Kush është Ahmet Haxhiu, gjyshi i Albulena Haxhiut, i arrestuar 5 herë nga pushtuesi serb
Shkruan: Ramadan Avdiu
Çkado që të shkruhet e të thuhet për Bacën është pak dhe do të duhej shumë hapsirë për të folur për jetën, veprimtarinë, shembëlltyrën, guximin, vendosmërinë, peripecitë e vuajtjet e tij. Ahmet Haxhiu lindi në vitin 1932 në Prishtinë në një familje të varfër, por bujare dhe me traditë liridashëse. Të pashlyeshme kishin mbetur në kujtesën e tij demonstratat antifashiste të viteve 1942 – ’44, kur si fëmijë jo vetëm i kishte vështruar, por edhe ishte inkuadruar në to. «Fjalët e babait tim dhe ato demonstrata më mësuan se pushtuesi duhet luftuar», do të thotë Baca më vonë kur fliste për të kaluarën e tij. Babai i tij Shaipi, me pushkë në dorë, kishte luftuar kundër pushtuesve dhe në vitin 1945 në luftë me bandat çetnike, do të bie heroikisht në fshatin Sankovc të Drenicës. Ishte kjo goditja më e rëndë që Ahmet Haxhiu, ndonëse i ri, apo thënë më mirë fëmijë trembëdhjetvjeçar e përballoi. Që nga ajo kohë, meqë ishte djali i vetëm i Shaipit, filloi të përkujdesej për familjen. Me ndihmën e axhës së tij ia dilte disi të siguronte kafshatën e gojës sa për të mbajtur gjallë katër motrat dhe të ëmën. Terrori që ushtronin ushtritë jugosllave mbi popullin tonë fill pas përfundimit të Luftes se Dytë botërore e goditnin rëndë. Edhe pse ishte i ri, ai filloi të flasë kundër këtij terrori dhe në vitin 1946 burgoset për herë të parë nga organet pushtuese jugosllave. Vetëm katërmbdhjet vjet i kishte kur u mbajt dhe torturua në burgjet dhe zyrat e OZNA-së për dy javë me radhë. Në rini të hershme filloi të ushtroi zejen e mekanikut për tu bërë dikur mjeshtër i vërtet. Ai gjithmonë punonte vetëm sa për të mbajtur gjallë familjen, kurse mendjen e kishte se si të vazhdohet rruga e babait dhe shokëve të tij.
Adem Demaçin, simbolin e rezistencës sonë kombëtare e kishte shok, me të cilin formojnë celulën e parë e cila pastaj, do t’i paraprijë formimit të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Në ato kohë të vështira Ahmet Haxhiu zhvilloi aktivitet të dendur bashkë me anëtarët e tjerë të LRBSH-ës. Shtëpia e tij përdhese buzë lumit Prishtina, ishte qendra kryesore nga e cila dilnin materiale të shumta të fshehta dhe flamujt që valviteshin në tërë Kosovën, flamuj që nga dora e Bacës ishin qepur, e një pjesë e tyre edhe shpërndarë. Në prag të festave të Nëntorit, nuk e linte Baca pa ua stolisur varret dëshmorëve me flamuj. Edhe vendin ku prehej babai i tij e kishte vizituar gjatë kahës së aksioneve të shpërndarjes së flamujve kombëtarë. Në vitin 1964 arrestohen rreth 300 shokë të tij, pjestarë të LRBSH-së. Shkathtësia e tij i ndihmoi që t’i shmanget arrestimit dhe të vendoset në Kroaci. Por, aty nuk mundi të rrinte i qetë ngase shqetësohej për fatin e shokëve të tij të arrestuar. Prandaj edhe vendosë të kthehet në Kosovë, ku do të arrstohet dhe dënohet me 4 vite burg. Gjatë qëndrimit në burg veçënarisht do ta përjetoj rëndë vrasjen e mësuesit Shaban Shala, dhe të poetit Fazli Grajqevci, vrasje këto që edhe më ia sforcuan bindjet liridashëse dhe e shtytën që të jetë edhe më aktiv në të ardhmen. Pas daljes ga burgu Ahmet Haxhiu për asnjë çast nuk e pushoi veprimtarinë e tij çlirimtare. Ahmet Haxhiu njihej si humanist i madh. Nuk mund të ketë ndonjë familje e të burgosurve politik gjatë viteve shtatëdhjeta dhe më vonë që nuk i kishte vizituar dhe ndihmuar. Më së miri këtë e dëshmon, ndër të tjera edhe iniciativa dhe angazhimi vetëmohues për ndërtimin e shtëpisë së Adem Demacit. Nga gjysma dytë e viteve 70-ta, Ai do të ketë kontakte dhe veprimtari të përbashkët antipushtuese me veprimtarët më të njohur të çështjes kombëtare të asaj kohe siç ishte Jusuf Gërvalla, me të cilin është njohur përmes Zeçir Gërvallës. Në vitin 1979, arrestohet dhe mbahet disa muaj në izolim pa ndonjë akuzë, por vetëm si preventivë, sepse UDB-ja, ishte frikësuar që Ahmet