Epilogu

Kurti: Diaspora është pasuria e Kosovës

Unioni i Bizneseve po mban Kongresin e dytë Ekonomik në Frankfurt të Gjermanisë, në të cilin po marrin pjesë qindra përfaqësues të bizneseve shqiptaro-gjermane.

Aty kryetari i këtij unioni, Nazmi Viqa tha se do të krijohet një shoqëri aksionare nga anëtarët e unionit.

Ndërsa Albin Kurti i cili synon të drejtojë qeverinë e re të Kosovës, premtoi që angazhimin institucional për mërgimtarët do ta bëjnë bashkë me diasporën, diçka që sipas tij deri tani ka munduar nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari Unionit të Bizneseve, Nazmi Viqa tha se nuk do të ndalen duke punuar për zhvillimin ekonomik e social të shqiptarëve.

“Ne jemi të vetëdijshëm që zhvillimi ekonomik i shtetit të Kosovës kërkon mbështetjen tonë në mënyrën e organizimit më të mirë të mundshëm. Ne edhe deri më tani në mënyrë individuale kemi dhënë kontribut të mirë në ngritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Por tani ka ardhur koha të punojmë më drejtim të investimeve të përbashkëta në projekte strategjike dhe projekte kapitale, e kjo do të bëhet përmes krijimit të një shoqërie aksionare nga anëtarët e unionit, që është synim i yni i radhës dhe pritet të realizohet shumë shpejtë. Të gjithë bashkërisht nuk do të ndalemi duke punuar në realizimin e objektivave tona për të lënë pas vetës një bagazh të mirë të punës dhe projekteve, si në unifikimin e faktorit ekonomik shqiptar në Gjermani, po ashtu në zhvillimin ekonomik social të vendeve tona të origjinës”, tha Viqa.

Ai tha se aktivitetet e deritanishme të unionit në Gjermani dhe Kosovë, flasin qartë për unionin si shoqatë më efikase dhe me e strukturuar ekonomike në gjithë diasporën shqiptare.

Pjesë e këtij kongresi ishte edhe Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes që po synon të bëhet shef ekzekutivi në Kosovë.

Para qindra përfaqësuesve të bizneseve shqiptare e gjermane, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër tha se rolin e diasporës shqiptare e sheh si vlerë kulturore ekonomike.

Ai tha se me qeverinë e udhëhequr nga ai, do të krijojnë qendra kulture për të cilat shteti kujdeset që gjuha, kultura e historia e brezave të mësohet nga fëmijët kudo.

“Ju jeni pasuria jonë që çdo popull do ta kishte lakmi, por, sikur çdo pasuri tjetër edhe kjo e juaja është e tillë vetëm nëse ne dimë ta përdorim për të mirën e përbashkët, parat që i dërgoni e të cilat shpesh herë që janë jetike për bashkëqytetarët tanë në Kosovë, shkojnë për konsum e mallra dhe shërbime të cilat përgjithësisht ne nuk i prodhojmë. Shkathtësitë dhe njohuritë që i posedoni do t’ua mundësojmë që të kthehen në biznese të reja në investime strategjike e në udhëheqje ndërmarrjesh që do të hapin vende të reja të punës, por do t’iu lidhin edhe juve më shumë me atdheun tonë. Me pak fjalë dashurinë e madhe dhe pakompromis që e keni për atdheun, nga i cili nuk kërkoni asgjë por vetëm i dhuroni gjithçka, ka ardhur dita ta kthejmë në partneritet strategjik për të mirën e vendit tonë”, tha Kurti.

Organizimi i kongresit u mbështet nga GIZ. Ralf Sanftenberg, përgjegjës i programit tha se po punojnë ngushtë që të vazhdojnë me partneritetin në arsim dhe në zvogëlimin e migracioni të parregullt.

“Ne krijojmë partneritet të arsimimit, ne mbështesim që mos të vije deri të migracioni të parregullt dhe të zvogëlohet numri i tyre dhe i mbështesim migrimin e sigurtë dhe të rregullt. Ne duam që personat e kualifikuar mos të ikin nga Kosova, dhe ne mundohemi që migracionin nga Kosova ta bëjmë në mënyrë ekonomike dhe financiare. Ne siç po shihet punojmë intensivisht me diasporën dhe ne kërkojmë që njerëzve gjatë kthimit të tyre të ua mundësojmë dhe lehtësojmë. Siç e shihni paleta jonë e punëve është e madhe, me Unionin e Bizneseve punojmë që disa vjet e sidomos në panairin e punës dhe siç e përmenda në partneritetin e arsimit”, tha ai.

E ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj tha se gjithë shqiptarët në diasporë janë ambasadorë të vendit.

“Jeni moto, gjithë këta shqiptarë që e i kemi në diasporë janë ambasadorë, por kur flasim për diasporën gjithmonë ndalem tek Gjermania sepse nga mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës që jetojnë në diasporë, 400 mijë jetojnë në Gjermani. Shqiptarë vetëm në Gjermani jemi rreth 600 mijë, me Maqedoni e Shqipëri. Nga ajo që zoti Kurti e përmendi, tash duhet lexuar edhe shifrat edhe aktet, prej 1 miliardshit i cili në fakt është 2 miliardë, rreth 40 për qind janë paratë e shqiptarëve të Gjermanisë që shkojnë në buxhetin e Kosovës”, tha Cufaj.

Ndërsa Lazim Destani nga Rrjeti global tha se krijimi i klimës së mirë për investime do të rriste investimet në trojet shqiptare.

“Afaristët e diasporës tonë krahas fuqisë investuese që kanë në duart e veta kanë edhe kontakte e bashkëpunime me investitorë të huaj, me krijimin klimës së mirë për investime shumë prej tyre ne mumd t’i nxjerri dhe t’i bindim për të investuar në trojet tona në krejt drejtimet. Në radhët e diasporës sonë kemi n]mjeshtër profesionistë, ekspertë nga të gjitha fushat”, tha ai.

Në këtë kongres u prezantuan disa projekte të realizuara nga Unioni i Bizneseve shqiptaro-gjermane në Gjermani./Kp/Telegrafi/

Exit mobile version