Kurti dikur “thumbonte” Veselin: ShIK-u e ka bazën në Mitrovicë, por nuk u takua me UDB-në
Albin Kurti 2015:
‘I doli hajdari edhe Kadri Veselit.’ – kështu thonë tash i madh e i vogël, në fshat e në qytet, anembanë Kosovës, shkruan Albin Kurti, themeluesi I Vetëvendosjes. Në shkrimin e tij, dërguar medieve, ai thtotë se fjalët e ndyra që i tha kryeparlamentari kah fundi i tentimit maratonik për seancë me 22 e 23 tetor, formuan konsensus në popullsi: e kemi ditur se është i këtillë e jo i atillë çfarë na shtirej! Fundja agjentët e shërbimeve sekrete informative e kanë për detyrë të mos duken të tillë, apo jo? Ndërkaq, nxitimi me të cilin Veseli orvatej ta çkyçte mikrofonin që e kishte harruar të ndezur gjersa shante vetëm sa ua vizatonte qytetarëve atë që moti e kishin ditur për të.
Kadri Veseli atë natë nuk po i shante Albulena Haxhiun dhe Fisnik Ismailin. Ai po shante vetveten e tij sepse sërish i kishte dështuar plani kundër opozitës. Në seancën plenare inatçore dhe arrogante që s’po arrinte të fillonte as pas mesnatës ai tashmë e kishte të qartë: opozita nuk ishte lodhur, opozita nuk ishte mërzitur, dhe, opozitës nuk i ishte harxhuar municioni (në trajtën e gazit lotsjellës të dhuruar nga policia e Kosovës).
Natyrisht që sharjet si shkarje tregojnë (të vërtetën) për karakterin e Kadri Veselit si dhe për edukatën e tij. Natyrisht që Kadri Veseli po bëhet gjithë e më i pacipë sepse po i pëlcet cipa artificiale nga temperatura në sallën e Kuvendit. Mirëpo, qëndrimet e mendimet e Kadri Veselit për opozitën e bashkuar e posaçërisht për Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk është se i mësojmë nga çastet e shpërthimit të tij. Përkundrazi, pikërisht njeriu i qetë, Kadri Veseli, na i thotë vetë ato.
Këtu nuk e kam fjalën për fjalitë e tij kaotike që i dëgjojmë nga ulësja e tij speciale për ata që kanë probleme me kurriz dhe qafë, pra, nuk e kam fjalën për fjalitë e tij prej kryeparlamentari që nuk e respektojnë as drejtshkrimin, as shqiptimin dhe as gramatikën e gjuhës sonë. E kam fjalën për një shkrim të tij të titulluar “Koha për debat parlamentar dhe agjenda pozitive për vendin” e të botuar te Koha Ditore, më 5 tetor 2015. Ky shkrim është përplot me gënjeshtra e pasaktësi, por le të ndalemi këtu vetëm në dy pika të këtij artikulli të njeriut të qetë Kadri Veseli duke dhënë me këtë rast edhe citatet përkatëse.
- ”Është e qartë se qytetarët e Kosovës nuk e përkrahin këtë mospërfillje. Populli i Kosovës kurrë nuk do t’i pranoj dogmat e mykura të ekstremistëve të majtë mbi ShBA-të si nëna e të gjitha të këqijave, dogma që kanë pushtuar mendjet dhe zemrat e shumë drejtuesve opozitarë në Kosovë.” Në opozitën kosovare nuk ka ekstermistë të majtë. Lëvizja VETËVENDOSJE! është socialdemokrate dhe vetëm ndoshta nga pozicioni fashist ajo mund të duket ekstreme e majtë. Më tutje, asnjë deputet i opozitës së bashkuar nuk i konsideron ShBA-të si një e keqe, as si nëna e të keqes, e as si ‘nëna e të gjitha të këqijave’! Kjo shpifje e ndyrë orvatet t’ia bëjë me sy ambasadorit amerikan në Kosovë dhe është shprehje e maliciozitetit të një servili. Madje, pikërisht në ShBA, psh. të gjithë kandidatët presidencialë republikanë po thonë se do ta rinegociojnë marrëveshjen e Obamas me Iranin sepse nuk e duan e nuk e pranojnë atë marrëveshje, ndërsa neve këtu përditë na thuhet prej regjimit dhe njerëzve të tij se Mustafa nuk mund ta tërheq nënshkrimin e tij.
- “Stagnimi ekonomik është duke rënduar përtej pragut të durueshmërisë jetën e qytetarëve tanë. Këtu qëndron rreziku, e jo tek Serbia, sundimi i të cilës mbi Kosovën ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në vitin 1999”. Më së paku pritet prej Kadri Veselit që vjen nga Mitrovica të provojë të na i shesë këto gjepura se sundimi i Serbisë ka marrë fund në vitin 1999 kur dihet e shihet që Mitrovica sot është e ndarë edhe më shumë sesa që ishte në qershorin e vitit 1999. Ndërkaq, të thuash se Serbia nuk është rrezik, por vetëm stagnimi ekonomik (i cili, në fakt, sërish vjen edhe nga kjo qeveri edhe nga ndarja e Trepçës dhe Mitrovicës) do të thotë t’i shërbesh strategjisë shoviniste e hegjemoniste të Serbisë. Ditë më parë, zyrtari më i lartë i Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, tha që Kosova nuk duhet të merret me bërjen e ushtrisë së saj por me arsimin, ekonominë etj. (sic.).
Kur isha herën e fundit në Mitrovicë e dëgjova një shaka interesante nga qytetarët atje. Ajo fillonte me pyetjen: çka bëhet (Kadri) Veseli kur e kalon urën mbi Ibër? Dhe, vazhdonte përgjigja lucide: (Zoran) Veselinoviq! Anasjelltas vlen po ashtu, do të shtoja unë. ShIK-u e ka bazën në Mitrovicë, por për 16 vjet askund asnjëherë agjentët e tij nuk u zatetën me ata të UDB-së së Serbisë e t’i lajnë hesapet. Apo, kushedi, ndoshta edhe janë zatetur, do të shtonte me ironi shakaxhiu nga Mitrovica!? – përfundon shkrimi I z. Kurti.