Haxhiu të mos ishte i izoluar gjatë kohës kur ish Kryetari i RSFJ-së Tito e vizitonte Kosovën. Pas demonstratave të vitit 1981 ai do të arrestohet sërish dhe do të mbahet disa muaj në izolim. Nga Ahmet Haxhiu nuk dilte asnjë fjalë dhe organet e pushtuesve nuk mund të gjenin bazë as për ta denuar. Pas disa muajsh lirohet dhe vazhdon veprimtarinë e fshehtë kundër pushtuesve. Që nga themelimi i LPK ishte anëtar aktiv i saj, të cilën e ndihmoi shumë me përvojën e madhe jetësore, vepruese, organizative e politike që e kishte. Baca gjithmonë ishte pranë shokëve. Ai i ndihmote, i udhëzonte dhe inkurajonte ata për veprime kundër armikut. Angazhimi i Ahmet Haxhiut do të vërehet sidomos nga viti 1988, ku do të punojë bashkë me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë, Hidajete Krasniqin, Shaban Mujën, Nazmi Llapashticen, Avdyl Mustafen, Azem Sylën, Ramadan Avdiun, Halil Selimin, Guximtar Labenishtin, Ibish Nezirin, Xhavit Hazirin etj. në forcimin e radhëve të organizimit klandestin por, edhe per organizimin e demontratave te vitit 1989 në të cilat Ahmeti ishte shumë aktiv. Nga kjo kohë posaçërisht pas demonstratave të vitit 1989, Ahmet Haxhiu fillon të mendoj seriozisht për sigurimin e pajisjeve ushtarake. Pra për sigurimin e armëve për nevoja të organizatës. Ai filloi të transportoj armë nga vendet e Evropës në Kosovë. Për sigurimin e armëve Ahmet Haxhiu ka bashkepunuar më së shumti me Xhavit Halitin dhe Ali Ahmetin, të cilët siguronin pajisjet ne shtetet e Evropes dhe e pregatitnin dergimin ne Kosovë. Krahas kësaj ai ndihmonte forcimin e organizimit. Ka marrë pjesë në organizimin e mbledhjeve të rëndesishme, kurse ne Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPK-së e cila është mbajtur me 03 dhe 04 Tetor 1991 në Ujmir, është zgjedhur anëtarë i Keshillit Drejtues të LPK-së. Shtëpia e Ahmet Haxhiut ishte strehë për ilegalët, ishte bazë ku ruhej armatimi dhe teknika e shtypit ilegeal. Ahmet Haxhiu është shquar jashtëzakonisht për kujdesin ndaj veprimtarëve që ishin ilegalë dhe kërkoheshin për t’u arrestuar. Ai më shumë kujdesej për shokët e luftës se sa për familjen e tij, bashkëshorten Sofijen, tre djemët, tri vajzat dhe motrat e tij.
Deri në vitin 1993 Bacën nuk e pengonte as mosha e shtyrë as sëmundja e rëndë për të vperuar kundër pushtuesve. Në këtë vit gjendja e tij shëndetësore përkeqesohet shumë. Në gjendje të rëndë, të shtrirë në shtrat me 2 gusht të vitit 1993, forca të shumta të policisë pushtuese ia rrethojnë shtëpinë dhe e arrestojnë në orët e hershme të mëgjesit. Të njejtën ditë dhe në të njejtën kohë u arrestuan shumë veprimtarë të LPK-së. Ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore Baca torturohet tmerrësisht nga inspektoret e UDB-së në zyrat e tyre në Prishtinë. Si pasojë e torturave , nga burgu ai shtrihet në spitalin e Prishtinës ku pastaj fillojnë ta torturojnë edhe mjekët serbë bashkë me policët që e ruanin. Pas një kohe dërgohet në spitalin e burgut të Beogradit ku pas disa javësh kur mjekët konstatojnë se do të mund të vdiste në burg, për t’i ikur përgjegjësisë do ta lirojnë. Heroi Ahmet Haxhiu në personalitetin e tij polivalent ngërthen kontiniuitetin e rezistencës sonë kombëtare. Ai i lidhë tri gjenerata të rëndësishme të rezistencës dhe Lëvizjes Antipushtuese dhe Çlirimtare; të Adem Demaçit, Shaban Shalës, Fazli Grajqevcit, Rexhep Elamzit, Hilmi Rakovices, Zeqir Gervalles pastaj të Jusuf Gervalles, Kadri Zekes, Metush Krasniqit, Mehmet Hajrizit, Hydajet Hysenit Rexhep Males, Nuhi Berishes dhe atë të Fadil Vates, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Xhavit Hazirit, Azem Syles, Adem Jasharit etj. Pra Ahmet Haxhiu ishte protagonist i fillimit, i thellimit dhe mund të thuhet edhe i kurorërzimit të rezistences deri në prag të fillimit të aksioneve të para të armatosura. Nga lufta e tij antipushtuese do ta ndajë vetëm vdekja. Ahmet Haxhiu ka jetuar për të luftuar kundër pushtuesve.
