Skandaloze: Faruk Mujka pasi punësoi “renë” dhe dy të dëgjueshmit e tij në teatër, kishte punësuar edhe kunatën në Stacionin e Autobusëve
***
Nuk është çudi që nënkryetarit të komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, po i pengojnë raportimet e “Jepi zë”. Kjo pasi ai ka qenë shpesh subjekt i raportimeve për keqperdorime dhe punësime familjare.Muaj më parë, numri dy i komunës së Mitrovicës, kishte rehatuar renë e tij (gruan e djalit) në teatrin e qytetit. Por jo vetëm atë, Mujka ishte përkujdesur ta rehatonte edhe dy militantë. Arian Tahirin i cili shërbente në stafin e tij, por kishte vetëm kontratë mbi vepër. Njëjtë kishte vepruar edhe me të dëgjueshmin tjetër, Faton Deliun, të cilit iu vazhdua paligjshëm disa herë kontrata mbi vepër në komunë. Ai u rehatua nga Mujka në teatër.
Skandali i punësimeve të akrabave të Mujkës nuk përfundon me kaq.”Jepi zë” ka siguruar dokumentin ku shihet se Mujka ka rehatuar me vend pune edhe kunatën(gruan e vëllait) në Stacionin e Autobusëve.
Gazeta ka siguruar edhe listën e pagave ku shihet emri i kunatës së tij. Sidoqoftë, duhet theksuar se zbulimi i shumë skandaleve nga “Jepi zë” për Mujkën dhe Bahtirin, ka bërë qe kryetari i degës së VV-së në Mitrovicë ta sulmojë gazetën.Pikërisht këto punësime kanë shkaktuar pakënaqësi tek anëtarët e vjetër dhe të devotshëm të VV-së në Mitrovicë, të cilët tashmë janë distancuar nga qeverisja e tyre.”Jepi zë” kishte raportuar edhe më herët për punësime familjare nga nënkryetari Mujka. Në nëntor të vitit të kaluar, Elda Ahmeti-Mujka ishte punësuar si kostumografe në teatrin e Mitrovicës. Këto nuk ishin punësimet e vetme nga dega e Albin Kurtit në Mitrovicë. “Jepi zë” kishte raportuar edhe për disa manipulime me konkurset e Drejtorisë së Arsimit gjatë kohës sa drejtor ishte Egzon Jashari. Ndërkaq, punësimet e akrabave të Agim Bahtirit, janë përditshmëri në Mitrovicë.