Epilogu

Kunati i Albulena Haxhiut avancohet për herë të dytë Postën e Kosovës

Familjarët e qeveritarëve kanë nisur t’i gëzojnë me të madhe privilegjet e pushtetit. 

Shkumbin Krasniqi, kunati i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, brenda pak muajve është avancuar për herën e dytë në Postën e Kosovës, raporton Demokracia.com.

Në qershorin e vitit të kaluar, ai fillimisht ishte avancuar nga pozita e postierit në pozitën Zyrtar për Kujdesin ndaj Konsumatorëve (KnK). E në muajin tetor të vitit 2021, ai ishte ngritur sërish në pozitën e Kontrollorit.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e avancimit të kunatit të ministres Haxhiu, Shkumbin Krasniqit.

Në vendim thuhet se punëtori Shkumbin Krasniqi i sistemuar në punë dhe detyrat e punës në PK SH.A, zyrtar i KnK-së, risistemohet në punë dhe detyrat e punës, Kontrollor i ZP Malishevë.

“Risistemimi i punëtorit Shkumbin Krasniqi në punë dhe detyrat e punës, Kontrollor i ZP Malishevë, bëhet prej datës 20.10.2021 deri më 20.04.2022. Pas kësaj periudhe, konform performancës pozitive të punëtores, të njëjtit do t’i procedohet kontrata e re, në të kundërtën, të përmendurit i mbetet në fuqi kontrata e punës ekzistuese 01-1442/21 (D.P 11.06.2021)”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.

Duket se vendimi madje është shkruar edhe me shpejtësi, pasi që aty i referohen në gjininë femërore.

Po ashtu, në këtë vendim thuhet se Krasniqit i caktohet baza e të ardhurave personale mujore në lartësi të gradës (6) gjashtë.

“Vendimi është i formës përfundimtare dhe hyn në fuqi menjëherë. Këtë vendim do ta zbatojë Departamenti Qendror i Financave dhe Departamenti i Resurseve Njerëzore në PK”, thuhet më tej në këtë vendim.

Në muajin qershor të vitit të kaluar, Shkumbin Krasniqi, nga data 11 qershor ishte avancuar herën e parë, duke marrë detyrë të re në Postën e Kosovës.

Ai ishte avancuar nga pozita e Postierit në pozitën Zyrtar për Kujdesin ndaj Konsumatorëve. Ky avancim kishte bërë që Krasniqi të kishte rritje të konsiderueshme të pagës.

Shkumbin Krasniqi është vëllai i Alban Krasniqit, asamblist në Komunën e Malishevës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Alban Krasniqi është bashkëshorti i Albulena Haxhiut, Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit. /Demokracia.com/

Exit mobile version