************* ************** ************ ****************
Në shtator të vitit 1989 kur në prag të fillimit të mbajtjes së samitit të vendeve të painkuadruara në Beograd radhët e organizuara klandestine në Kosovë gjegjësisht LPRK kishte vendosur që të shpërndajë trakt me të cilin denoncohej politika diskriminuese, hegjemoniste e shoviniste jugosllave, që udhëhiqej kundër popullit shqiptarë në Kosovë dhe viset e saja të pushtuara… Gjatë shpërndarjes së traktit më 30 shtator 1989, do të arrestohen veprimtarët e LPRK Agron Shala dhe Bekim Karasniqi, kurse të nesërmen do të arrestohen edhe Shaban Muja, Musa Demiri, Afërdita Veliu, Fexhrije Bilalli, Sabit Thaçi…. Sidomos me arrestimin e Shaban Mujës dhe të Musa Demirit u detyaruam që të marrim masat e preventivës. Kështu që Afrim Zhitija dhe Fadil Vata u vendos të dalin në ilegalitet, kurse Ahmet Haxhiu –Baca u dërgua në Zvicër në cilësi të delegatit për të marrë pjesë në mbledhjen e II-të të Përgjithshme të LPRK. Pas një qëndrimi të shkurtër dhe pas përfundimit të Mbledhjes ai u kthye sërish në Kosovë. Ndonëse ishte krijuar një gjendje e rëndë organizata kishte planifikuar veprimtari të reja antipushtuese dhe i duheshin veprimtarët me përvojë siç ishte Ahmet Haxhiu. Shtëpia e Ahmet Haxhiut ishte një ndër bazat më të forta të radhëve të organizuara ilegale në Kosovë.
Në atë shtëpi ishte e vendosur edhe teknika e shtypit ilegal. Teknika na nevojitej urgjentisht për të shtypur buletinin e Zërit të Kosovës1, Rruga e Lirisë2 dhe traktin « Thirrje »3, që e kishim pregatitur për ta shpërndarë para se të fillonin demonstratat në fund të tetorit 1989. Duke qenë se mund të rrezikonim shtëpinë e Bacit vendosëm që ta tërheqim teknikën dhe ta vendosim në një bazë tjetër në Prishtinë. Takimet me Bacën i mbante Afrim Zhitija. Unë nuk e njihja akoma. Afrimi shpesh më fliste për të. Më kujtohet mirë kur Afrimi sa herë që shkonte për t’u takuar me Bacin e kishte një ndrojtje. Kam frikë mos po gaboj diçka, ai është veprimtar i vjetër dhe nuk i shpëton asgjë thoshte ai. Më 23 Tetor 1989, baca e kishte nxjerrur tërë teknikën e shkrimit dhe e solli në vendin e planifikuar për ta vendosur. Atë natë edhe unë isha aty por, me Bacen nuk u pashë. Kisha dëshirë ta takojë dhe ta njohë atë veprimtarë të vjetër që kishte shpirtin e të riut, por rregullat e punës i kishim të tilla. Pas largimit të Fadil Vatës nga Kosova dhe rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut më 02. 11. ’89 në Kodër të Diellit lidhja në mes të kryesisë së LPRK dhe Bacës ishte shkëputur ashtu siç ishin shkëputur edhe shumë lidhje të tjera në Kosovë. Ne u dëmtuam shumë me rënien e Afrimit dhe të Fahriut që u pasua edhe me largime të tjera nga Kosova. U detyrua të arratiset edhe Bardhyl Mahmuti dhe disa veprimtarë të tjerë. Megjithatë punën duhej vazhduar. Disa lidhje i morëm përmes Bardhylit para se të largohej, disa të tjera përmes Fadil Vatës, i cili ndodhej në spital të Bazelit, dhe përmes degës së LPRK jashtë vendit. Unë e dija se Bacin e njohin Fadil Vata, kryesia e Degës jashtë vendit dhe Azem Syla, por Azemi në atë kohë ishte në burg. Duke i pasur parasyshë se ishim mjaft të zënë, çdo ditë organizonim demonstrata në shumë qytete të Kosovës dhe fjalët e Afrimit për Ahmet Haxhiun, unë nuk nxitoja që ta njohë dhe të gjejë lidhjen me Bacin sepse isha i sigurtë se ai do të na gjejë neve. Në dhjetor të vititi 1989 përmes degës jashtë vendit unë mora lidhjen me Hidajete Krasniqin nga Leshani i Pejës. Nuk e dinja se ajo ishte e lidhur drejtëpërdrejt me Bacin dhe ishin njohur prej kohësh, mendoja se përmes sajë do t’i gjejmë të gjithë këshillat e organizuar në rrethin e Pejës. Pas disa takimeve që i pata me Hidajete Krasniqin më 24 dhjetor të vitit 1989 më tha se sonte do ta kesh një takim me një person që është i interesuar që t’ju njohë dhe ai është shok i organizuar që ka bashkëpunuar ngushtë me Fehmiun (4) dhe Ismailin (5). Duke më folur Hida për këtë shok dhe duke i sqaruar modalitetet e takimit unë