Lajme

Kurti entuziast: Koalicionit VV-LDK nuk do të ketë kush t’i dal përpara

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Këshilli i partisë do të vendosë për kandidimin e tij si kryeministër ndërsa bën thirrje për krijimin e një koalicioni parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e që sipas tij do të ishte koalicion fitues i zgjedhjeve.


Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai u shpreh se do të preferonte një koalicion parazgjedhor me LDK’ën.

“Bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje i ka bashkërenduar hapat në opozitë për gjatë gati afër këto dy viteve dhe ne jemi ndarë të kënaqur nga ky bashkëpunim. Ka pasur sinqeritet, ka pasur seriozitet mirëpo bashkërendimi i hapave është i rëndësishëm që të kaloj në fazën e një plani të përbashkët dhe ne besojmë që formimi i një koalicioni parazgjedhor do të bënte që zgjedhjet e radhës të cilat do të jenë ose në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit të jenë festë e demokracisë, meqenëse një koalicioni të tillë nuk do të kishte kush t’i dal përpara por edhe shumë votues mbase edhe janë zhgënjyer me institucionet në përgjithësi për të mos thënë edhe me politikën do të ri zgjoheshin në mënyrë që ta kthejnë Kosovën në binarët e zhvillimit e të drejtësisë, prandaj ne themi hapur që jemi të interesuar për një koalicion të tillë sepse ishim opozita e vërtetë e cila duhet të shndërrohet në qeverisje të mirë”, u shpreh Kurti në këtë intervistë.

Ai u pyet edhe për takimin e tij me Kryetari n e LDK’ës, Isa Mustafa, ku tha se ai nuk ka rezultate shumë konkrete në këtë proces që do të mund të bënte një njoftim publik për to.

“Dakordimi tematik e problemor me kryetarin e LDK’së Isa Mustafa tashmë të rizgjedhur, gjithashtu edhe ideja që kemi nevojë për një qeverisje e cila është efikase dhe e cila nuk ekziston për vetveten, kundërshtimit që ja kemi bërë të dy ne buxhetit të vitit 2019 dhe humnera ku e kanë hedhur Kosovën besoj që problem të cilat i kemi le të themi nga e kaluara dhe dallimet që i kemi ekzistuese në të tashmen i minimizon karshi vullnetit për të ardhmen, me ç ‘rast idealet do t’i mirëmbajmë sepse interesi i përgjithshëm do të jetë mbi çfarëdo interesi të veçantë”, tha Kurti.

Ai insistoi se preferon më shumë koalicion parazgjedhor me LDK’ën.

“Unë preferoj që të fitojmë me koalicion parazgjedhor sepse në momentin që bëhet koalicioni lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës atëherë fushata bëhet e qetë, afirmative, pozitive, do të ketë shumë më pak polemika se sa kur garojmë ndaras sepse po garuam të gjithë ndaras fushata bëhet më e egër dhe në anën tjetër të gjithë ata që do t’i humbin zgjedhjet do ta dinë këtë para zgjedhjeve, me fjalë tjera nuk do të ketë njerëz që hidhërohen pas zgjedhjeve, po garuam veçmas do të mund të mendojnë se fitojnë, do t’iu nevojiten zgjedhjet të kuptojnë se kanë humbur e mandej do të mund të hidhërohen edhe të mbajnë inat mirëpo koalicioni LDK-Vetëvendosje është ai i cili i përcakton edhe fituesit edhe humbësit paraprakisht dhe na jep energjinë edhe kohen e mjaftueshme më se të mjaftueshme që të përqendrohemi tek qeverisja e ardhshme e mirë e nuk do të kemi kohë për të humbur, meqenëse tepër shumë na kanë humbur këta në këto më pak se dy vite që keq qeverisën”, tha Kurti.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close