Pas dorëheqjes së kryeprokurorit Jack Smith, pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Specializuar e kishte ushtruar Alex Whiting.
Alex Whiting ishte kryeprokuror i çështjes në gjykimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në vitin 2014, Whiting kishte dhënë një intervistë të gjatë, të cilën e kishte publikuar “Brandeis University”.
Ai, ndër të tjera, kishte treguar vetë dallimin mes të pandehurve kroatë, serbë dhe atyre të UÇK-së.
Sipas tij, rastet e luftëtarëve të UÇK-së ishin më të dobëta, ndërsa rastet e të pandehurve serbë ishin më të forta në gjykatë.
“Ishte një gjë interesante për avokatët nga Ballkani dhe të pandehurit serbë – rastet kundër të pandehurve serbë prireshin të ishin rastet më të forta në gjykatë. Të pandehurit serbë, për arsyet e tyre kulturore, politike dhe ideologjike, prireshin të punësojnë avokatë vendas, avokatë serbë, të cilët shpesh ishin të tejkaluar dhe më pak të kualifikuar, ndërsa të pandehurit nga Kroacia, të pandehurit e UÇK-së dhe të pandehurit myslimanë boshnjakë — dhe ato ishin rastet më të dobëta – ata punësonin avokatë nga Britania e Madhe, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët ishin plotësisht të njohur, plotësisht peshk në ujë në këtë sistem“, ishte shprehur Whiting në vitin 2014.
Po ashtu, për rëndësinë e lëndës kishte folur para pak muajsh edhe Nevenka Tromp, ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, njëherësh hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, e cila kishte vlerësuar se deri më tash nuk ka parë ndonjë shenjë në rastin e krerëve të UÇK-së, që po akuzohen nga Gjykata Speciale se ndonjëri mund të dënohet.
“Nga përvoja ime personale, duke e lexuar aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve, nuk mund të shoh se si ndonjëri prej tyre do të shpallej fajtor për ndonjërën nga akuzat e aktakuzës dhe nuk shoh ndonjë shenjë, nëse eventualisht ka shpallje të fajësisë për ndonjërën nga akuzat, që do të arrinte te një vendim dhe dënim për një ose më shumë vjet në burg“, ishte shprehur Nevenka Tromp.