i thashë sigurisht se do të takohem me Bacin. Pikërisht më tha ajo. Prandaj duhet të kesh kujdes të jesh i përpikët. Takimin e vendosëm që ta bëjmë në pjesën mbi parkun e Prishtinës ku do të më priste në një udhëkryq në orën 19.55 minuta dhe ai do të jetë duke punuar në motorin e një makine fiat 650 e njohur tek ne si « Fiça ». Me Hidën i caktuam edhe fjalët me të cilat do t’i drejtohesha unë dhe se si do të më përgjigjej Ai. Pikërisht në orën 19.55 minuta shkova në vendin e paraparë. Ai i kishte futur duart në motorrin e makinës dhe gjoja po e regullonte. « A të qon kjo makinë deri në Matiqan » ishte parulla që do t’i drejtohesha unë. « Ku të nisem me të do të shkojë » mu përgjegj ai, dhe u përqafuam. Ai menjëherë e «rregulloi makinën » dhe u nisëm bashkë. Ku do të shkojmë më pyeti. Ku të doni, mund të shkojmë në shtëpinë time ose në ndonjë bazë që e kemi. Në atë kohë kishim disa shtëpi që i shfrytëzonim në Prishtinë. Jo tha Ai shkurt. Sonte do të bisedojmë në veturë kështu në lëvizje. Pasi e ngushlluam njëri tjetrin për shokët e rënë filluam bisedën e njohjes. Unë menjëherë i thashë se e di me kë jam takuar dhe nuk kam asnjë rezervë prandaj ju më njihni si « Bejtë » por emrin e kam Ramadan Avdiu.Shih vëlla, mu drejtua Ai. Drita(6) më ka folur për ty që nga dita kur jeni njohur. Edhe me Afrimin e Fadilin kemi biseduar për ty, prandaj edhe unë pak a shumë të njoh. Duhet të vazhdojmë të punojmë me një elan edhe më të madh se deri me tash. Rënia e shokëve nuk duhet të na ligshtojë. Përkundrazi, ajo duhet të na forcojë dhe të na stimulojë për të punuar drejt realizimit të idealeve të tyre për çka ata ranë. Nëse ne nuk do të punojmë në drejtim të çlirimit të vendit të jesh i bindur se nuk do të punojë askush……..Biseduam për procesin e ndryshimeve që kishte filluar në vendet e Lindjes dhe për reflektimin e tyre në Kosovë, për tendencat e krijimit të partive politike në hapsirat e ish Jugosllavisë e veqënarisht për mundësin e formimit të partive politike në Kosovë. Sido që të jetë tha Ahmet Haxhiu edhe në Kosovë do të formohen parti politike por ato nuk do të mund të merren me veprimtari çlirimtare besa edhe nuk do të donë të merren prandaj barra më e rëndë do të bie mbi ne. Unë u plaka duke punuar në këtë drejtim dhe saktësisht e di se kush do të angazhohet me « hakikat » e kush donë të krijojë përshtypjen se angazhohet, sikurse edhe për ata që bëjnë hile dhe që angazhohen kundër lirisë e pavarësisë së Kosovës do të thote Baca. Puna e jonë tani duhet të përqëndrohet në masovizimin e organizimit dhe të ruhemi nga dekonspirimet sepse çdo ditë ne i afrohemi luftës dhe çdo goditje që mund të na ipet e shtyjnë ditën kur do të duhet të luftojmë. Një gjë dua të të bëjë të qartë vëllai im më tha Baci. Kosova nuk do të mund të çlirohet pa luftë. Lufta në Kosovë duke e pasur parasyshë hendekun e madh që ekztiston në mes nesh dhe pushtuesve tanë do të jetë e tmerrshme, dhe duhet t’i hyjmë kësaj pune të vështirë por të domosdoshme për lirinë e Kosovës. Ne jemi populli më i ri në Evropë për nga struktura e moshës dhe pavrësisht prej çmimit konsideroj se duhet të sakrifikohemi madje edhe në masë të madhe. Liria nuk ka çmim. Për liri të Kosovës vlenë të sakrifikohen dhjetra mijëra madje edhe më shumë sepse ata që do të jetojnë të lirë do ta regjenerojnë kombin shpejt dhe do ta çojnë Kosovën drejt zhvillimit, përparimit, bashkimit e demokratizimit. Duke i pasur parsyshë këto të preferoj që njerëzit që do të angazhohen në kuadër të organizimit tonë duhet të kenë shpirtin e sakrificës, të jenë të fortë, të moralshëm e të guximshëm dhe të disciplinuar. Krahas zgjërimit të organizimit tonë duhet të punojmë në drejtim të afrimit të gjërave të nevojshme për të filluar luftën. Na duhen armë do të thotë Baci dhe tani po vie koha kur vetëm armët që jam duke i futur unë në Kosovë nuk do të na mjaftojnë as për aksione të vogla e të shpejta…
