Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur një lutje për gazetarët dhe, përmes tyre, për qytetarët.
Lutja ishte e thjeshtë dhe e shkurtër.
“Ju lutem, duajeni Kosovën, bile sa e don Amerika”, tha Kurti në konferencën e parë për media, pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë besoj se duhet ta duam edhe më shumë, po bile sa e do Amerika”, vijoi i pari i qeverisë.
Përgjërimi i Kurtit për dashuri ekuivalente, si ajo e amerikanëve për Kosovën, ka ardhur pasi një gazetar e ka pyetur rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kryeministrit nuk i ka pëlqyer pyetja, meqë, siç thotë ai, në Kosovë po vihet në qendër asociacioni dhe, në fakt, duhet të flitet për njohjen reciproke, e cila është në qendër të dialogut.
“Kështu ka thënë letra e Biden dhe gjithashtu edhe letra e Blinken-it”, ravijëzoi Kurti, i cili vijoi se, “njohja duhet të jetë në qendër të dialogut në Bruksel”.
Më tej, shtoi se, “Kosova e ka asociacionin e komunave dhe besoni që, mua si kryeministër, mjaft po më del ky asociacion ekzistues”.
Gjatë konferencës, i pyetur rreth zërave të fundit se, tashmë ekziston një plan për Asociacionin dhe madje është propozuar nga vetë Qeveria e Kurtit, ai komentoi se “unë nuk jam në dijeni si kryeministër për ndonjë farë plani për asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Sipas tij, “kjo çështje është trajtuar shumë herë dhe nuk besoj se mund t’i shtoj diçka të re”.
Kurti ka përsëritur se “kushtetutshmëria në Kosovë nuk toleron asociacionin mbi baza etnike”.
Prandaj, ai “mund të jetë mbi baza zhvillimore, por jo mbi baza etnike”.
“Po i pyetëm edhe qytetarët, askush nuk e ka prioritet një asociacion të tillë. Të gjithë duan vende pune, shkollim, drejtësi dhe luftim të korrupsionit”.
“Kam qenë në Shtëpinë e Bardhë”
Kryeministri ka folur edhe për polemikën rreth vendndodhjes së tij, kur u takua me Jake Sullivan, këshilltar për siguri nacionale i presidentit amerikan, Joe Biden.
Ai ka deklaruar se me Sullivan u takua në Shtëpinë e Bardhë.
“Takimi me Sullivan u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë. Nëse nuk ua heq dilemat as ambasadori, më duhet ta pranoj që e kam vështirë t’iu ndihmoj”.
Kryeministri ka folur edhe për takimet e tjera në SHBA.
“Kam takuar shtatë senatorë, 12 kongresistë. Kam takuar shefen e përgjithshme të USAID, si dhe shefen e përgjithshme të korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit”.
Unë kam shkuar për dy gjëra, investime dhe siguri dhe për këtë i kam pasur takimet më të mira.
“S’kam marrë ftesë për takim me Vuçiç-in”
Sa i përket takimit të radhës të nivelit të lartë në dialogun Kosovë – Serbi, të cilin e kishte paralajmëruar para fillimit të verës, Përfaqësuesi i Lartë i Politikes së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kurti thotë se ende s’ka pranuar një ftesë.
“Unë nuk kam marrë ftesë nga Borell. Kur ta kem, pa dyshim që do ta trajtoj me përkushtim të madh dhe qasje pozitive, por nuk ka një ftesë të tillë”.
“Mund ta ketë menduar (Borell-i), por në postën tonë nuk ka ardhur një aso ftese”. /Albanianpost.com