Epilogu

Kurti: Nuk duhet të brengosemi se protestat e VV’së do të jenë të dhunshme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk e di se cili do të jetë reagimi qytetar dhe i Lëvizjes Vetëvendosje, nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të jetë në favor të partisë që ai drejton.

Por, Kurti ka shprehur se edhe nëse do të ketë protesta, pret që ato të mos jenë të dhunshme.

Në një intervistë për Syri Tv, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se angazhohet për zgjidhje paqësore të problemeve, teksa ka folur për protestat e mundshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth Qeverisë së re apo zgjedhjeve.

Ai nuk foli nëse do të organizojnë protesta, por tha se ato i bëjnë qytetarët. Gjithsesi, Kurti theksoi se edhe nëse do të ketë protesta, ato nuk do të jenë të dhunshme.

“Protesta i bëjnë qytetarët, i bëjnë edhe aktivistët tanë. Nuk e di çfarë do të jetë reagimi qytetar dhe i Vetëvendosjes. Duhet ta lexojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam i gatshëm ta pranoj çdo vendim të gjykatës i cili është interpretim i Kushtetutës por nuk jam i gatshëm të pranoj shkrim të Kushtetutës”, ka deklaruar ai.

“Unë mund të them që angazhohem gjithmonë për zgjidhje paqësore dhe metodat ne i kemi paqësore, i kemi të pa dhunshme. Nuk e besoj që do të ketë nevojë për kurrfarë tensionimi apo destabilizimi se përveç tjerash besoj në profesionalizmin, në paanësinë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, paçka se ata ndodhen para një presioni të Presidentit. Unë besoj se do ta marrin vendimin e duhur dhe meritor. Protesta mund të ketë për aq shumë gjera, mirëpo nuk besoj se ne duhet te brengosemi se ato do të jenë të dhunshme”, ka thënë ai.

Exit mobile version