Takimi prej më shumë se tri orësh mes kryeministrit Albin Kurti dhe Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës ka përfunduar pa marrëveshje, mëson Gazeta Express nga burimet e saj të sigurta.
Burimet e Express bëjnë me dije se në takimin që rezultoi pa marrëveshje nuk pati as premtime për plotësimin e kërkesave të policisë nga ana e kryeministrit.
Sipas të njëjtave burime, në takim ka pasur edhe momente kur është ngritur toni i zërit mes pjesëmarrëse. Bëhet me dije se kryeministri ka qëndruar në pozicionin e tij dhe policët në kërkesat e tyre.
Pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, para dy javësh, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).
Ata protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës me tri kërkesa kryesore: kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe që të ketë shtesa për kushte specifike të punës.
Një tjetër protestë u paralajmërua nga ta për të marten e javës që shkoi (07.11.2023), por po atë ditë Policia njoftoi se protesta është pezulluar përkohësisht. Ky vendim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.