Kështu ishte biseda ime e parë me njeriun e madh që e kishte Kosova Ahmet Haxhiun –Bacin, i cili kreu punë të mëdha në mbajtjen gjallë të frymës së rezistencës së popullit tonë, në organizimin e radhëve të fshehta të Lëvizjes, në futjen e tytave të para që do të shkrepeshin për lirinë e Kosovës dhe të gjitha këto punë i kreu në heshtje. Sot shumë pak dihet për këtë veprimtar prej më të mëdhenjëve që e kishte Kosova pas luftës ë dytë botërore. Atë natë biseduam tre orë duke lëvizur me makinë. Unë e njoftova për planet që i kishim për vazhdimin e demonstratave që në atë kohë organizoheshin çdo ditë nepër qytete e vendbanime të ndryshme anë e kënd Kosovës. Këto janë demonstrata të vogla me pak pjesmarrës por do të krijojnë atmosferë për protesta më të mëdha prandaj mendojmë se në prag të Kongresit të 14-të të LKJ-së ku do të mund edhe t’i vie fundi Jugosllavisë të jemi më të pregatitur dhe më të mobilizuar për aksione në përputhje me rrethanat që do të krijohen.Ju vazhdoni të protestoni por mos harroni organizimin. Duhet të forcojmë organizimin ishte i prerë Baci. Para se të ndaheshim Baci më tha se nuk do të jetë në Kosovë deri në fillim të marsit dhe nuk do të kemi mundësi të takohemi. Por, sa të kthehem menjëherë do të shihemi prandaj duhet të vendosim një takim që sot pas dy muajsh. Takimin e caktuam, më 11 mars 1990. Duke lëvizur shkuam deri para shtëpisë sime dhe duke i thënë Bacit se çdo rregull ka përjashtime, i tregova se cila ishte shtëpia ime. Kur të kthehem edhe Ti do ta mësosh shtëpinë time më tha Ai dhe u ndamë. Sapo ishte kthyer në Kosovë më njoftoi dhe u takuam po atë ditë. Shkuam në shtëpinë e tij. Bisedum gjatë për punët që i kishim kryer, për demonstratat gjatë gjithë periudhës që ai nuk ishte në Kosovë, për shkallën e represionit serb mbi popullatën shqiptare. Për partitë politike që ishin formuar në Kosovë. Për aksionin e pajtimit të gjaqeve dhe për mënyrën e vazhdimit të protestave përmes tubimeve publike. Me një fjalë biseduam për gjithçka që kishte ndodhur në Kosovë në atë periudhë dymujore. Ai veçënarisht u interesua se si është puna me shokët a janë kapur të gjitha lidhjet e shkëputura dhe më kërkoi disa ekzemplarë të dy numrave të buletinit « Rruga e Lirisë » dhe të katër trakteve që ishin shpërndarë nga dhjetori deri në mars. Pastaj më tha se edhe unë nuk kam ndenjur. Erdha me shumë peripeci dhe solla diçka prej armatimit.
Ai kishte sjellur njëzet pushkë automatike dhe rreth 5000 fishekë. Nga kjo kohë Baci ishte një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë me të cilin konsultohesha për çdo gjë, ndonëse nuk ishte i përfshirë në udhëhqjen më të ngushtë të organizimit klandestin në Kosovë, ai ishte i informuar mirë me çdo nismë dhe çdo punë që e kryenim por edhe udhëzonte nga pozicioni që ishte. Kushdo që e pati fatin dhe rastin ta njohë shumë shpejt ka mundur të veqojë tiparet që e karakterizonin këtë presonalitet të madh të historisë sonë të re. Vyrtytet e tij ishin Bujaria, sinqeriteti, thjeshtësia, mprehtësia intelektuale, vendosmëria për të luftuar, guximi, gatishmëria për sakrificë…. Ai ishte i mishëruar me luftën për liri. Aq sa e donte popullin dhe atdheun e tij aq më shumë e urrente armikun, ishte shumë i dashur për të gjithë shokët, por edhe i rrept kur nuk i kryenim punët si duhej e sidoms ndaj pakujdesive që shpesh thoshte, mund të iu kushtojnë me kokë sepse armiku nuk të falë, prandaj dëgjojeni plakun nganjëherë spese jeni të shtrenjtë për mua sa edhe djemët e mi. Në punë e sipër Baci u njoh edhe me shumë shokë të tjerë të cilët i këshillonte dhe pregatiteshin bashkë për veprime të reja. Ai kryesisht u përqëndrua në sigurimin e armatimeve dhe në sigurimin e bazave për të vendosur pajisjet dhe njerëzit kur na rrezikoheshin. Para çdo aktiviteti dhe tubimi apo mbledhjeje me rëndësi unë Azem Syla, Xhavit Haziri, Halil Selimi konsultoheshim me Ahmet Haxhinë dhe ndihma e tij gjithmonë ishte shumëdimensionale. Ai na ndihmonte edhe në apektin teknik të organizimit të mbledhjeve dhe ishte më i kujdeshëm se të gjithë ne. Shpesh herë shkonte për të kryer detyra