Epilogu

Kurti i gëzohet marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që dikur kundërshtonte dhe Edita Tahirin e quante “Nanadimër”

Duket e çuditshme kjo rastësi, por edhe kalendari po tallet me ish-opozitarin dhe aktualisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Më 4 janar të vitit 2012, Albin Kurti e kundërshtonte fuqishëm Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për Lirinë e Lëvizjes. Ndërkaq, më 4 janar 2024, Kurti njofton se Qeveria e tij ka marrë vendim për zbatimin e pjesëve tjera të saj si një “akt i fqinjësisë së mirë”, shkruan Demokracia.com.

Marrëveshja që Kurti po e kundrështonte edhe në dimër, ishte arritur në verën e vitit 2011, më 1 korrik, në Bruksel, kur kryenegociatore e Kosovës ishte Edita Tahiri.

4 JANAR 2012

Ishte e zakonshme për Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurtin, që të kundërshtonin çdo marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Pakënaqësitë me këto marrëveshje shkaktonin dhunë, si brenda, ashtu edhe jashtë institucioneve të Kosovës.

Për të kundërshtuar marrëveshjen e arritur më 2 korrik 2011, Vetëvendosje kishte përgatitur një komunikatë që ua kishte shpërndarë medieve më 4 janar 2012, në të cilën kjo parti kishte bërë një “bilanc” të dialogut të vitit 2011. Kjo komunikatë, si shumë të tjera, nuk ekziston më në faqen e kësaj partie politike, pasi ato janë fshirë.

Për Kurtin dhe Vetëvendosjen, çdo raund i negociatave me Serbinë ishte një hap më tepër në zhbërjen e shtetit të Kosovës. Sipas tyre, vetëm gjatë vitit 2011 ishin realizuar 8-të raunde negociatash dhe në raundin e 5-të, ku bënte pjesë edhe Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e 2 korrikut, ishte e dëmshme për Republikën e Kosovës.

“Në të gjitha marrëveshjet (në atë për regjistrin civil, lëvizjen e lirë dhe pranimin e diplomave universitare), Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga të gjitha elementet e shtetësisë dhe sovranitetit për Kosovën”, thuhej në pankartën e shpërndarë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ankohej se detajet e marrëveshjeve po mbaheshin të fshehura nga qytetarët.

4 JANAR 2024

12 vite më vonë, ndonëse nuk i ka ndërruar “asnjë pikë dhe presje” Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, Qeveria e Kosovës, tani e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, pas dakordimeve të këtij të fundit të arritura në Bruksel, ka vazhduar me zbatimin e pjesës së mbetur të kësaj marrëveshje.

Targave të automjeteve të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, nuk do t’iu vendosen më letërngjitësit apo stikerat për t’ia mbulur stemat shtetërore.

Në njoftimin e Qeverisë, Kurti kishte “harruar” se kjo marrëveshje bëhej për të pakësuar shtetin e Kosovës, duke e quajtur atë si një “akt të fqinjësisë së mirë”.

KOMUNIKATA E PLOTË E VETËVENDOSJES, E CILA ËSHTË FSHIRË NGA FAQJA E KËSAJ PARTIE

Prishtinë, 4 janar 2012 – Gjatë viti 2011 Qeveria e Kosovës realizoi 8 raunde të negociatave me Serbinë ku kryenegociatore u zgjodh Edita Tahiri.

Kjo sipas Vetëvendosjes, deri në ditët e sotme, do të vazhdonte t’i kryente me përpikëri detyrat që i ishin ngarkuar nga Qeveria e Kosovës: të lëshonte pe karshi shtetit të Serbisë edhe nëse kjo do të nënkuptonte degradimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Secili raund i negociatave po sipas Vetëvendosjes ishte një hap më tepër në zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Raundi I
8 mars 2011
Edita Tahiri i nisi negociatat me Serbinë që ende nuk na ka njohur. Serbia nuk u kushtëzua për asgjë nga Kosova ndërkohë që me negociata po i lehtësohet rruga për në BE. Negociatat nisën duke e shpërfillur Kuvendin e Kosovës.

Raundi II
28 mars 2011
Në negociata shtohen tema të reja (telekomunikacioni dhe energjetika), ndërsa për temat e Raundit të parë (regjistri civil dhe librat kadastral) Edita Tahiri fillon të lëshojë pe dhe shprehet e gatshme që Kosova t’i pranojë vetëm kopjet. Pala serbe mbetet në qëndrimin fillestar: origjinalet e regjistrit civil dhe librave kadastralë mbesin në Serbi.

Raundi III
15 prill 2011
Kartat e identitetit, pasaportat, sigurimi i veturave, patentë-shoferët dhe tabelat e veturave, të gjitha këto çështje të brendshme të Kosovës, bëhen tema në negociata.

Raundi IV
17 maj 2011
Negociatave u shtohen edhe dy tema: personat e pagjetur dhe trashëgimia kulturore e Kosovës.

Ajo çka do të duhej të ishte një prej kushteve për të negociuar me Serbinë (kthimi i personave të pagjetur) bëhet temë e negociueshme!

Raundi V
2 korrik 2011
U arritën marrëveshjet e para në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit kishte refuzuar kategorikisht çfarëdolloj marrëveshje që njeh shtetësinë e Kosovës.

Në të gjitha marrëveshjet (në atë për regjistrin civil, lëvizjen e lirë dhe pranimin e diplomave universitare), Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga të gjitha elementet e shtetësisë dhe sovranitetit për Kosovën.

Detajet e marrëveshjeve, sikurse i gjithë procesi negociator, u mbajtën të fshehta nga qytetarët e Kosovës – sot e atë ditë!

Raundi VI
2 shtator 2011
Edita Tahiri takohet sërish me Borisllav Stefanoviçin i cili kishte shpërfaqur tashmë edhe në vepër qëndrimin e Serbisë karshi shtetit të Kosovës, duke u prirë strukturave oëegaëe dhe armiqësore të Serbisë në barrikadimin e veriut të vendit.

Qeveria e Kosovës i la vulat doganore pa Republikë të cilën e hoqi edhe nga dokumentet e tjera përcjellëse.

Ndërkohë që në veri të vendit vriteshin e plagoseshin policët shqiptarë, megjithë faktin që edhe vetë Hashim Thaçi deklaroi se dhuna e strukturave paralele në veri është e orkestruar nga shteti i Serbisë, ndaj këtij shteti u bënë kompromise të reja në kurriz të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Raundi VII
21 nëntor 2011
Vazhdojnë negociatat mbi marrëveshjet e arritura gjatë raundeve të kaluara. Diskutohen edhe marrëveshjet që u arritën më vonë për çështjen e kufijve.

Raundi VIII
30 nëntor 2011
Ndonëse vetë Edita Tahiri kishte deklaruar që me Serbinë nuk do të negociohen çështjet e doganave dhe kufijve, në këtë raund Qeveria e Kosovës e bëri kompromisin e radhës duke hequr dorë edhe më tutje nga shtetësia e Kosovës.

Kufiri shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shndërrua në kufi administrativ ndërsa pikat kufitare në pika kaluese.

Exit mobile version