Pranimi i mandatit nga kryetarët e rinj tashmë të zgjedhur të komunave të vendit, do bëhet me mbledhje solemne inauguruese. Kjo prafërsisht 15 ditë pas ceritfikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ.
Mbledhjet inauguruese të kuvendeve të komunave mbahen brenda 15 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për anëtarët e tyre. Komunat përkatëse ku ndodh certifikimi i organeve komunale, thirrin mbledhjet inauguruese brenda këtij afati për konstituimin e tyre.
Kështu u tha për Gazetën Metro në përgjigjen e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
‘Pranimi i mandatit nga organet e reja komunale (Kuvendin e Komunës dhe Kryetarin e Komunës), bëhet me konstatimin e organeve të reja, e cila bëhet në një mbledhje solemne-inauguruese. Mbledhja inauguruese mbahet 15 ditë nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, ashtu siç është paraparë me nenin 42 të Ligjit për Vetqeverisje Lokale,’ thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndryshe, tani pas përfundimit të votave me kusht dhe me postë, KQZ-së i është hapur rruga që t’i bëjë publike rezultatet përfundimtare për kryetar të komunave të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhje pritet që t’i shpall ato të mërkurën. Përkundër paralajmërimeve që shpallja e rezultateve të bëhet të hënën, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, ishin disa arsye tjera që ndikuan në shtyrje edhe për dy ditë.