Fjalori i Kristoforidhit u end në një “odise” të gjatë deri në botimin në 1904 me vlerësime por edhe me kritika, me frikën e zhdukjes dhe përpjekjet e patriotëve për ta rikuperuar. Kristoforidhi i frikësohej mosbotimit të Fjalorit dhe bëri përpjekje të mëdha për mbledhjen e fondeve për botimin e tij. Të gjithë shqetësimin e tij ai e përcjell në një letër dërguar Nikolla Naços në 25 dhjetor të vitit 1888: “Sot shtatë tetë fiet kur qesë unë sëmurë në Stambol dërgova Jano Vretosë në Vlahit e në Misir për të kërkuarë ndihmën mb’ë emërit tim që të stypetë leksikoja e ghuhësë shqipesë që jam munduarë 20 viet për atë punë edhe kam mbëledhurë 40000 fjalë shqip edhe u mbëlothnë katër qint Napolona t’artë mb’ emërit tim, edhe u vunë në bakët të Bukureshtit sepse nukë dilnin aq para pr të sttupurë leksikonë: atëherë pa pyetur mua, pa shkruarë mua, pa dhënë zë mua”….
Kjo letër proteste tregon se paratë e grumbulluara për fjalorin shkuan për libra të tjerë dhe Kristoforidhi nuk mundi dot të botojë në gjallje Fjalorin e tij. Ai kishte komunikuar vazhdimisht me Jani Vreton. Ky i fundit e vlerësonte fjalorin dhe bëri përpjekje maksimale që të mblidhte para për botimin e tij. Në një letër dërguar Kristoforidhit Vreto theksonte vlerat e fjalorit duke dhenë edhe këshilla për ruajtjen e fjalëve të vjetra shqipe. “…Ajo që më kënaq më shumë me përkthimin tuaj është gjuha juaj e pastër dhe elegance e saj. prandajlutem nga zemra që të këni mundësi të botoni sa më parë të jetë e mundur Fjalorin e gjuhës shqipe dhe gramatikën në mënyrë që gjuha jonë të dalë në dritë përara se të humbasë pka nga pak. Kam vënë re shumë fjalë latinë në veprat tuaja të cilat besoj se përdoren në disa krahina të Shqipërisë ose ndër autorët e vjetër shqiptarë. Mendoj se është mirë që gjatë huazimit të termave të pëlqehen ato më të lashtat mbasi gjuha jonë është shumë e lashtë”.
Në të vetmen letër zyrtare që gjendet në AQSH të dërguar nga “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” dërguar shoqërisë së Bukuresht që mban datën 23 korrik 1882, të firmosur nga Kristoforidhi, Jani Vreto, dy vëllezërit Frashëri etj, tregohet interesi i madh për Fjalorin.
“Për-së-ri u lutemi vëllazërisht të mos na mënohen’ e të mbetetë puna prapa, që e pritnimë me gojë hapëtë edhe kemi hequrë shumë mundimë, sikundrë q’e dini sa e prumë në këtë shkallë, se edhe hekuri rrahetë sa ësht’ i nxehëtë.
Ndë të luturitë tanë është edhe të luturitë e djemet zotërisë suaj edhe të tërë kombitë edhe të djemet për gjithë jetën’ e jetësë edhe shpresojmë të na dëgjohetë e të na vinjë të përgjegjuritë sa-kaqë-herë”.
Botimi ishte në vazhdim dhe do të ishte përfunduar nëse paratë nuk do të përdoreshin për libra të tjerë. Naim Frashëri që më pas do ta kundërshtonte botimin e Fjalorit do të firmoste këtë letër të Shoqërisë në 1882, por pak vite më vonë, pasi vdiq Kristoforidhi, ai do të aprovonte të kundërtën e interesit për botim të këtij fjalori. Në një letër drejtuar Vasil Terpos ai do ta quante fjalorin të pavërtetë dhe të kopjuar nga Hanni:
Nga letra e Naim Frashërit për Vasil Tërpon
Stamboll, 5 shtator 1896
Protestanëtë u pendohnë dhe shtypnë këngat e Davidhit me shkronjat’ e mërzitura të para! Ment o Perëndi. Po na kanë dhënë fjalë se do t’i shkruajnë të gjitha me radhë, me shkronjat’ e ra. Por edhe ato duanë ndrejtuarë se i ka bërë më shumë lathime Kristoforidhi. Mos epni të holla për Fjalëtoret’ të Kristoforidhit se nuk ësht’ i vërtetë, e pamë ne. ka marrë ca fjalë këtu atje nga një radhua që ka bërë Hahni, po s’i ka as me radhë, as të shuma. Ne e kemi zën’ dhe fjalëtoren e po e bëjmë, s’duam as pag’ as gjë, po si të mbarohenë ato që kini aty, vjen dhe ajo që çdo mizë s’bën mjaltë”.
Faik Konica për baronin N. Zëiedenek, marrë më 12 janar 1902
Bruksel, 31 dhjetor 1901
Zoti Baron,
Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqesisë suaj përmbajtjen e një letre që sapo mora. Dorëshkrimi Fjalorit të Kristoforidhit gjendet në duart e një farë Nikolla Nosit, tregëtar në Elbasan. Djali i Kristoforidhit i ka borxh një shumë të hollash dhe është pikërisht Nikolla Nosi ai, i cili është marrë me pazarllëkun e shitjes së dorëshkrimit si me Shoqërinë “Dituria” ashtu edhe me konsullin e Manastrit, sepse nga shuma e marrë prej shitjes ai do të mbajë borxhin dhe tepricën do ta marrë i biri i Kristoforidhit. Në letër më shkruajnë gjithashtu se si Nosi ashtu edhe i biri i Kristoforidhit ndodhen në Elbasan.
Së pari mora vesh, se kur u nda trashëgimia e të ndjerit K. Kristoforidhi, dorëshkrimi thonë se i mbeti të dytit prej tri vëllezërve, Stefanit që është një tregtar i vogël në Elbasan, dhe jo djalit më të madh, Aleksandrit që është mësues në shkollën vllahe të Voskopojës”…
Nëse Naim Frashëri ndërroi mendim apo u tregua “egoist” për botimin e veprave të tij, nëse vëllezërit Nosi e shitën fjalorin e Kristoforidhit, nëse, nëse…figurat tona kombëtare kanë dritë-hije, e rëndësishme është që ato të vihen në peshore dhe të vendosë populli se në cilin piedestal duhet të qëndrojnë.