Epilogu

Kryeministri bizneseve austriake: Jemi ndër vendet më të mira për të investuar

Në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri, kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar Kosovën si ndër vendet më të mira për investim para bizneseve austriake që kanë ardhur në Prishtinë. Ai u mundua t’ia heqë edhe dyshimet e hezitimit për investim, duke thënë se shumë kushte kanë ndryshuar.

“Për këdo që s’e di se si bëhet biznes në Kosovë, këtu mund ta keni një pasqyrë të qartë të të bërit biznes. Sipas raporteve ndërkombëtare, Kosova është prej vendeve më të mira të të bërit biznes dhe është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka arritur pikët për renditjen e saj në zhvillim demokratik. Investimi në Kosovë më gjasë të lartë është sukses për ju. Nëse keni qenë hezitues shumë prej faktorëve kryesorë kanë ndërruar dhe Kosova është bërë mjedis shumë më miqësor për bërje të biznesit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri paraqiti edhe të dhënat e zhvillimit ekonomik në Kosovë, raporton Gazeta Express.

“Kemi krijuar mbi 25 mijë vende të reja pune, zhvillimi ekonomik në bazë të Agjencisë Statistikore të Kosovës është 10.53 e GDP-së. Vlera e eksporteve ka arritur në 2.7 miliardë”.

Kurti foli edhe për inxhinierin shqiptaro-austriak Karl Gega, duke thënë se emri i tij mund t’i vihet hekurudhës Prizren -Durrës, për të cilën ftoi kompanitë austriake të aplikojnë.

“Siç e dini po ndërtojmë hekurudhën Prizren-Durrës dhe na duhet ekspertizë teknike sikur ajo e Karl Gegës dhe pse jo ta emërojmë me emrin e tij”.

16 kompani nga Austria dhe nga Kosova nga 10 sektorë të ndryshëm kanë promovuar bizneset e tyre. Kurti tha se fokus i tyre është shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi mes vete.

Exit mobile version