Në dhjetor të vitit që lamë pas kompania amerikane “Contour Global” e cila ishte kontraktuar nga Qeveria Haradinaj për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, dhe e cila u tërhoq nga projekti pas ardhjes së Qeverisë Kurti I, kishte paditur Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit. Më 15 qershor të 2021-tës, kompania në fjalë është tërhequr nga padia, pas arritjes së marrëveshjes me Qeverinë Kurti II, e cila nuk u bë publike asnjëherë, ka bërë të ditur Demokracia.com
Tash investitori Contour Global tërhiqet nga investimi në energji. Kosova e Re ka qenë projekti dhe investimi më i madh direkt në Kosovë, me 1.3 miliardë Euro! Ky projekt është bazuar në njërën prej pasurive kryesore të vendit tonë, rezervat e pesta të thëngjillit në botë, dhe do të zgjidhte problemin me furnizim stabil të energjisë në Kosovë. Për më shumë, ky projekt do të hapte 20 mijë vende të punës dhe do ta bënte Kosovën lider të energjisë”, ka thënë Haradinaj.
Rreth 20 milionë euro parashihej që t’i paguante Kosova kësaj kompanie amerikane, të cilat Contour Global i kërkoi me arsyetimin se Qeveria nuk ka kryer një transfer të mjeteve që e kishte obligim, sipas kontratës, ta kryente deri në ditën e dërgimit të letrës, përcjell Demokracia.com.
Kompania amerikane kishte dhënë afat që brenda 30 ditësh t’ia paguajë shumën prej 20 milionë e 53 mijë e 125 euro e 63 cent, por që kjo nuk është paguar.
Sidoqoftë, palët duket se janë marrë vesh lidhur me këtë çështje, pasi që më 15 qershor të këtij viti, “Contour Global” ka tërhequr padinë ndaj Kosovës, derisa marrëveshja nuk u bë e ditur për publikun nga Qeveria që e udhëheq Albin Kurti, raporton Demokracia.com.
Një gjë e tillë mund të shihet edhe në faqen e Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve mbi Investimet, ku thuhet se “më 15 qershor Sekretari i Përgjithshëm ka lëshuar një urdhër duke marrë parasysh ndërprerjen e procedimit në përputhje me Rregullën 43 (1) të Arbitrazhit ICSID”.
Po ashtu, shihet qartë se statusi i procedimit është i përfunduar, raporton Demokracia.com.
‘Contour Global’ më 17 mars 2020 kishte thënë që do të tërhiqet nga ky projekt, me arsyetimin se si rezultat i situatës politike në Kosovë, projekti i tyre e ka të pamundur të arrijë afatet para datës së kërkuar të përfundimit të projektit.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ishte shprehur kundër marrëveshjes me Contour Global. Gjatë kohës sa ishte në opozitë ai kishte thënë kjo kompani amerikane nuk punon për Kosovën dhe qytetarët e saj, por anasjelltas, qytetarët e Kosovës punojnë për të.
Deri tani, nuk dihet se cila është marrëveshja e arritur mes dy palëve dhe arsyeja se pse nuk u bë publike nga Qeveria e Kosovës./Demokracia.com/