gjysmë serbo-malazeze, por jo të zakonshme, si mund të kishte ndodhur rëndom në vitet pas çlirimit. Familja e Milicës, më pas Vera, ishte familje e njohur për lidhjet me shërbimet e fshehta të sigurimit serbo-malazez. Njerëzit e familjes së saj ishin ende në rrethin e afërt të njerëzve të Millosheviçit, sidomos të Bulatoviçit (Momir Bulatoviç, ish-President i Malit të Zi, personi që kontaktoi Berishën dhe ku u vendos thyerja e embargos së naftës, shën.red). Shërbimi ynë informativ kishte njohuri për lidhjet e mëtejshme të tyre. Po ashtu për vizitën e ish-Presidentit malazez në Shqipëri,ndërsa shitja e naftës ilegalisht nuk ishte sekret për askënd. Përralla e shëmtuar dhe e trashë e ditëve të sotme të Berishë se, shiti naftë për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë, është e shëmtuar. Me atë naftë ka punuar makineria ushtarake serbe , e cila i vrau njerëzit në Kosovë. Por , më e hidhur se kjo, ishte tregtia e armëve. Ministri i asaj kohe, Zhulali, dëshmoi se Shqipëria ka armë për t’i shitur gjysmës së Evropës, por shitja po bëhej për serbët e Bosnjës. Shokët e Lëvizjes që ishin aty, anëtarë të devotshëm që më pas u bënë pjesë drejtuese e UÇK-së, informuan se ka një lëvizje të ndjeshme të këtij armatimi. Më pas, lëvizja ilegale, është detyruar të blejë nga ky armatim…që kur e kërkonte në Shqipëri, jo vetëm nuk i shitej, por i sekuestrohej dhe dënohej edhe kur e gjente. Berisha bëri disa takime të fshehta me tregtarët e politikës serbe e malazeze, njerëz të afërt të tij u takuan në Shkodër e në Tiranë me njerëz të Millosheviçit, kjo vazhdoi deri në kulmin e krizës së vitit 1997 në Shqipëri, por edhe atëherë, befas, Berisha, përmes disa figurave të njohura në Kosovë, si Demaçi, Hydajet Hyseni etj, u përpoq të radikalizonte gjendjen befasisht në Kosovë, për të hequr vëmendjen nga Shqipëria. Ky është momenti kur ai do të prishet përfundimisht me Rugovën, por për këtë askujt nuk i erdhi keq.

Si e shikonit ju mbështetjen që Berisha i jepte Bukoshit dhe FARK-ut?

Kjo është një histori e mëvonshme, por që zë fill aty nga viti 1996. Është koha kur Bukoshi ishte hidhëruar me Rugovën dhe kur i bënte ofertë Lëvizjes Çlirimtare për të ndihmuar atë, me kushtin e vetëm që lëvizja ilegale të eliminonte Rugovën. Në takimin e Bukoshit me një përfaqësues të Lëvizjes, Shaban Mujën, ai bëri këtë propozim skandaloz. Ne nuk ishim të afërt me Rugovën, politika e tij i binte ndesh luftës çlirimtare, por nuk ishim njerëz të terrorit politik. Në Kosovë ishin ndërmarrë aksione kundër disa figurave të njohura UDB-ashe, që hapur punonin me shërbimin e fshehtë serb, por jo kundër njerëzve të politikës. Edhe kur kishte pasur ndonjë kërkesë nga grupet ilegale për ndonjë figurë të dorës së dytë, që ishte edhe njeri i politikës, ishte hedhur poshtë kategorikisht. Është bërë kujdes që të shmanget skenari i ngjashëm me atë të Fikret Avdiçit në Bosnjë, skenar që e donte edhe Bukoshi, por edhe Berisha në vitin 1996. Në qarkun e njerëzve të afërt të Bukoshit ne kemi pasur njerëzit tanë..janë dërguar qëllimisht aty, sidomos janë dërguar nga Ali Ahmeti, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas themelues e drejtues politik i Uushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Këto njerëz, atdhetarë, por edhe materialet që disponojmë, tregojnë për një mbështetje financiare të fuqishme të qeverisë Bukoshi ndaj Berishës e Azem Hajdarit, për të ndërprerë luftën çlirimtare; për shumë enigma pas bankës Dardania, që u zhduk pasi mbaroi misioni i saj spekulativ…kështu që lidhjet mes Bukoshit e Berishës ishin të interesit të përbashkët politik e financiar, por jo kombëtar. FARK-u u krijua pas fillimit të luftës, nuk mori pjesë në luftime, ishte e vetmja strukturë ushtarake që nuk bëri luftë e ku mund të mbështetej Berisha, ashtu si u mbështet në grushtin e shtetit të shtatorit 1998.

