Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Periskopin ka deklaruar se Ramush Haradinaj ka shfrytëzuar ftesën nga Gjykata Speciale për të dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, madje thotë se kryeministër më të keq Kosova s’ka pasur, shkruan Gazeta Metro.
Kusari dorëheqjen e Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit e sheh si të vonuar, ndërsa thotë se po e shfrytëzon ftesën nga Haga në ngritje të popullaritetit të tij, si dhe për aspektin elektroral.
“Rasti i fundit për të cilin kemi pritur që Ramush Haradinaj të tërhiqet, është ftesa për në Hagë. Për arsye se kishte kaluar nëpër këtë proces dy herë më përpara dhe kishte dalë i pafajshëm, përderisa si qeverisje dhe si qeveri ka qenë më e keqja në periudhën e pasluftës në Kosovë. Ka pasë një mori skandalesh. Në numrin e ministrave me aktakuza, me mungesë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies për obligimet shtetërore dhe natyrisht në mungesë të kompetencës. Mendoj se kryeministri Haradinaj është dashtë të japë dorëheqje më herët, në momentin kur s’ka mund të kontrollojë një numër të madh të digasterëve në qeverinë e tij, për shkak se asisoji ka qenë i ndarë pushteti, sa secila parti politike ka qeverisë totalisht e pavarur nga kryeministri, në digasteret të cilat u kanë takuar. Prandaj çfare do qoftë tash komenti pas asaj që ka ndodh, po e lë një reflektim edhe në aspektin elektoral edhe në ngritjen e popullaritetit të tij, për arsye se po thirret në kartën në të cilën në vazhdimësi e di se ka pasë ngritje të popullaritetit, për faktin që flitet për një periudhë të lavdishme të popullit, por edhe për një periudhë kur krejt për atë që kemi kalu si popull, natyrisht janë ndjerë meritorë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa i përket, dorëheqjes, kjo është dashtë me ndodh shumë më herët. Konsideroj se krejt ato fjalë, ai entuziazëm dhe ajo dashuri e shprehur e tij për Kosovën, është dashur të bëhet më herët dhe të kishte marrë fund pushteti kur ka pa se po i shkakton dëm vendit qeverisja e tij, me vendime dhe dëme shumë të mëdha”, tha Kusari për Periskopin.
Kusari tha se populli i Kosovës në këto zgjedhje duhet ta di mirë se për kë po voton pasi ai do ta udhëheq Kosovën për disa vite.