Kurteshi: Vetëvendosja nuk u rrit mjaftueshëm për të fituar në Gjilan
Sipas rezultateve të Komisioni Qendror Zgjedhor, fitues në këtë komunë është kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri. Haziri fitoi 65.8 përqind kurse kundërkandidati i tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, arriti të sigurojë 34.2 për qind të votave.
Ky rezultat ndërkohë nga Kurteshi shihet ashtu siç është. Sipas tij, kishte një rënie të dukshme të numrit të votuesve nga subjektet që nuk kanë shkuar në balotazh dhe se fatkeqësisht, nuk kanë besuar në ndryshimin ose nuk e synojnë atë.
“Një konfirmim i rritjes së pamjaftueshme të Lëvizjes Vetëvendosje për fitore dhe ndryshim, si dhe një fitore e LDK-së”, ka thënë Kurteshi për Indeksonline, kur është pyetur se si e sheh rezultatin e balotazhit.
Gjithashtu, ai ka thënë se ka pritur një rezultat më të favorshëm për ndryshimin.
“Votuesi ka votuar për vazhdimësi të mënyrës së deritashme të kësaj qeverisjeje. Çfarëdo dhe sido që është marrë kjo votë, pa marrë parasysh mjetet e mënyrat e përdorura, është votë e qytetarëve të komunës së Gjilanit”, ka shtuar Kurteshi.
Ndër të tjerash Kurteshi është pyetur edhe rreth asaj se si e sheh tash e tutje qeverisjen e njëjtë në Gjilan, për katër vitet e ardhshme.
Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, kandidat në Gjilan, kjo qeverisje nga ta është konsideruar si keqqeverisje si dhe qeverisje e korruptuar skajshmërisht, e dëmshme dhe degraduese nga karakteri urban i jetës së gjithanshme.
“Me njerëzit e njëjtë në qeverisje, nuk mund të pritet qeverisje më e mirë, ashtu si ka dëshmuar përvoja e deritanishme, se nuk mund të ketë. Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë me opozitë të fortë, konstruktive por kundërshtuese të politikave dhe keqqeverisjes edhe më me ngulm dhe vendosmëri”, ka përfunduar Kurteshi.
Duhet shtuar se në zgjedhjet e 22 tetorit, Kurteshi kishte siguruar 26.97 përqind të votave, teksa Haziri nuk mbërriti të kalojë 50 përqindëshin, e kështu u mundësua edhe një raund i dytë i votimit.