A kishte lidhje FARK dhe Bukoshi me atë që ndodhi në  14 shtatorin e vitit 1998 në Tiranë?

Ata ishin krahu i djathtë i Berishës në atë kohë. I duheshin edhe si mercenarë, edhe si njerëz  të stërvitur ushtarakisht, edhe si dëshmi para botës perëndimore se UÇK-ja mbështet Berishën. Disa kohë më përpara, përmes shërbimit tonë informativ, ne e informuam shtetin shqiptar se Berisha po përgatit një lëvizje të ngjashme me atë që kishte ndodhur në Shqipëri në vitin 1924, pas vrasjes së Avni Rustemit. Pra, po përgatitej një gjë e ngjashme. Ky informacion na erdhi nga njerëz të afërt me strukturat drejtuese të Bukoshit. Ishte paramenduar se një grup i ndjeshëm luftëtarësh në zonën e Dukagjinit do të braktisnin luftën dhe përmes Malit të Zi, që ishte pjesë e Serbisë, do të vinin në Tiranë. Kjo ndodhi. Mijëra armë u dorëzuan në pak ditë. Lufta pësoi një goditje të madhe. Dezertorët kaluan përmes Malit të Zi, krejt lehtësisht, si të ishin në shëtitje dhe erdhën në Tiranë. Ndodhi vrasja e paralajmëruar e Azem Hajdarit. Pra, si ishte parashikuar, u gjet shkaku i luftës civile. Berisha bëri grushtin e shtetit. Mes tyre edhe pjesë të FARK-ut, persona me uniformë. Rrëmbyen tanket, morën armët, pushtuan kryeministrinë, TVSH, bënë deklarata se qeveria ra, se erdhi një qeveri e re, FARK-u gëzoi nëpër kazermat ku ishte se kjo do të thoshte edhe shuarje e luftës çlirimtare, pasi kështu ishin bërë llogaritë. Po të krahasosh atë që ndodhi me 14 shtator 1998, në pikun e luftës dhe në pikun e ofensivës serbe në Dukagjin e në Drenicë, me atë që ndodhi me 21 janar, kjo e fundit duket si shëtitje. Por në këtë të fundit u vranë katër vetë, ndërsa më 14 shtator 1998, megjithëse Berisha dëshironte të kishte të vrarë, nuk ndodhi asgjë. Që atë mbrëmje, për të qartësuar gjërat, si drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, kam nënshkruar deklaratën politike, në të cilën ajo që ndodhi më 14 shtator ishte një grusht shteti, që aq sa drejtohej kundër qeverisë së ligjshme të shtetit shqiptar, drejtohej edhe kundër luftës çlirimtare, ndaj ishte dyfish e dënueshme. E po asaj nate, anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe përfaqësuesi i saj në Shqipëri, Xhavit Haliti, në emër të Drejtorisë Politike, e cilësoi si grusht shteti. Dhe ishte një grusht shteti i mirëfilltë. Nëse do të ndodhte kjo deri në fund, të vrarët në Kosovë do të ishin mijëra e mijëra më shumë dhe sot, në Kosovë, do të ishte ende pushteti serbomadh. E vërteta është kjo dhe vetëm kjo. Dhe kur nuk arritën të helmojnë lëvizjen çlirimtare me grusht shteti,. ndërmorën një veprim tjetër, vranë Ahmet Krasniqin, në Tiranë, pikërisht kur ai ishte lidhur me strukturat e UÇK-së. Berisha më pas deklaroi se dinte se kush kishte marrë pjesë në vrasjen e tij, bile cilësoi se kaq ishin nga Shqipëria e kaq nga Kosova, por, edhe pas tetë viteve në pushtet, nuk e zgjidhi këtë enigmë, ashtu si nuk zgjidhi dot as enigmën e Azem Hajdarit, i cili, për hir të së vërtetës, nuk ka pasur asnjë lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 1999 Hashim Thaçi firmosi marrëveshjen e famshme në Rambuje. I ndodhur në opozitë asokohe, Beriha i bëri thirrje të hapur politikanëve kosovarë për të mos e firmosur atë marrëveshje. Si e lexoni këtë qëndrim të tij në atë kohë? Si u prit kjo thirrje nga Thaçi?

