Kryeministri Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij si dhe ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka gjithashtu me kabinetin e tij janë këshilluar të vetëizolohen pasi një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një të prekur me COVID-19.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili gjithashtu është në vetëizolim, përmes telefonit ka thënë se shëndeti i të gjithë personave të cilët janë në vetëizolim është i mirë dhe asnjë prej tyre nuk ka simptoma.
Ai tha se po ndiqen këshillat e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë deri në publikimin e rezultatit për zyrtarin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane.
“Në vetëizolim, pas njoftimit se një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të afërt me një person i cili së fundmi është identifikuar me COVID-19, jemi kabineti i kryeministrit bashkë me kryeministrin sikurse edhe ministri i Integrimeve Evropiane bashkë me kabinetin e tij. […] Shëndeti ynë është shumë mirë. Ne nuk kemi asnjë simptomë brengosëse. Ky vendim ka ardhur si rezultat i udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë që të vetëizolohemi si masë parandaluese duke qenë se ende nuk ka një rezultat të konfirmuar nëse zyrtari i Ministrisë së Integrimeve Evropiane është apo nuk është i infektuar”, deklaroi Kryeziu.
Rezultati për zyrtarin qeveritar pritet të publikohen gjatë pasdites ose në orët e mbrëmjes ndërsa varësisht nga kjo do të ketë edhe rekomandime për kryeministrin Kurti, ministrin Reka dhe kabinetet e tyre.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës deklaroi se nëse rekomandimet janë që duhet të vazhdohet me vetëizolim atëherë do ta respektojnë atë.
Kryeziu informoi se kontakti i fundit me zyrtarin e dyshuar si të prekur me COVID-19 ka qenë gjatë ditës së premte.
“Kontakti i fundit ka qenë gjatë javës që lamë pas, përkatësisht gjatë ditës së premte. […] Fillimisht ne jemi në pritje të publikimit të rezultateve dhe pasi të publikohen rezultatet e testit të zyrtarit nga Ministria e Integrimit dhe në varësi të rezultatit sipas rekomandimeve të IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë ne do t’i respektojmë veprimet që duhen ndërmarrë”, vijoi Kryeziu.
Kryeziu u shpreh se përkundër që sot nuk kanë qenë në punë, janë në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin dhe stafin tjetër dhe siguroi se të gjitha punët e planifikuara janë duke u kryer.
“Ne kemi mbajtur intensitetin e punës. Volumi i punës është i njëjtë. Jemi të gjithë në kontakt me njëri-tjetrin sikurse edhe me kryeministrin nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit. Të gjithë janë duke i kryer dhe respektuar detyrat e dhëna pavarësisht sfidës që nuk mund të jemi në një zyrë ku rrjedhshmëria e informacioneve dhe komunikimit do të ishte dukshëm më e mirë sidoqoftë ne jemi në orar të punës dhe gjithsecili është i qasshëm në çdo moment nga nevoja apo kërkesa”, përfundoi Kryeziu.