Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar sot serbin nga Shtërpca, Cvetko Vejlkoviq, këshilltar të tij politik dhe udhëheqës të zyrës për Komunitete. Veljkoviq u emërua në këtë pozitë pas dorëheqjes së Nenad Rashiqit, të cilit iu ngrit aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Cvetkoviq, duket se ka simpati për kriminelin serb të luftës, Radko Mladiq. Ai në profilin e tij ka shpërndarë edhe lajme që kontestojnë pavarësinë e Kosovës dhe shprehin haptaz kundërshtimin për intervenimin e NATO-s.
Cvetko Vejlkoviq do të jetë nga sot punëtor në qeverinë e Kosovës. Ai aty do të shërbej si këshilltar i kryeministrit Kurti, si dhe udhëheqës i zyrës për Komunitete, shkruan lajmi.net.
Në vitin 2014, Cvetkoviq shpërndante këngë heroizuese për kriminelin serb të luftës, Radko Mlladiq.
Ky i fundit është i dënuar me burgim të përjetshëm për 10 akuza për krime lufte, gjenocid e krime kundër njerëzimit.
Kënga të cilët e ka shpëndarë Cvetkoviq, ishte publikuar nga një rrjet i “këngëve patriotike serbe” në Youtube. E njëjta titullohet “Radko Mlladiq – Po më gjykojnë”.
Përveç kësaj, Cvetkoviq në Facebook shpërndante edhe lajme që kanë të bëjnë me mohimin e shtetësisë së Kosovës, në të cilat citohen fjalët e një ish-politikani gjerman.
Ky i fundit, në lajmin të cilin e shpëndante Cvetkoviq, thoshte se Gjermania nuk është dashur ta njihte kurrë Kosovën, dhe kundërshtonte hapur intervenimin e NATO-s në Kosovë.
Ndryshe, Cvetkoviq në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë ishte kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës.
Ai nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për ulëse në Parlament. Cvetkoviq garonte me koalicionin “Liria” të Nenad Rashiqit. /Lajmi.net/