Akterët ndërkombëtarë që kanë vepruar në Kosovë gjatë periudhës së luftës, vazhdimisht kanë treguar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të unifikuar.
Këtë fakt e kishte vulosur edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, më 4 maj 1999.
“Për më tepër, pasi nuk ka strukturë politike në Kosovë apo komandë dhe kontroll efektiv të UÇK-së, do të duheshin shumë muaj, ndoshta edhe vite, për t’i organizuar ato për të përdorur dhe mirëmbajtur çfarëdo ndihme ushtarake që Shtetet e Bashkuara do të ofronin”, thuhej në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Demokracia.com ka siguruar edhe një deklaratë të Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneralit Klaus Nauman, më 1 dhjetor 1998, në një takim të nivelit të lartë në Bruksel, ku kishte folur për zhvillimet e fundit në Kosovë. Deklaratën e kishte dhënë Qendra Informative e Kosovës, por edhe mediumet e tjera ndërkombëtare.
Gjenerali Klaus Nauman, duke folur për ndihmën që mund t’i japin trupat e NATO-s, Misionit të OSBE-së, kishte treguar qartë që UÇK nuk ka komandë dhe strukturë të unifikuar ushtarake dhe politike.
“Trupat e NATO-s nga Maqedonia janë të përgatitura t’i ofrojnë ndihmë Misionit të OSBE-së në Kosovë, në rast se pjesëtarët e saj kidnapohen ose në mënyrë të ngjajshme rrezikohen nga grupet e armatosura. Në marrëveshjen me OSBE-në dhe sipas rezolutave të OKB-së, ata së pari duhet të ofrojnë ndihmë, ndërsa autoritetet jugosllave dhe “grupacionet e ndryshme të UÇK-së që nuk kanë komandë dhe strukturë të unifikuar politike dhe ushtarake dhe nuk kanë vulosur nënshkrimet e tyre në çfarëdoqoftë marrëveshje, janë të obliguar t’i respektojnë këto vendime“, kishte thënë ndër të tjera gjenerali Klaus Nauman.
Demokracia.com, po ashtu, ka gjetur një deklaratë të zëdhënësit të sekretares Albright, James Rubin, ku në një konferencë për media, më 9 mars 1999, flet për UÇK-në dhe tregon se UÇK nuk kishte strukturë të unifikuar.
“Shqiptarët e Kosovës, për dhjetë vite të gjata, në thelb u angazhuan në një mosbashkëpunim pasiv, paqësor, me autoritetet serbe që i shtypnin. Pas dhjetë viteve të rezistencës paqësore, ata kaluan në një rezistencë të dhunshme përmes operacioneve të UÇK-së. Kjo është një organizatë e re; është vetëm një numër i caktuar muajsh. Nuk është një organizatë plotësisht e unifikuar“, ishte shprehur James Rubin. /Demokracia.com/