që i caktoheshin dikujt tjetër. Jo Bacit thoshte këtë punë do ta kryej unë se edhe po të zbulohem le të zbulohem unë plaku e jo ju të rinjët. Ju do të mund të kontribuoni për lirinë e Kosovës më shumë se unë. Ai kënaqësinë më të madhe e kishte kur ndihmonte shokët, dhe kur në veturën e tij ngarkonte armë për t’i sjellur në Kosovë. Në mars të vitit 1991, Xhavit Haziri, Sejdi Veseli dhe unë shkuam në Zvicër për t’u konsultuar me shokët e degës jashtë vendit. Pas dy dite erdhi dhe Ahmet Hxhiu. Pasi përfunduam punën në Zvicër pregatiteshim për rrugë Ahmet Haxhiu më tha shkoni ju me aeroplan sepse unë do të vie vetëm me veturë ngase nuk mund të « kthehem thatë » në Kosovë. Dua ta ngarkojë makinen dhe mund të ketë rreziqe rrugës më mirë është që të jem vetëm. Ne nuk pranuam dhe tham se gjithsesi njëri prej nesh do të jetë me ju gjatë gjithë rrugës. U kthyem bashkë në Kosovë dhe sa arritëm në Prishtinë ndonëse për 18 orë nuk kishte pushuar së ngari makinën thoshte se aspak nuk ndihem i lodhur sepse e mbaruam një punë. Kështu gurë gurë bëhet kalaja thoshte dhe i shkreptinin sytë nga gëzimi. Kujdesi dhe Vigjilenca e Ahmet Haxhiut janë të papërshkrueshme. Unë do të veçoj një rast. Kur në kufirin italian ishte arrestuar veprimtari Ali Rashani me një kontigjent Armësh që ishte duke i sjellur në Kosovë Baci ndodhej në Lubjanë. Menjëherë e kishte kuptuar për arrestimin e Aliut. Ai kishte vënë kontakt me shokët jashtë vendit dhe i kishte informuar që mos ta kërkojnë në Lubjanë sepse po kthehej urgjentisht në Prishtinë. Baci donte që gjithçka të sigurojë. Ai e kishte njoftuar Shaban Mujën se po kthehej dhe mua më tha ta pres gjithsesi në Prishtinë sepse për 9 orë do të jem atje do të thot Baci në telefon. Dhe sa erdhi në Prishtinë më thirri në shtëpinë e tij. Ishte i mërzitur. Vëlla e kam një lajm të hidhur. Ai djali që solli tre nagrkesat e fundit sot është arrestuar në Itali me një ngarkesë të re. Ne duhet t’i marrim masat dhe të sigurojmë gjithçka. UDB-ja mund ta kërkojë dorëzimin e tij nga autoritetet italiane, dhe është mirë që të gjitha bazat që i din ai në Kosovë t’i lëshojmë, sepse nuk i dihet, kurse materialet që i kemi nëpër ato baza t’i zhvendosim. Aliu më herët dy ngarkesa me armë i kishte shkarkuar në shtëpin e Ahmet Haxhiut. Duhet edhe nga këtu, nga shtëpia Juaj t’i largojmë pajisjet i thashë. Edhe atë do ta bëjmë u përgjegj Baci. Gjatë natës i bartëm të gjitha materialet ne baza të reja. Në fund i larguam edhe gjashtë mitrolozë të rëndë, shumë, municion dhe disa automatikë që ksihin ngelur pa u shpërndarë dhe ishin në shtëpinë e Bacit. Në fund ndejëm gjatë vetëm unë me Bacin. Shiqo vëlla mu drejtua, unë e di se ka kërkesa nga rrethet që të iu dërgohen armë. Sa kemi edhe duhet të iu dërgojmë. Por, ata gjashtë mitralozë që i patëm përdore sot mund t’i shpërndani pesë. Kurse një duhet të ma lini mua se nuk kam dëshir të më del shpirti pa e drejtuar grykën e tij mbi okupatorët që aq shumë na munduan…….. Se sa kujdesej ai që t’i ruante shokët do të ilustroj me disa raste : në vitin 1991, në prag të mbledhjes së tretë të përgjithshme të LPRK nga dega jashtë vendit vinte në Kosovë për të ndihmuar organizimin e mbledhjes Emrush Xhemaili. Unë e njoftova Bacin se Emrushi do të vie deri në Zagreb ku do të shkojë unë për ta shoqëruar deri në Kosovë dhe i tregova se planifikoj që me aeroplan të kthehemi deri në Shkup praj nga do të hyjmë në Kosovë. Kur arritëm në Shkup Baci bashkë me Xhavit Hazitin ishte në aeroport. Pa na përshëndetur na tha nuk munda të rri të iu pres në Prishtinë kështu jam më i sigurtë do të shkojmë bashkë por me dy vetura… Kështu Baci vepronte gjithmonë kur na vinin « ilegalë ». Në këto raste Ai nuk mund të rrinte i qetë dhe gjithmonë e ndjente një siguri kur ishte edhe ai me shokët. Në një rast më thirri që të shkojmë në Pejë për të marrë një kontigjent që e kishte dërguar Zeka(7). Rrugës më fliste me pasion për Xhavit Halitin. Më shumë se gjashtë vite e njoh dhe punojmë bashkë. Në asnjë punë