fbpx
Lajme

Kurti: Serbia makth për fqinjët, po vazhdon me ëndrra të vjetra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që ta lërë mënjanë nacionalizmin, duke thënë se Beogradi po vazhdon me ëndrra të vjetra, të cilat janë bërë makthe për fqinjët e saj, por edhe për vetë popullin serb.

Në një intervistë për “Financial Times”, e publikuar të hënën, Kurti ka thënë se një simetri e të drejtave të pakicave nga të dyja palët do ta luftonte më së miri nacionalizmin.

“Këtu mendoj se është problemi me Beogradin. Ata vazhdojnë me ëndrrat e vjetra, të cilat bëhen makthe për fqinjët e Serbisë, por edhe për popullin serb. Një simetri e të drejtave të pakicave, të njëjtat të drejta për serbët në Kosovë dhe kosovarët në Serbi, do ta luftonte më së miri nacionalizmin”, është shprehur ai.

Kurti ka shtuar se ekziston një rrezik i qartë i përfshirjes ruse në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke rritur mundësitë për konflikt.

“Jemi të shqetësuar, por jo të frikësuar. Si do të zhvillohet situata do të varet shumë nga qëndrimi dhe presioni i demokracive perëndimore ndaj Beogradit”, ka thënë ai.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka kërkuar nga fuqitë perëndimore që ta ndihmojnë Kosovën në ambicien e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ai gjithashtu ka kërkuar që të rritet presioni ndaj Serbisë në mënyrë që të zgjidhen tensionet prej dekadash sa i përket shtetësisë së Kosovës.

“Ne kemi nevojë për ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të tjerëve, për të na ndihmuar me mosnjohësit”, tha Kurti.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close