Rambujeja  është një moment kthese në historinë e kombit dhe , në atë kohë, pak vetë e besonin këtë. Më përpara se të ndalem tek roli i Berishës, desha të sqaroj një gjë tjetër. Politika shqiptare në Tiranë ishte e interesuar më shumë se kurrë ato ditë për nënshkrimin e marrëveshjes. Bile ishte e interesuar edhe më përpara se duhej të ishte e tillë. Ajo bënte thirrje të nënshkruhej pas secilit draft, megjithëse nuk i kishte lexuar draftet. Dhe jo të gjitha draftet kanë qenë njësoj, ata ndryshonin, dhe pas çdo kundërshtimi të Thaçit, vinin lëshime të reja, domethënëse. Në ato ditë unë kam pasur lidhje të përditshme me zotin Mejdani, President i Shtetit, zotin Thaçi, apo dhe me zotin Meta. Që të jemi deri në fund të sinqertë, njeriu që ishte më i interesuar për fuqizimin e UÇK-së në atë kohë ishte Ilir Meta. Emocionalisht ishte Pandeli Majko. Urtësisht ishte Sabri Godo, me të cilin u takuam në Rambuje. Ishte i interesuar edhe Paskal Milo, takimet me të cilin kanë qenë gjithnjë interesante, por jo pak të vështira, sidomos takimet e para. Mos të harrojmë, edhe qeveria socialiste, deri në qershorin e vitit 1998 hezitonte të takohej zyrtarisht me përfaqësuesit politikë të UÇK-së. Pastaj ndryshoi gjithçka, por kjo ka lidhje me takimin e zotit Hollbruk me përfaqësuesit politikë të UÇK-në në Zvicër. Takimi i Bardhyl Mahmutit, anëtar i Drejtorisë Politike dhe nënkryetar i Organizatës, ishte njohja e parë ndërkombëtare e UÇK-së.
Rambujeja ishte proces i vështirë. Draftet ishin të rrezikshme, sidomos fillimisht. Drafti i dytë lejonte vendosjen e ushtarëve serbë në Kosovë, të gjykatave, bankave, doganave, rikthehej viti 1974, por tashmë në kohë lufte. Pas këtij drafti erdhi reagimi i Berishës. Në atë kohë, ky reagim përputhej me qëndrimin tonë, ndaj ne asnjëherë, nuk kemi reaguar ndaj tij për këtë çështje. Nuk e di nëse ai ishte në dijeni të këtij drafti, nuk e kishte marrë prej nesh, si e morën shumë të tjerë e që nuk kthyen as mendimin e tyre…mund ta kishte marrë nga pala tjetër, por në fakt, në ato ditë, megjithëse nuk ishte i rëndësishëm, e askush nuk ia vuri veshin, ishte i pranueshëm. Gabimi i tij është se edhe pas përmirësimit të draftit, ai vazhdoi të ishte kundër. Në Shqipëri kjo kishte peshë, ke peshë ende sot në politikën e shtetit, por, të jeni i sigurt, se as asaj kohe e as më vonë, nuk kishte asnjë lloj peshe në vendimmarrjen e UÇK-së dhe të liderëve të saj. Duhet kuptuar më së fundi se për botëkuptimin e asaj kohe dhe për të vërtetën e saj, ai ishte askush. E përsëris që të mund të kuptohet, askush. Nuk është pyetur për asgjë, dhe veçse me të keqen, nuk kishte lidhje me asgjë.