me të nuk kemi dështuar prandaj është kënaqësi të punosh me veprimtarë të tillë të kujdesshëm e të devotshëm për çështje të atdheut. Çka thua Bacit, ai i ka sjellur deri këtu e ne nga Peja deri në Prishtinë të biem në ndonjë grackë, thoshte kështu Baci sepse nuk do të kishte mundësi t’i vendosnim në « bunker » që e kishte në makinë enkas për transporte të tilla. Nuk është problem deri në Leshan tek shtëpia e Hidajtes nga Peja mund t’i dërgoj në shpinë i thashë unë.Shkuam e morrëm ngarkesën dhe u nisëm në drejtim të Prishtinës. Në dalje të Pejës deri në Leshan ishin të vendosura dy postblloqe të policisë serbe. Ai mu drejtua qetë, Bacit merre ti makinën dhe nisu ngadalë, se unë po marrë çantën në të cilën kishim dhjet revole « Magnum », dhe do të anashkaloj postblloqet në këmbë, takohemi pas postbllokut të dytë në skaj të rrugës. Unë insistoja që të shkoj unë në këmbë dhe vetëm kur i thash se unë nuk kam patentë shoferi u bind se është më mirë të shkojë unë. Ai insistonte vetëm për të më kursyer mua. Bacit unë jam shumë më i lumtur të më ndodhë mua diçka se sa një shoku tim e sidomos kur unë jam me ta. Ahmet Haxhiu ka dhënë ndihmë të madhe në organizimin e dy Konferencave të OMLK-së që u mbajtën në mars të vitit 1989 në Tërpezë të Berishës, përkatësisht në Prapashticë në janar të vitit 1991. Pastaj për mbledhjen e tretë të Përgjithshme të LPRK-së e cila u mbajt në Ujmir afër Klinës më 4 tetor 1991 ku Ahmet Haxhiu do të zgjidhet anëtarë i Këshillit Drejtues të LPRK-së. Ai pranoi të kandidohet në këtë mbledhje për këtë forum sepse e ndjente se koha po kërkon angazhim edhe më të madh në ruajtjen dhe forcimin e organizimit që do të merrej me organizimin e luftës së armatosur sepse pas forcimit të partive politike e veqënarsiht të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila monopolizoi sferën politike në Kosovë duke imponuar politikën e mosveprimit dhe të nënshtrimit , duke e luajtur lojën e shtetit nën okupim kërkohej shumë më shumë angazhim e përkushtim në drejtim të mbajtjes gjallë të rezistencës kundër pushtuesve. Pas mbledhjes së tretë të Përgjithshme në fund të vitit 1991 do të arrestohet Halil Selimi. Pasi diskutuam rreth këtij arrestimi u vendos që të kolojmë në klandestinitet të thellë Azem Syla, Xhavit Haziri dhe unë. Ahmet Haxhiu do të përkujdeset për ne më shumë se për veten e tij. Disa ditë më vonë në Prekaz do të luftojnë kundër trupave okupatore serbe Familja Jashari me Ademin në krye. Daja8 shkoi menjëherë në atë zonë për të iu gjetur afër, Baci nuk dëshironte ta lë vetëm ai do ta shoqëroj.
Pas gjendjes së krijuar në Drenicë, erdhi Hashim Thaçi i cili kërkoi përforcime në armatime për grupin që tashmë kishte luftuar në Prekaz. Kur unë i tregova Bacit për kërkesën nga Drenica ai menjëherë më tha se nëse është nevoja duhet të marrim ato që i kemi edhe nepër rrethet e tjera dhe t’i dërgojmë atje ku ka nevojë më së shumti. Mitralozi të cilin e mbanë Adem Jashari në foton që e përshkoi botën ka dalur nga shtëpia e bacit dhe është njëri prej atyre 6 mitrolozëve që i përmenda më herët të cilin e dërgoi në Drenicë Azem Syla, kurse Adem Jasharit ia ka dorëzuar Xhrladin Gashi – Plaku… Ahmet Haxhiu përkundër të gjitha vështirësive që krijoheshin, përkundër gjendjes së tij të rëndë shëndetësore që i keqësohej dita ditës, përkundër moshës së shtyrë asnjëherë nuk ndalej. Edhe kur ne i kërkonim që të pushojë ndonjë ditë ai thoshte po të rri sëmurem më shumë. Të vetmin ilaç unë e kam punën kundër pushtuesve do të thotë shpesh herë Baci. Gajtë kohës sa kemi punuar bashkë Ai dy herë është takuar me autoritetet e Republikës së Shqipërisë dhe Kryetarin e atëhershëm Ramiz Alia. Në njërin takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë bashkë me Ahmet Haxhiun kemi qenë Xhavit Haliti, unë Ramadan Avdiu dhe Hidyjete Krasniqi. Kurse në takimin e dytë Ahmet Haxhiu ka qenë i shoqëruar nga Xhavit Haziri dhe Xhavit Haliti, me të cilin është biseduar për gjendjen e gjithmbarshme në Kosovë, kurse