fbpx
Lajme

Kurti e Mustafa sot projektojnë pamjen e qeverisë së re

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pritet të takohen sot për t’i dhënë fund negociatave rreth arritjes së koalicionit qeverisës. Në takimin e sotëm dy liderët do ta projektojnë planin e qeverisë së ardhshme, për të cilën partnerët e mundshëm të koalicionit janë optimistë se marrëveshja mund të arrihet së shpejti, madje qysh në fillim të javës së ardhshme.

Pas takimit të së enjtes që patën kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafën, dje grupet punuese të të dyja subjekteve politike e zhvilluan një takim tjetër, i cili i ka finalizuar çështjet programore për të cilat nuk ka pasur dakordim të plotë mes tyre. Madje përfaqësuesit e grupeve punuese të LVV-së kanë deklaruar se marrëveshja është gati të arrihet dhe se kjo pritet të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.

Ndonëse edhe nga LDK-ja e kanë konfirmuar dakordimin mes tyre, ata janë shprehur më të rezervuar sa i përket datës së mundshme të koalicionit. Përfaqësuesit e LDK-së kanë theksuar se marrëveshja do të arrihet pasi të ndahen përgjegjësitë qeverisëse, gjë e cila pritet të ndodhë sot në takimin mes Kurtit e Mustafës. Nga këto dy subjekte kanë vlerësuar se të gjitha çështjet që kanë mundur t’i ndajnë si ajo e postit të presidentit, tashmë janë tejkaluar, duke pohuar kështu se nuk ka gjë që e parandalon koalicionin LVV – LDK.

LVV: Marrëveshja arrihet në fillim të javës

Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas takimit që pati me përfaqësuesit e LDK-së, u shpreh se të dyja grupet kanë arritur pajtueshmëri të plotë sa i përket programit dhe se shumë shpejt do të arrihet marrëveshja. “Pas takimit që kishim me përfaqësuesit e LDK-së mund të them me përgjegjësi të plotë se të gjitha çështjet në kuptimin programor që i kemi pasur dhe për të cilat nuk kemi pasur një pajtim më herët sot janë finalizuar. Mund të them se sa i përket programit qeverisës ne kemi arritur pajtim 100%”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka theksuar se pjesë e diskutimeve nuk ka qenë as pozita e presidentit të vendit, as e kryeparlamentarit dhe as ajo e ministrit të Punëve të Jashtme. Ajo ka theksuar se fillimi i javës së ardhshme mund ta sjellë marrëveshjen LVV – LDK. “Për çështjet që kanë të bëjnë me ndarjen e përgjegjësive besoj se para të hënës do të ketë takim ndërmjet kryetarëve, gjegjësisht nesër. Jemi optimistë se marrëveshja do të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme dhe me kaq përfundon edhe puna e grupeve punuese dhe takimet mes kryetarëve”, ka deklaruar ajo, shkruan tutje Zeri

Haxhiu, e cila është optimiste që shumë shpejt do të arrihet marrëveshja LVV – LDK, ka theksuar se do ta presin presidentin Thaçi që ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit, në të kundërtën ajo thotë se sipas Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës deputetët kanë të drejtë të mblidhen vetë nëse një gjë të tillë nuk e bën presidenti. “Pas marrëveshjes e dini që varemi prej thirrjes së seancës nga ana e presidentit Thaçi, i cili i ka në dispozicion 30 ditë. Por në qoftë se ka vullnet në këtë kuptim ai do të duhej që seancën konstituive ta thërrasë shumë shpejt”, ka deklaruar ajo.

Haziri: Pas ndarjes së përgjegjësive arrihet marrëveshja

Përfaqësuesi i LDK-së në negociatat me Vetëvendosjen, Lutfi Haziri, pas takimit ka thënë se të dyja gupet punuese kanë arritur t’i përmbyllin çështjet që lidhen me kornizën e draftmarrëveshjes së koalicionit mes LDK-së e Vetëvendosjes. Përmes kësaj pune që është bërë, Haziri theksoi se është ndërruar standardi i ndërtimit të koalicioneve dhe kultura e bashkëpunimit nga e kaluara. Ai pohoi se nuk ka çështje që e parandalon ose e përshkallëzon raportin e ndërtuar LDK – LVV. Ai ka thënë se planprogrami ka qenë hapi i parë drejt marrëveshjes, ndërsa hapin e dytë, i cili ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësive, do ta kryejnë dy liderët e partive. “Grupet punuese kanë arritur t’i përmbyllin çështjet që lidhen me draftmarrëveshjen e koalicionit. Pjesa tjetër e punës besoj se është hap, i cili do të përmbyllet pa asnjë lloj problemi. Të gjitha çështjet që lidhen me strukturën qeverisëse me 12 ministra dhe me një zëvendëskryeministër do të vendoset tash nga liderët”, ka deklaruar ai.

Haziri theksoi se edhe çështja e presidentit, e kryetarit të Kuvendit dhe ajo e ministrit të Punëve të Jashtme janë çështje që do të zgjidhen në negociatat e drejtpërdrejta mes partnerëve pa asnjë lloj problemi. Ai deklaroi se sapo të arrihet marrëveshja e ndarjes së posteve do të nënshkruhet marrëveshja pa vonesa. “Asnjë punë nuk do të lihet më vonë, çështja e presidentit nuk është çështje që na dallon, por është diçka që tashmë është tejkaluar. Ndarja e përgjegjësive është hapi i dytë, që do ta bëjnë liderët e partive në takimin e radhës. Ne synojmë një arritje të marrëveshjes shumë shpejt, pra është çështje ditësh. Ne jemi të gatshëm që sapo të finalizohet hapi i dytë i marrëveshjes t’i realizojmë të gjitha obligimet tona brenda afateve ligjore e kushtetuese”, ka deklaruar Haziri.

Tutje Haziri ka folur edhe për minoritetet dhe për Listën Serbe. Ai ka shtuar se do t’i respektojnë të gjitha të drejtat kushtetuese të minoriteteve. Ndërsa se çfarë statusi do të ketë Lista Serbe në Kuvend, Haziri ka thënë se është çështje e vendosur tashmë, duke shtuar se pjesë e Qeverisë do të jetë një ministër serb dhe një ministër nga minoritetet tjera.

KQZ-ja njofton presidentin për rezultatet zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë të premtes e ka njoftuar zyrtarisht presidentin e vendit Hashim Thaçin për rezultatet zgjedhore të 6 tetorit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se gjatë ditës së djeshme presidentit i është dërguar shkresa njoftuese e rezultateve. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka njoftuar presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçin lidhur me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që janë mbajtur me datë 6 tetor”, ka deklaruar ai.

Elezi bëri të ditur se presidentit i është dërguar edhe një kopje e rezultateve të certifikuara edhe për kandidatët për deputetë që kanë marrë pjesë në zgjedhje. “Së bashku me shkresën njoftuese Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka bashkangjitur edhe një kopje të rezultateve të certifikuara. Pra, për të gjitha subjektet politike dhe për kandidatët që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje”, ka shtuar ai.

KQZ-ja të mërkurën e ka bërë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit. Partia me më së shumti vota është Lëvizja Vetëvendosje, e dyta LDK-ja, e treta PDK-ja, pas PDK-së vjen koalicioni AAK – PSD, pas tyre Lista Serbe dhe koalicioni Nisma – AKR – PD./ZERI

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close