Epilogu

Kusari-Lila godet opozitën pas deklaratës së FMN-së: Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin

Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas komunikatës së lëshuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e në të cilën kundërshtohet fuqishëm ideja për dhënien e Trustit dhe nuk rekomandohet kthimi i tarifave të vjetra të rrymës.

Kusari-Lila ka thënë se opozita është rreshtuar pas ideve populiste që çojnë në shkatërrim financiar të shtetit.

“Udhëheqësit opozitarë bashkë me ekonomistët që i mbështesin ata, akuzojnë pozitën për vendime populiste, përderisa vetë nuk bën asgjë më shumë se të rreshtohen pas ideve/propozimeve populiste dhe destruktive për ekonominë e vendit deri në shkatërrim financiar të shtetit”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila ka thënë se një reagim i tillë i FMN-së për propozimin e PDK-së për Trustin e që është mbështetur edhe nga LDK, AAK dhe Lista Serbe, tregon se sa serioze është situata.

“Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin. Kjo logjikë tregon shumë qartë paaftësinë për të menduar propozime që ndihmojnë qytetarin dhe nuk rrënojnë shtetin. Kjo nuk është ekonomi, është mendësi sot për nesër”, ka shkruar Kusari-Lila.

Exit mobile version