fbpx
Lajme

Kurti thotë se LVV do të vëzhgoj çdo hap të ndërrmarrjeve publike lidhur me konkurset e bordeve

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se LVV do të vëzhgojë çdo hap të institucioneve dhe ndërmarrjeve  për të siguruar një ecuri të ligjshme e korrekte, shkruan IndeksOnline.

Kurti ka thënë që gjatë qeverisjes së tij kanë ndërhyrë në 10 në 10 ndërmarrje publike, duke shkarkuar bordet e drejtorëve.

Sipas tij, janë emëruar borde të përkohshme që mund të shërbejnë deri n 6 muaj.

I pari i LVV ka ftuar të gjithë profesionistët nga rajoni të aplikojnë për konkurset e hapura në ndërrmarje.

Njoftimi:

Të dashur bashkëkombës e bashkëqyterarë,

Gjatë katër muajve të qeverisjes në Republikën e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! punoi veçanërisht për sundimin e ligjit dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Faktor i rëndësishëm i zhvillimit janë padyshim edhe ndërmarrjet tona publike, të cilat i gjetëm në gjendje të rëndë, por me shpresë se secilën prej tyre mundemi ta qesim në rrugë të mbarë.

Gjatë qeverisjes sonë, ne ndërhymë në 10 ndërmarrje publike, duke shkarkuar bordet e drejtorëve, që kishin shkelur detyrat e besuara dhe kishin sjellë ndërmarrjet buzë greminës. Në vend të tyre emëruam borde të përkohshme, që mund të shërbejnë deri në 6 muaj. Misioni i tyre ishte i qartë: të ndalin gjakderdhjen financiare dhe t’i hapin shteg rimëkëmbjes e zhvillimit.

Detyra e madhe e rimëkëmbjes dhe zhvillimit do t’u takojë tani drejtorëve të rinj. Ashtu siç kërkon ligji, institucionet tona do të shpallin konkurset për drejtorët me mandat të plotë në 10 a më shumë ndërmarrje. Do të shpallen konkurse edhe për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve: pozitat e kryeshefit ekzekutiv, zyrtarit kryesor financiar, të sekretarit korporativ apo këshilltarit të përgjithshëm dhe të auditorit të brendshëm. Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të vëzhgojmë çdo hap të institucioneve dhe ndërmarrjeve tona për të siguruar një ecuri të ligjshme, korrekte e transparente të rekrutimit.

Qeverisja jonë ka vendosur standarde të larta të administrimit të ndërmarrjeve publike. Ne nuk do të lejojmë që këto standarde të rrënohen lehtë.

Ligji mirëpret kandidimin e profesionistëve pa marrë parasysh shtetin e prejardhjes ose vendbanimin. Andaj ne u bëjmë thirrje të gjithë profesionistëve — në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, kudo në rajon, e posaçërisht në mërgatë — të aplikojnë për pozitat që do të shpallen. I ftojmë që të ndajnë me ne zotësinë dhe përvojat e tyre. Të marrim më të mirën e vendeve të zhvilluara për ta zhvilluar edhe ne vendin tonë.

Kosova dikur ka pasur ndërmarrje të përmendura në mbarë Evropën. Sot ka ndërmarrje publike që kanë vuajtur nga keqqeverisja dhe krimi. Por ne kemi punuar për të ndalur të keqen. Dhe e dimë mirë se secila nga ndërmarrjet tona ka potencialin për të qenë shembull i qeverisjes së mirë dhe i shërbimit cilësor për klientët e vet.

Ndërmarrjet tona publike operojnë në shumë lëmenj: energjetikë, miniera, komunikime postare e elektronike, transport hekurudhor, sektor të ujërave dhe shërbime të tjera publike.

Ndërmarrjet tona do të kenë nevojë për udhëheqës të ndershëm e të përkushtuar. Do të kenë nevojë për inxhinierë, për ekonomistë, për kontabilistë e auditorë, për juristë, për administratorë e për ekspertë të fushave të ndryshme e të kalibrit të lartë.

Ndërmarrjet tona do të kenë nevojë për gratë dhe burrat më të mirë të kombit tonë e të komuniteteve të Kosovës.

Konkurse për zyrtarë të lartë janë hapur në këto ndërmarrje:

— Korporata Energjetike e Kosovës, deri më 12 qershor

— Telekomi i Kosovës, deri më 13 qershor

— Posta e Kosovës, deri më 27 qershor

— KRU Prishtina, deri më 27 qershor

Sa më shumë kandidatë të përgatitur që të kemi, sa më shumë profesionistë të gatshëm për të drejtuar ndërmarrjet në përputhje me interesin publik, aq më e vështirë do të jetë që dikush të shtyjë para përzgjedhjen e gabuar, për synime të ngushta familjare, partiake a klanore. Ndikimin e mujsharëve që kanë kapur shtetin nuk do ta lejojmë.

Me njerëz meritorë në pozita drejtuese, do të vijë edhe ndryshimi që meritojnë qytetarët e Republikës së Kosovës. Andaj ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij ndryshimi, duke aplikuar për pozitat e drejtorëve dhe të zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet tona publike.

Mirardhshi dhe ju priftë e mbara!

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close