Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, duke komentuar vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut, ka theksuar se ky i fundit ka filluar të imitojë taktikat politike të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës në vitet e 90’ta, të cilit kur i ngushtohej hapësira për manovrim të brendshëm, tentonte të përfitonte politikisht duke i përdorur politikanët shqiptarë jashtë shtetit shqiptar, duke përkrahur njërin lider kundër tjetrit.
“Këtë strategji ka filluar ta ndjek Albin Kurti në Luginë dhe në Maqedoninë e Veriut, për shkak të presioneve të brendshme. Pas dështimit të turpshëm me Blerim Rekën i është kthyer përsëri kësaj aventure politike”.
Në këtë lojë të rrezikshme e cila bie në kundërshtim me traditat e projektit modern nacional shqiptar, Kurti, beson Kasolli, po gjen mbështetje edhe te politikan mediokër sikur kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, i cili ndër të tjera deklaroi se Kurti është kryeministret i të gjithë shqiptarëve.
“Nonsens logjik. Kurse ky i fundit i entuziazmuar nga ajo shfaqje karanvaleske nuk la pa e rekomanduar Maqedoninë e Veriut se si duhet të orientohet në aspektin gjeostrategjik. Dhe kënd po e këshillon? Një shtet që e ka Ali Ahemtin liderin kryesor të shqiptarëve, ku pa orientimin e tij të qartë kombëtar dhe strategjik, Maqedonia e Veriut sot as nuk do të ishte ne NATO, dhe as në rrugën e integrimeve euroatlantike”, ka shkruar ndër të tjera Kasolli në rrjetin e tij social në Facebook.