Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e sotme në Kuvend (që i dedikohet Grevës së Përgjithshme) ka folur edhe në lidhje me klasën ekonomike që pretendon se i takon. Ai këtë rrëfim e ka bërë duke mbrojtur pozicionin e ngurtësuar të Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të punëtorëve të sektorit publik. Por, a është kryeministri ynë pjesë e klasës së mesme?
Jo.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vetëm në formë të rrogave deri në vitin 2021 plot 178 mijë e 699 euro. Kjo mund të dokumentohet fare kollaj përmes deklarimeve të pasurisë që vetë z. Kurti i ka bërë përgjatë viteve në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Është e vështirë të përcaktohet saktësisht se cili nivel i të ardhurave të fut në klasë të mesme. Megjithatë, është e pamundur të thuhet se niveli i të ardhurave të kryeministrit, që më herët ishte edhe deputet, e fut në këtë klasë.
Për më tepër, kryeministri i vendit ka edhe një histori më të gjatë e më të gjerë ekonomike.
Asnjë kursim, asnjë investim
Përkundër shumës prej 178 mijë e 699 eurove që i mori në paga mujore përgjatë këtyre viteve, Kurti nuk ka bërë asnjë investim kapital apo asnjë kursim – siç bëjnë njerëz të klasës së mesme për t’u siguruar financiarisht.
Në deklarimet e tij të pasurisë në AKK, nuk ndodhet asnjë pasuri e paluajtshme dhe asnjë pasuri e luajtshme (veturë, stoli, bibliotekë etj).
Në vitin 2010, ai kishte shitur banesën e tij në Dardani për të financuar Lëvizjen Vetëvendosje, gjë që ishte konfirmuar në atë kohë nga Hysen Durmishi, zyrtari i financave në parti.
Ndërkohë, apartamenti me sipërfaqe prej 67 metrave katrorë dhe i blerë në vitin 2018 mban pronësinë e bashkëshortes së tij, Rita Knudsenit, një hulumtuese nga Norvegjia.
Kurti ka qenë jashtëzakonisht diskret në lidhje me mënyrën se si i ka harxhuar paratë e tij. Në një deklarim të pasurisë të bërë në vitin 2016, ai është shprehur se i ka dhuruar 4092 euro për stafin e tij në formën e pagës vjetore në prill të vitit 2015, por pa specifikuar se për cilin staf bëhej fjalë.
A mund t’i lejonte këto lukse vetes një anëtar real i klasës së mesme?
Qiraja e ulët
Kryeministri Kurti është kritikuar në vazhdimësi nga aktivistët e Partisë Socialdemokrate në lidhje me qiranë e ulët që paguan për shtëpinë luksoze 230 metërshe në Taslixhe.
Në lidhje me këtë çështje, Nacionale ka informuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe e cila tashmë do të hetojë rastin.
Kurti është shortuar mes zyrtarëve publikë të cilëve do t’ju kontrollohet pasuria gjatë vitit 2022.
Në lidhje me këtë qera të ulët, Kurti ka dhënë shpjegimin si vijon:
“Banoj në shtëpi me qira, sipas kontratës të lidhur me qiradhënësin B.Z. në afat prej 3 vitesh me mundësi vazhdimi edhe për një afat shtesë prej 3 vite në kushte të njëjta siç janë parashikuar në kontratë. Qiraja është në shumë prej 250 euro në muaj.”
Pra, kryeministri i vendit nuk i takon klasës së mesme ekonomike në kontekstin kosovar./nacionale/