Epilogu

Kurti mashtron përsëri, shkruan se politikanët shqiptarë votuan ligj që amniston kriminelët serbë në Veri të Kosovës për ngjarjet e vitit 2000 – Ligji për Amnistinë thotë krejt të kundërtën

Në përkujtimin e tij për masakrën e vitit 2000 kur struktura kriminale serbe në Veri të Kosovës vranë 10 shqiptarë, plagosën 25 të tjerë dhe i dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 11 mijë e 364 shqiptarë, Albin Kurti shkroi se Kosova në vitin 2013 ka votuar ligj për amnistinë që i falë kriminelët.

Por, Kryeministri i Kosovës ka gënjyer rëndë, duke bërë një akuzë krejtësisht të pabazë për politikanët e atëhershëm, meqë nëse shikohet Ligji për Amnistinë, del se krime të tilla çfarë kanë ndodhur në veri dhe çfarëdo vrasje tjetër përjashtohet kategorikisht nga amnistia.

Çfarë shkroi Kurti?

Në statusin e tij në Facebook, Kurti shkroi se masakra e kryer mesnatën e kalimit nga 3 shkurti në 4 shkurt,  “u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës”.

Çfarë thotë Ligji për Amnistinë?

Në Ligjin për Amnistinë, apo zyrtarisht “Ligji Nr. 04/L-209 për Amnistinë”, në Nenin 4, kodifikohen “Përjashtimet nga Amnistia”.

Aty qartësohet krejtësisht se për cilat krime nuk mund të ketë amnisti asnjëherë.

Krimet që nuk amnistohen ndahen në tri grupe.

Grupi i parë i krimeve që nuk amnistohen janë “veprat kundër akterëve ndërkombëtarë dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë. Anëtarët e forcave ndërkombëtare të sigurisë janë gjithmonë nën juridiksionin e shtetit dërgues”.

Grupi i dytë i veprave që nuk amnistohen janë ato “të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare përfshirë ato vepra penale të Kapitullit XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Kapitullit XIV të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe Kapitullit XVI të Kodit Penal të RSFJ 1976”.

Dhe gjithashtu, nuk amnistohen, të gjitha “veprat penale që kanë rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose me vdekje”.

Ligji per Amnistine, Neni 4: Perjashtimet nga Amnistia

Rrjedhimisht, krimet e kryera nga forcat serbe në Veri të Mitrovicës nuk mund të amnistohen kurrë dhe madje Ligji për Amnistinë veçse e kodifikon këtë pamundësi të amnistimit.

Përkundër kësaj, Kurti nga pozita e kryeministrit shkruan të pavërteta dhe në kundërshtim me atë se çfarë thotë ligji, proklamon se krimet e serbëve të veriut u amnistuan.

Kjo nuk është hera e parë që Kurti në deklarimet e tij publike keqciton qëllimshëm për të prezantuar para qytetarëve rrëfime të përshtatshme për narracionin e tij për atë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodhë në Kosovë.

Exit mobile version