Po Adem Jashari, si e ka parë këtë qëndrim të “çuditshëm” të Berishës në vite?

Kam pasur fatin e jashtëzakonshëm të kem në arkiv letra, regjistrime, biseda, kërkesa që drejtuesi i UÇK-së, Adem Jashari, i ka drejtuar Organizatës. Disa nga këto letra janë bërë publike. Disa ende presin kohën e duhur. Ademi nuk kishte ndonjë konsideratë të veçantë për Berishën. Edhe kur ai i cilësoi luftëtarët që ai vetë u printe si vegla të Arkanit, nuk ia zuri për të madhe..sepse në mendimin e tij nuk kishte vend për Berishën. Ka pasur gjithnjë drojën se tradhtia e vitit 1992 u erdhi nga Shqipëria dhe ka pritur më shumë prej saj. Sa ishte Berisha në pushtet, megjithëse i digjej shpirti për Shqipërinë, dhe aq shumë i donte, se në tri ditë luftë, këndonte këngën e Çerçiz Topullit, ai nuk shkoi asnjëherë në vendin amë.

Zoti Islami, ju si e shikoni popullaritetin e Berishës në Kosovë,ekziston vërtet “ miti“ i tij atje?

Në Kosovë ka vërtet shumë njerëz që e duan Berishën. Mund të them pa droje se ata që e donin gjithnjë Shqipërinë, pavarësisht se kush ishte në pushtet, janë të ftohur me të, ashtu si ka edhe shumë të tjerë që nuk e duan. Më së shumti , ata që e duan, janë të lidhur me klikën e vjetër të politikës, ose që kanë ardhur nge Lidhja Komuniste e Kosovës, degë e Lidhjes komuniste të Serbisë. Pas vitit 1989 ata u shndërruan brenda një nate në demokratë, pastaj pritën ndryshimet në Shqipëri, duke paralajmëruar si kasandrat fundin e saj. Më në fund krijuan mitin e njeriut të tyre, Berisha. Ata kishin shtypin, medien, politikën e njohur të pëshpërimës. Ky mit tani ka rënë, do të bjerë edhe më tej, deri sa të shkelet. Jam çuditur gjithnjë me këtë që ka ndodhur  e që po zhbëhet. Si mund të besosh tek një njeri që tallet me ndjenjën kombëtare? Po mendoja një çast sikur lideri i opozitës të ishte dhëndër serb , siç është Berisha, të kishte qenë komunist fanatik e drejtues partiak, si ishte Berisha, të kishte ndihmuar një makineri vrasëse siç e ndihmoi Berisha Millosheviçin, të kishte Serbinë edhe sot, në vendin e tretë për shkëmbimin tregtar siç bën Berisha, të kishte mik familje një serbo-boshnjak si Fazlliçi siç e ka Berisha, dhe ky Fazlliçi që është nipi i ish-Shefit të shërbimit të fshehtë serb;  të dërgojë këtë Fazlliçin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të shtetit, siç bëri Berisha; të ketë fëmijët e lidhur në biznese me këtë serbo-boshnjak siç bën Berisha, të afishohej haptas kundër luftës çlirimtare, si u afishua Berisha…çfarë do të ndodhte mendoni ju? E imagjinoni dot për një moment se çfarë do të ndodhte? Miti i Berishës është miti enigmë në Kosovë, që nuk ekziston, por që mundohen ta ngrenë…Ai po bie përfundimisht. Sa më shpejt të bjerë përfundimisht, aq më mirë do të jetë.

Exit mobile version