Në ditët e fundit, Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë në qendër të vëmendjes dhe në mes të polemikave të mëdha pas publikimit të një përgjimi nga gazeta Nacionale. Përgjimi zbardh një bisedë ku ajo dëgjohet duke pranuar se ka pasur kontakte me Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, i cili është i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe në listën e zezë të ShBA-së.
Ndërkohë, është interesante kur vetëm një vit më parë, Mimoza Kusari-Lila deklaronte se nuk kishin pasur koordinim me Listën Serbe. Në një intervistë në emisionin “Prime Time” në Kanal 10, ajo pohonte se Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte pasur “asnjë komunikim me Listën Serbe në lidhje me votimin.”
“Kjo Qeveri është e para e cila nuk ka kërkuar t’i votohet ose nuk është varur nga votat e tyre dhe tash duket se kjo dhimbje që d.m.th kemi arrit në njëfarë forme të kemi stabilitet pa Listën Serbe i bëri që ata të thojnë që Lista Serbe të qëndrojnë aty derisa Lista Serbe nuk u paraqitën fare në seancë. PDK-ja nuk ka qenë në seancë prezente fare. Kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në ditën kur është votuar në lexim të parë Projektligji për pagën minimale. Ne nuk kishim nevojë për votat e tyre. Ne i kishim votat. Domëthënë as edhe një komunikim të vetëm s’e kemi pas për votim. Ajo ka qenë befasi e të gjithë neve kur e kemi parë dorën e ngritur të Listës Serbe”, deklaronte ajo para një viti.