Baci e ka ngritur edhe çështjen e mundësisë së futjes së mjeteve për luftë nga Shqipëria në Kosovë.Po ashtu edhe në Kroaci e Slloveni Baci ka udhëtuar shpesh ku siguronte pajijsje dhe bisedonte me kuadrot ushtarake shqiptare që pas shpërthimit të luftës në hapsirat e ish-Jugosllavisë kishin ngelur në këto ish republika jugosllave…Se sa i përkushtueshëm ishte në punën çlirimtare Ahmet Haxhiu më së miri dëshmon fakti se ai në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore nuk hoqi dorë që të merr pjesë në mbledhjen konsultative në Kërçovë në prill të vitit 1993 ku vetes i ipte injeksione. Në këtë mbledhje Baci dha një kontribut të madh në mbarëvajtjen dhe në përfundimin e saj të sukseshëm me rezolucione çfarë i dëshironte shumica e anëtarëve të LPRK-së. Pas kësaj mbledhjeje kur u kthyem në Pristinë më tha se ndihem i lodhur dhe më duhet patjetër të shtrihem në spital sepse një sëmundje po më grryen. Po më vjen keq që nuk do të mund të kontribuojë një kohë deri sa të shërohem dhe nuk do të mund të jap kontributin tim në pregatitjen e mbledhhjes së katërt të Përgjithshme të LPRK ku duhet të mirren vendime historike për popullin tonë dhe për të ardhmen e Kosovës. Nëse pak do të kem mundësi nuk do të kursehem. Pas disa ditësh shkoi në Lubjanë ku vazhdonte t’i bëjë analizat mjekësore. Disa herë shkoi në Lubjanë dhe nuk qëndronte më shumë se dy tre ditë dhe kthehej në Prishtinë. Bacit unë nëse nuk mund të dal në terren këtu nga shtëpia mund të iu ndihmojë me ndonje këshillë por nëse e shihni të arsyeshme edhe pse jam kështu rëndë do të dal edhe në terren….Ne e thirrëm Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPRK e cila u mbajt në Prishtinë më 26 dhe 27 korrik 1993. Baci nuk mundi të merr pjesë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Ditën e përfundimit të punimeve të Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, pra më 27 korrik ’93, UDB-ja kishte arrestuar pesë anëtarë të LKÇK-së. Duke qenë se të arrestuarit i njihnin një pjesë të veprimtarëve të LPK u sugjerua që të shtohet kujdesja deri sa të shihet epilogu i këtyre arrestimeve. Pasi i larguam të gjithë delegatët e mbledhjes së katërt të Përgjithshme të LPK-së, dhe i vendosëm në baza të sigurta ilegalët, unë shkova dhe e njoftova Bacin si për punimet e mbledhjes ashtu edhe për arrestimet. Për mbledhjen kur i lexoi konkluzionet ishte shumë i kënaqur. Kurse për arrestimet tha keni kujdes Bacit se tani me ndonjë arrestim mundë të dëmtohet shumë puna që kemi bërë deri këtu. Merrni masat dhe kushdo që mund të rrezikohet të kalojë në ilegalitet, sepse së shpejti do të kemi ku t’i qojmë të gjithë ilegalët. Jo nepër baza, por nepër njësitë ushtarake të ushtrisë që po e krijojmë. Ky ishte takimi im i fundit me Bacin para se ta arrestojnë më 2 gusht 1993. Pas mbledhjes unë asnjë ditë nuk ndenja në shtëpinë time. Dy veta e dinin se ku jam duke ndenjur. Në të gdhirë të dt. 02. 08. ’93 erdhi një shok dhe më tregoi se që nga mesnata ishte rrethuar shtëpia ime nga forca të shumta të policisë. Unë punën e parë që vendosa të bëjë ishte të shkoja ta informojë Bacin. Dola në drejtim të rrugës ku ishte shtëpia e tij dhe pashë shumë policë rreth shtëpisë së tij e mora me mend se edhe atë do ta arrestojnë.
Unë u largova në drejtim të banesës së Xhavit Hazirit. Rrugës takova një fqinjë të tij i cili më tha se Xhavitin e kanë rrethuar. Kështu më dy gusht 1993 në një gjendje tepër të rëndë shëndetësore Ahmet Haxhi do të arrestohet për të pestën herë nga policia e pushtuesve. Për më shumë se tre vite e gjysëm punë të përbashkët nga Ahmet Haxhiun –Baci, kam mësuar shumë gjëra dhe jam frymëzuar për të vazhduar luftën për liri. Vërtet është e pamundur të shkruhet dhe të ndriqohet e gjithë veprimatria liridashëse e të madhit Ahmet Haxhiu. Nuk ka pasur një ditë të vetme që i ka kaluar pa e kryer një punë në drejtim të çlirimit të Kosovës. Të punosh me njerëz të tillë jo vetëm që ishte kënaqësi por edhe obligoheshe për ta sforcuar punën dhe angazhimin.